Ndarja e kohës në javë

Allahu i madhëruar, sikurse është Krijuesi i botës materiale, po ashtu është dhe Krijuesi i kohës. Ai me krijimin e diellit ndau ditën nga nata dhe kështu u krijua koha, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Allahu është Ai, i cili krijoi natën dhe ditën, diellin dhe hënën; të gjitha këto lundrojnë në gjithësi”

Njësia më e vogël kryesore e matjes së kohës është dita dhe shtatë të këtilla përbëjnë një javë. Pastaj të tjerat janë përsëritje e tyre dhe nëpërmjet këtij cikli formohen muajt dhe vitet.
Grupimi i ditëve në javë ka lidhje me një realitet të vjetër historik, që është fillimi i krijimit të kësaj bote.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, për gjashtë ditë, pastaj është ngritur mbi fron”
Ky fakt përcjell tek ne përdorimin e parë të fjalës ditë dhe të fjalës javë, sepse java ka shtatë ditë, ku gjashtë ditë të saj janë ditët e krijimit dhe dita e shtatë është dita e lartësimit të Zotit të botëve mbi arsh.

Gjashtë ditët e krijimit janë: e diela, e hëna, e marta, e mërkura, e enjtja dhe xhumaja siç tregon Abdullah bin Selami -radiallahu anhu-: “Allahu e ka filluar krijimin e tokës dhe e krijoi atë në shtatë shtresa ditën e diel dhe të hënë. Pastaj ka caktuar riskun e saj ditën e martë dhe të mërkurë. Pastaj ka synuar qiellin, të cilin e krijoi në dy ditë dhe e mbaroi atë ditën e xhuma”3. Ndërsa ditën e shtatë që i bie dita e shtunë, nuk ka pasur në të krijim, por lartësimi i Allahut mbi arsh, siç shpjegon imam Taberiu -Allahu e mëshiroftë-

Sheijhu Islam ibn Tejmija -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë fakt thotë: “Çdo ymet që nuk ka pasur libër, nuk ka në fjalorin e tij fjalën “javë”. Ata në fjalorin e tyre kanë fjalët: ditë, muaj dhe vit, sepse ato kapen nëpërmjet shqisave dhe logjikës, prandaj dhe u kanë vënë atyre emra, sepse shprehjet pasojnë imagjinatën. Ndërsa, për sa i përket javës, ajo nuk është njohur veçse me anë të dëgjimit. Nuk e kemi ditur se Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj është lartësuar mbi arsh, veçse nëpërmjet lajmeve të profetëve, të cilëve u është kërkuar të mblidhen një ditë në javë për ta adhuruar Allahun dhe për të ruajtur me të javën e parë të krijimit, me të cilën Allahu i madhëruar ka filluar krijimin e kësaj bote”
Pra, java simbolizon krijimin e parë dhe në të është caktuar një ditë feste që të adhurohet Allahu përgjatë saj dhe të ruhet ndarja e kohës.