Allahu është i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim. Ai vepron gjithçka që dëshiron. Asnjë moment dhe asnjë kohë, nuk është e zbrazët nga veprimet dhe fjalët që dalin nga vullneti dhe dëshira e Tij, ashtu siç i shkon përshtat urtësisë së Allahut, të Cilit i atribuohet kjo cilësi (Urtësia) në çdo gjë që paracakton dhe gjykon. Kjo (Urtësi) është e dukshme edhe në dispozitat që ka ligjëruar për robërit e Tij.
Në momentin kur Urtësia e Tij e plotë, Dija gjithëpërfshirëse dhe Mëshira e gjerë kërkoi (një krijim të ri), Ai krijoi Ademin, babain e njerëzimit. Një krijesë të cilën Allahu e ka nderuar në mesin e shumë krijesave të tjera. Ai (Allahu), i njoftoi engjëjt duke u thënë: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”. (El Bekare, 30) Që do të trashëgojë krijesat që qenë më parë, krijesa të cilat nuk i di askush veç Allahut.
Ata (engjëjt) i thanë: “A do të vendosësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të.” (El Bekare 30)
Këto fjalë (engjëjt) i thanë në shenjë madhërimi dhe nderimi ndaj Allahut, për të kuptuar se mos do të krijohet një krijesë, e cila u ngjan në sjellje disa krijesave të mëhershme. Ose mundet që Allahu t’u ketë treguar për krijimin e Ademit dhe veprimet e pasardhësve të tij.
Por Ai (Allahu) u tha engjëjve: “Unë di atë që ju nuk e dini”. (El Bekare, 30)
Dija e Tij është gjithëpërfshirëse. Madje ajo përfshin të gjitha ato dobi të panumërta që rezultojnë në krijimin e kësaj krijese (njeriut). Ai i njoftoi për dijen e Tij të plotë dhe u kërkoi të njohin atributet e Tij, dijen e gjerë dhe urtësinë e cila aludon në faktin se, Ai nuk krijon asgjë kot së koti dhe nuk krijon asgjë pa urtësi.
Më pas u tregoi në mënyrë të detajuar, se atë (Ademin) e krijoi me Dorën e Tij, në shenjë nderimi dhe vlerësimi ndaj çdo krijese tjetër. Ai mori një grusht dhé nga të gjitha shtresat e tokës, pjesës së butë dhe të fortë, të mirës dhe të keqes, ku edhe pasardhësit e Ademit do të kishin të njëjtat veçori dhe karakteristika.
Fillimisht (Ademi) ishte dhé, pastaj mbi të hodhi ujë dhe u shndërrua në baltë. Kur uji mbi baltë qëndroi për një kohë të gjatë, balta ndryshoi ngjyrë duke u bërë e zezë dhe pa formë. Më pas (balta e zezë) u tha dhe pasi ia kishte dhënë formën, u bë si baltë e pjekur dhe e ngurtë, ku nëse e çukisje nxirrte tingull sikur godasim gurin. Në këto etapa ai (Ademi) ishte trup pa shpirt dhe kur u plotësua krijimi i trupit, Ai i fryu shpirtin dhe ky trup që ishte i ngurtë, u bë krijesë e gjallë, me eshtra, me mish, nerva, damarë dhe me shpirt. Kjo është zanafilla e njeriut, të cilin Allahu e pajisi me çdo njohuri dhe mirësi.
Më tej, ia plotësoi mirësinë (Ademit) duke i mësuar emrat e të gjitha sendeve dhe siç dihet, njohuritë e plota janë tregues për përsosmëri maksimale dhe vlera të larta morale.
Allahu deshi që engjëjt ta shihnin përsosmërinë e kësaj krijese, kështu që sendet ua paraqiti engjëjve duke u thënë: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (El Bekare, 31)
Fjalët tuaja të para nënkuptonin se mos-krijimi i njeriut është më parësor, mendim i cili ishte momental dhe ashtu iu duk atyre (engjëjve) se do ishte më e mira. Megjithatë, ata e patën të pamundur të dinë emrat e sendeve që iu paraqitën dhe thanë: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (El Bekare, 32)
Allahu i Lartësuar tha: “O Adem, – tha Ai – tregojua atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre…” (El Bekare, 33)
Engjëjt e dëshmuan përsosmërinë dhe njohuritë e kësaj krijese dhe gjëra të tjera që nuk i prisnin. U njohën me të në formë të detajuar; dëshmuan gjithashtu urtësinë e plotë të Allahut dhe e nderuan Ademin në maksimum. Allahu deshi ta shfaqte nderimin dhe respektin e engjëve ndaj Ademit si në dukje ashtu edhe në fshehtësi e brendësi, duke u thënë atyre: “Përuluni në sexhde para Ademit” (El Bekare, 34)
Përuluni në shenjë respekti dhe nderimi, si dhe në shenjë adhurimi, bindjeje, dashurie dhe nënshrimi ndaj Zotit tuaj.
Të gjithë u përulën në sexhde me nxitim, ndërkohë që Iblisi ishte mes tyre dhe urdhri për t’u përulur ishte për të gjithë, përfshirë edhe atë bashkë me engjëjt, edhe pse nuk ishte prej llojit të tyre (engjëjve), por ishte prej xhindëve, i krijuar nga zjarri pa tym. Ai e mbante fshehur mohimin ndaj Allahut dhe smirën që kishte për këtë njeri, të cilin Allahu e kishte dalluar me këtë nder që po i bëhej.
Mendjemadhësia dhe mohimi e shtynë (Iblisin) që të mos përulej para Ademit, duke shfaqur hapur tani mosbesimin e tij ndaj Allahut në njërën anë dhe duke treguar mendjemadhësi në anën tjetër.
Ai nuk u mjaftua me kundërshtimin ndaj urdhrit të Zotit, por shkoi më tej duke e konsideruar të padrejtë urtësinë e Allahut në lidhje me njeriun, e për këtë tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.” (A’rafë, 12)
Allahu i tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?” (Sad, 75)
Ky mohim, kjo mendjemadhësi, ky refuzim dhe kjo armiqësi e madhe e shfaqur prej tij, qenë arsyet që ai (Iblisi) të përjashtohej nga mëshira e Allahut e të konsiderohej i mallkuar.
Allahu i Lartësuar i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve”. (Arafë, 13)
I poshtri, nuk iu nënshtrua Zotit dhe as që u pendua tek Ai, por përkundrazi u kthye me arrogancë dhe u tregua kokëfortë në armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij. Ai u betua – sidomos kur pa se i ishte hequr vijë e kuqe nga ana e Allahut deri në përjetësi- që t’i ftojë drejt vetes pasardhësit e Ademit, me fjalë, me vepra dhe me ushtrinë e tij, derisa të bëhen palë me të, e të meritojnë kështu vendin e përgatitur për ta – zjarrin e Xhehenemit.
Ai (Iblisi) tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!” (Sad, 79) Me qëllim që të ketë kohë për t’u angazhuar maksimalisht në armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij.
Meqenëse urtësia e Zotit ishte që njeriu të ketë përbërje dhe natyra të ndryshme, pra morale të mira dhe vese të liga, duhej patjetër të dalloheshin (këto morale) duke u vënë njeriu në provë dhe duke u sprovuar. E siç dihet sprova më e madhe do të ishte përballja me këtë armik (Iblisin), i cili do t’i ftonte njerëzit në çdo të keqe.
Allahu i Lartësuar iu përgjigj duke i thënë: “Zoti tha: ‘Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)’”. (Sad 80-81)
Duke e shprehur kundërshtinë ndaj Allahut dhe armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij, Iblisi tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (A’rafë 16-17)
Ai u shpreh në këtë mënyrë, bazuar te parashikimi dhe hamendësimi i tij, sepse e dinte natyrën e krijmit të njeriut: “Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë.” (Sebe 20)
Allahu ia mundësoi Iblisit atë që kërkonte tek Ademi dhe pasardhësit e tij. “(Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Merr pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra 63-64)
Që do të thotë: Nëse mundesh, devijoji nga edukimi i dobishëm i fëmijeve drejt edukimit të dëmshëm të tyre. Edhe pasuritë, bëji që t’i fitojnë e t’i shpenzojnë në forma e mënyra të dëmshme. Gjithashtu, merr pjesë edhe ti kur hanë, pinë apo martohen nëse nuk e përmendin emrin e Allahut përgjatë këtyre veprimeve. Gjithashtu, merr pjesë në pasurinë dhe fëmijët e tyre. “Dhe Jepu premtime”, pra urdhëroji që të përgënjeshtrojnë Ringjalljen dhe Gjykimin e të mos përparojnë drejt të mirës. Bëji që t’i frikësohen pasuesve të tu dhe futi frikën atëherë kur duhet të kontribuojnë në gjëra të dobishme, si dhe nxiti për (vepra) të ndyta dhe kopraci. Ky qe vendimi i Allahut, për shkak të shumë urtësive (që do të njihemi me to më pas).
Ndërsa ti, o armik i hapur (i drejtohet Allahu shejtanit)! Nuk do të kesh mundësi gjithmonë t’i devijosh ata. I keqi, ka për ta shfaqur të keqen e tij dhe do të njihet. Ndërsa Allahu nuk ka për ta përfillur e as që ka për t’u marrë me të.
Ndërsa njerëzit e zgjedhur si: profetët dhe pasuesit e tyre; të sinqertët, të drejtët dhe të dalluarit, njerëzit e dashur (evlijatë) tek Zoti dhe besimtarët: Këtyre, Allahu nuk lejon që t’i mposht Iblisi.
Përkundrazi, atyre u ngriti një fortifikatë të papërshkueshme, e ajo është mbrojtja dhe ndihma e Tij. Ai i furnzoi me armë, të cilave nuk mund t’u bëjë ballë armiku, e këto armë janë: besimi i plotë në Allahun dhe fuqia e mbështetjes tek Ai. “Sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.” (Nahl 99)
Për më tepër, Ai i ndihmoi (besimtarët) që t’i bëjnë ballë këtij armiku nëpërmjet disa mënyrave:Solli tek ata librat e Tij, që përmbajnë njohuri të dobishme dhe këshilla ndikuese, të cilat nxisin për vepra të mira dhe qortojnë e ndalojnë nga veprat e këqija.
Dërgoi në mesin e tyre pejgamberë, për t’i përgëzuar me shpërblime të menjëhershme ata që besojnë dhe i binden Allahut, si dhe për të qenë qortues ndaj mohuesve, përgënjështruesve dhe atyre që u kthejnë kurrizin (argumenteve) të Allahut, për dënimet e ndryshme dhe të lloj-llojshme që i presin. Atyre që ndjekin udhëzimin e Tij, përmes librave që solli dhe pejgamberëve që dërgoi, u siguroi se, nuk kanë për të qenë prej të humburve në këtë botë dhe nuk kanë pse të shqetësohen e të merakosen për fatin e tyre në botën tjetër. Të tillët nuk do të kenë frikë dhe as që do të pikëllohen.
Nëpërmjet librave që shpalli dhe nëpërmjet fjalëve të pejgamberëve, Allahu i udhëzoi drejt gjërave, të cilat mund t’i mbrojnë nga ky armik i përbetuar. Ai (Allahu) ua sqaroi se për çfarë fton ky djall dhe çfarë mënyrash dhe formash përdor për t’i peshkuar dhe gjuajtur njerëzit. Jo vetëm që ua sqaroi, por u tregoi edhe rrugën me të cilënshpëtojnëngaekeqjadhesprovatetij. Allahuindihmoi në bazë të një paracaktimi të tij, i cili tejkaloi dhe sfidoi çdo mundësi të tyre. Në momentin kur u përpoqën dhe dhanë kontributin e tyre dhe më pas kërkuan ndihmën e të Adhuruarit (Allahut), Ai ua lehtësoi të gjitha rrugët që shpien drejt qëllimit të synuar.
Allahu i Lartësuar e plotësoi edhe më tej mirësinë ndaj Ademit, duke krijuar enkas për të bashkëshorten e tij, Havanë, që do të ishte prej llojit të tij dhe në formën e tij. E gjithë kjo, që të gjente prehje (tek ajo), të plotësoheshin qëllimet e ndryshme të martesës dhe intimitetit, prej të cilave do të mundësohej ardhja e pasardhësve të tyre.
Ai (Allahu) i tha Ademit dhe bashkëshortes së tij: Vërtet shejtani është armiku juaj, prandaj kini shumë kujdes prej tij, që të mos u nxjerrë nga xheneti ku u vendosi Allahu (të qëndroni).
Ai u lejoi që të ushqeheni me frutat e xhenetit dhe të shijoni të gjitha kënaqësitë e ofruara, me përjashtim të nje peme të caktuar, që gjendet në xhenet, të cilën ua ndaloi duke u thënë: “Mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës (të padrejtë)!” (Arafë 19)
Allahu i Lartësuar duke i treguar Ademit se si mund t’i gëzojë kënaqësitë e xhenetit, i thotë: Këtu nuk do të mbetesh kurrë i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh etje e as vapë.” (Taha, 119)
Ata të dy qëndruan në xhenet aq sa deshi Allahu, ndërsa armiku (iblisi) i përgjonte, u rrinte në pritë dhe priste rastin e volitshëm. Kur e pa gëzimin e Ademit në xhenet dhe dëshirën e tij të zjarrtë për të qëndruar aty përgjithmonë, iu afrua në një mënyrë tinzare, në formën e një shoku këshillues dhe i tha: “O Adem! A të të tregoj për një pemë, që nëse ushqehesh prej saj do të jetosh përjetë në këtë xhenet dhe mbretërimi yt nuk do të ketë fund kurrë?”
Ai (Iblisi) nuk i ndërpreu cytjet e tij, me fjalë të bukura e me premtime boshe; me këshilla të hapura, që në fakt ishin mashtrimi më i madh, derisa ia arriti e ranë pre e mashtrimit të tij dhe filluan të hanin nga frutat e pemës, të cilën Allahu ua kishte ndaluar dhe i kishte privuar prej saj. Kur hëngrën prej saj, filluan t’u zbuloheshin pjesët e turpshme të trupit, edhe pse i kishin mbuluar më parë, pastaj nxituan të mbulojnë trupin e tyre me gjethet e xhenetit. Pra i ngjisnin gjethet në trupin e tyre të zhveshur, pasi rrobat u ranë para syve dhe në moment u shfaq dënimi i mosbindjes së tyre. “Zoti i tyre i thirri: ‘A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapur?’” (A’rafë, 22)
Allahu i Lartësuar, instaloi në zemrat e të dyve (Ademit dhe Havasë) pendimin e plotë dhe kthimin e sinqertë tek Ai: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.” (El Bekare, 37)
“Ata thanë: ‘O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit’”. (A’rafë, 23)
Allahu ua pranoi pendimin, ua fshiu mëkatin që bënë, por çështja për të cilën i paralajmëroi që të kenë kujdes (pema e ndaluar), e cila do t’i nxirrte prej atij xheneti, ishte vendosur dhe kishte marr fund. Kështu u larguan prej aty drejt tokës, aty ku ishte përzier e mira me të keqen, gëzimi me pikëllimin dhe lodhjen.
Allahu u tregoi se ka për t’i sprovuar patjetër ata dhe pasardhësit e tyre. Ai që beson dhe bën vepra të mira, përfundimi (vendi) i tij do jetë më i mirë se ai ku jetuan (ishin) më parë. Ndërsa ai që përgënjështron dhe zbrapset nga besimi, përfundimi i tij do jetë mjerimi i përhershëm dhe dënimi përjetë.
Allahu i Lartësuar ua tërhoqi vërejtjen pasardhësve të Ademit nga ky armik duke u thënë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu siç i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’iu dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (A’rafë 27)
Rrobën, që shejtani e hoqi nga dy prindërit tanë (në xhenet) e zëvendësoi me një rrobë tjetër që mbulon lakuriqësinë dhe përmes saj mund të arrihet bukuria e jashtme në këtë botë. Gjithashtu i pajisi me një rrobë tjetër më të vlefshme, atë të devotshmërisë. Ajo është rroba e zemrës dhe e shpirtit, besimit, siqeritetit, pendimit dhe zbukurimit me çdo moral të mirë dhe distancimit nga çdo ves i keq dhe i ulët.
Më pas, nga Ademi dhe bashkëshortja e tij, Allahu krijoi shumë meshkuj e femra, i shpërndau nëpër tokë dhe i la të trashëgojnë njëri-tjetrin për t’i parë se si do të veprojnë.
Mësime të dobishme nga historia e Ademit (alejhis selam)
1- Këtë ngjarje madhështore, Allahu e ka përmendur në shumë vende në Kur’anin famëlartë, qartazi, pa asnjë fije dyshimi. Kjo ngjarje, konsiderohet prej historive më të mëdha, për vërtetësinë e së cilës kanë rënë dakord të gjithë pejgamberët; kanë folur për të, të gjithë librat qiellorë dhe e kanë besuar të gjithë ndjekësit e profetëve, që nga kohët e mëparshme e deri në kohët e vona. Por në kohët e sotme, mbiu një grup keqdashës dhe i shthurur, që mohuan çdo gjë që sollën profetët, mohuan Krijuesin dhe nuk pranuan veçse njohuritë dhe faktet shkencore, tek të cilat kanë arritur mendjet e tyre të mangëta e të cekëta!
Bazuar mbi këto ideologji (që beson ky grup), që janë larg të vërtetës, qoftë sipas legjislacionit fetar apo atij logjik, ata mohojnë (ekzistencën) Ademin dhe Havanë, gjithashtu edhe atë që ka përmendur Allahu dhe i Dërguari i Tij në lidhje me Ademin dhe Havanë.
Ata pretenduan se njeriu në zanafillë ka qenë kafshë dhe pikërisht majmun, ose diçka e ngjashme me majmunin dhe evuloi (kohë pas kohe) derisa erdhi në gjendjen që e shohim sot! Ata u mashtruan pas ideologjive të gabuara të ndërtuara mbi supozime dhe logjikë të prishur dhe për hir të këtyre ideologjive braktisën çdo lloj informacioni të saktë, veçanërisht ato (njohuri) që sollën pejgamberët. Allahu e vërtetoi fjalën e Vet kundër tyre kur tha: “Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.” (Gafir 83)
Ky grupacion është i njohur për të gjithë ata që e pohojnë ekzistencën e Zotit dhe e dinë fare mirë se ata janë grupi më i humbur. Por fatkeqësisht, tek disa muslimanë depërtuan disa gjurmë të këtij grupi sekularist, si dhe disa degëzime të ndërtuara mbi teoritë e tyre. Kjo i shtyu disa bashkëkohas që ta komentonin përuljen e engjëjve ndaj Ademit me këto fjalë: “Kjo botë është në shërbim të njerëzve, madje çdo gjë në tokë dhe nën tokë, Allahu e ka vënë në dispozicion të njeriut dhe pikërisht ky është kuptimi i përuljes së engjëjve (ndaj Ademit)”!!
Cilido që e beson Allahun dhe botën tjetër, është i sigurt se këto mendime janë të importuara nga këto ideologji të prishura, madje mund të konsiderohen tjetërsim i Librit të Allahut, njësoj me tjetërsimin që i bëjnë (Librit të Allahut) Karamitët dhe Batinijet.
Nëse kjo ngjarje (përulja e engjëjve para Ademit) do të trajtohet e do të merret në konsideratë sipas këtij lloj tjetërsimi, atëherë edhe ndodhitë e tjera të Kur’anit do të pësonin të njëjtën gjë. Ndërsa Kur’ani, që është sqarim për çdo gjë, udhëzim dhe mëshirë për të gjithë, do të kthehej në libër, ku çdo armik i Islamit mund ta komentojë si të dojë, vetëm e vetëm për ta rrëzuar Kur’anin dhe për ta shndërruar udhëzimin e tij (Kur’anit) në humbje dhe mëshirën që ai përçon në fatkeqësi. Larg të metave është Zoti ynë, vërtetë kjo është një shpifje e madhe.
Për ta rrëzuar këtë pretendim të prishur, besimtarit i mjafton të lexojë atë që përmend Allahu në historinë e Ademit dhe përuljes së engjëjve, ku kupton qartazi se pretendimi i lartpërmendur bie ndesh plotësisht me atë që ka për qëllim Allahu dhe Profeti i Tij. Edhe pse ndjekësit e këtyre ideologjive, i zbukurojnë dhe i ngjyrosin fjalët e tyre duke ua dedikuar edhe atyre që mendohen të jenë njerëz të mirë. Por besimtari nuk e braktis imanin (besimin); nuk e lë Librin e Zotit të tij për shkak të disa promovimeve mashtruese që vijnë nga njerëz të mashtruar me vetet e tyre.
2- Nga kjo ngjarje mësojmë vlerën e dijes, pasi engjëjve kur iu bë e qartë pozita e Ademit me anë të dijes, pranuan përsosmërinë në krijimin e tij dhe se ai meritonte të gjitha nderimet dhe respektet.
3- Atij që Allahu i jep mirësinë e dijes, duhet ta pohojë këtë mirësi që Allahu ia ka dhuruar dhe të shprehë mirënjohje ashtu siç bënë engjëjt dhe profetët: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (Bekare 32)
Të ketë shumë kujdes nga e folura rreth gjërave që nuk i di, sepse dija është prej mirësive më të mëdha dhe mirënjohja ndaj kësaj mirësie bëhet duke e falënderuar dhe lavdëruar Allahun për të, duke e përvetësuar (për vete) dhe duke ua përcjell njerëzve të paditur. Të mos i tejkalojë kufijtë duke folur për gjëra që s’i di, por të heshtë.
4- Allahu i Lartësuar e bëri këtë ngjarje mësim për ne, për të na treguar se, zilia, mendjemadhësia dhe lakmia, janë veset më të rrezikshme për njeriun. Mendjemadhësia e Iblisit dhe zilia e tij ndaj Ademit, e çuan atë deri aty ku e pamë se në ç’gjendje përfundoi.
Ndërsa lakmia e Ademit dhe bashkshortes së tij, i shtyu të provonin pemën. Nëse nuk do t’i përfshinte mëshira e Allahut, do kishin përfunduar në shkatërrim, mirëpo mëshira e Allahut e plotëson mangësinë, e përmirëson atë që thyhet, e shpëton të mbyturin dhe e lartëson atë që ka rënë poshtë.
5- Njeriu, kur bie në mëkat, duhet të nxitojë drejt pendimit dhe pranimit të mëkatit që ka bërë dhe të shprehet sinqerisht nga zemra, ashtu siç u shprehën prindërit (Ademi dhe Havaja) me zemër të sinqertë dhe pendim të vërtetë. Rastin e pendimit të tyre, Allahu nuk na e tregoi për gjë tjetër, veçse për t’i marrë si shembull, në mënyrë që të arrijmë lumturinë e të shpëtojmë nga shkatërrimi.
Ai (Allahu), nuk na i rrëfeu fjalët e shejtanit dhe kërcënimin e tij (ndaj nesh), veçse për të na treguar vendosmërinë e këtij armiku për të na devijuar në çdo mënyrë. Na lajmëroi që të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë këtij armiku, i cili e ka shfaqur haptazi armiqësinë e tij të tejskajshme dhe të hershme. Allahu kërkon prej nesh që të përballemi me të (shejtanin) me çfarë të mundemi, t’i largohemi rrugës dhe hapave të tij, apo çdo devijimi që na shpie drejt rrjetës së tij. Ai kërkon nga ne që të mbrohemi, nëpërmjet duave (lutjeve) të sakta, dhikrit të zemrës apo duave mbrojtëse. Të pajisemi me armë të cilat e shkatërrojnë atë (shejtanin), si p.sh: iman të sinqertë, mbështetje të fortë tek Allahu, vazhdimësi në vepra të mira, përballimi i cytjeve dhe mendimeve të këqija të shejtanit, të cilat cënojnë çdo zemër dhe kërkojnë ta distancojnë prej dijeve të dobishme dhe fakteve të vërteta e të pakontestueshme.
6- Në këtë ndodhi ka argumente për metodologjinë që ndjek Ehli Suneti dhe Xhemati, të cilët pohojnë për Allahun, atë që Vetë Ai ka pohuar për Veten e Tij, emrat dhe atributet e Tij të larta, sepse s’ka dallim mes atributeve të qenies së Tij dhe atributeve të veprimeve të Tij.
7- Në këtë ngjarje vërtetohet ekzistenca e dy duarve të Allahut, siç përmendet qartazi në ajet: “Atë që e kam krijuar me dy duart e mia.” Ai (Allahu) ka dy duar reale dhe ashtu sikurse Qenia e Tij nuk u ngjason krijesave, ashtu edhe sifatet (cilësitë) e Tij nuk ngjasojnë me sifatet e krijesave.
Autori: Abdurrahman Bin Nasir Es Seadi