Një festë javore të ligjësuar nga Allahu i madhëruar për përkujtimin e Tij, e gjejmë herët në mesin e besimtarëve. Gjurmët e para të këtij zakoni i hasim te hebrenjtë, për të cilët Allahu i madhëruar thotë: “Në të vërtetë, e shtuna u caktua (për përkujtimin e Allahut) për ata që patën kundërshti në lidhje me të. Sigurisht që Zoti yt do t’i gjykojë ata ditën e kiametit për atë çështje që nuk pajtoheshin”6.
Ky ajet përmban disa fakte:
I pari: Allahu ka caktuar një ditë feste në javë për besimtarët për përkujtimin e Tij.
I dyti: E shtuna është dite feste për përkujtimin e Allahut për hebrenjtë.
I treti: E shtuna -si festë për hebrenjtë- ka ardhur pas një kundërshtimi në lidhje me caktimin e saj.
Të gjitha këto fakte janë të qarta në ajet, sepse edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të pranishme në mesin e njerëzve, me përjashtim të faktit të tretë, i cili ka nevojë për sqarim, sepse debati rreth tij akoma vazhdon.
Imam Taberiu në komentimin e këtij ajeti thotë: “Nuk e ka caktuar Allahu madhërimin e të shtunës veçse për shkak të kundërshtimit të tyre: Disa thanë: Ajo (e shtuna) është dita më e madhe e javës, sepse Allahu i madhëruar e ka mbaruar krijimin ditën e xhuma dhe dita e shtunë ishte ndërprerje (mes ditës së fundit të krijimit dhe ditës së fillimit të tij). Ndërsa të tjerët thanë: Më e madhja ditë është dita e diel, sepse ajo është dita e fillimit të krijimit”
Edhe profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- e ka pohuar këtë kundërshtim mes tyre dhe ka thënë:
“Ne jemi të fundit (në dynja) dhe të parët ditën e kiametit, edhe pse atyre iu dha libri para nesh e neve na u dha pas tyre. Kjo është dita të cilën Allahu ua kishte obliguar (për festë), por ata ranë në kundërshtim, kurse neve na udhëzoi Allahu për në të. Ata janë pas nesh: hebrenjtë e kanë nesër dhe të krishterët pasnesër”
Ky citat profetik, përveçse pohon faktin e kundërshtimit në lidhje me caktimin e të shtunës, na tregon edhe një realitet tjetër të panjohur më parë dhe që është ai i ditës së xhuma, që do të thotë: Allahu ua ka kërkuar atyre ditën e xhuma për festë dhe popujt që kanë njohur librat e hershëm të Allahut, për shkak të debateve të tyre me profetët janë orientuar te ditë të tjera dhe jo te dita të cilën e kishte kërkuar Allahu i madhëruar.
Ibn Kethiri (komentuesi i njohur i Kuranit -Allahu e mëshiroftë-) në lidhje me këtë çështje thotë: “Thuhet se Allahu i madhëruar, xhumanë ua kishte caktuar (për festë) Beni Israilëve nëpërmjet Musait -alejhi selam-, mirëpo ata e shmangën atë dhe zgjodhën të shtunën, sepse ajo është dita në të cilën Allahu nuk ka krijuar gjë prej krijesave, pasi që e kishte plotësuar krijimin e tyre ditën e xhuma.
Pastaj Allahu i madhëruar ua bëri detyrë atë (dmth: ua dha të shtunën për festë, edhe pse ajo nuk ishte dita e kërkuar) në ligjet e Teuratit. Ai i porositi që të kapen fort pas saj dhe ta ruajnë mirë atë, duke i porositur njëkohësisht dhe për pasim të Muhamedit -alejhi selam- kur Ai ta dërgonte atë profet dhe u mori atyre besën për këtë”.
Pastaj Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- shton: “Ata (hebrenjtë) vazhduan ta ruajnë këtë zakon derisa Allahu dërgoi Isain, të birin e Merjemes -alejhi selam-. Thuhet se ai ua ndërroi atë me të dielën, mirëpo thuhet gjithashtu se, ai nuk e ka lënë ligjin e Teuratit, më përjashtim të atyre ligjeve që ia anuloi Allahu i madhëruar dhe se ai ka vazhduar ta respektojë të shtunën derisa e ngriti Allahu lart, por të krishterët pas tij në kohën e Kostandinit (mbreti i parë romak i krishterë) janë ata të cilët e ndërruan atë me të dielën për të kundërshtuar hebrenjtë, siç u drejtuan dhe nga lindja në lutjet e tyre në vend të shkëmbit (në xhaminë e Aksasë) dhe Allahu e di më së miri!”
Këtë realitet, të cilin e përcjellin citatet e Kuranit, të hadithit dhe librat e historisë, na konfirmojnë caktimin e një dite festë javore për besimtarët, siç edhe na tregojnë për rëndësinë e ditës së xhuma, të cilën nuk e patën fat ymetet e mëparshme për ta pasur festë dhe se atë fat e pati Muhamedi -alejhi selam- dhe pasuesit e tij deri në ditën e gjykimit.