Dhikri është jetë për zemrën

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Atë, është sikurse shembulli/dallimi mes të gjallit dhe të vdekurit.” Në një tjetër transmetim të këtij hadithi thotë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë në të cilën nuk përmendet Ai, është sikurse shembulli/dallimi mes të gjallit dhe të vdekurit.” Pra, personi që e përmend Allahun është i gjallë, shtëpitë në të cilat përmendet Ai janë shtëpi të të gjallëve.

Nëse njeriu nuk e përmend Allahun, zemra e tij dobësohet, e dikur vdes. Dhe thotë në një hadith tjetër: “Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza” kuptimi është: përmendeni Allahun sa më shumë në to, falni namaz, lexoni Kuran, ngase shtëpitë në të cilat nuk lexohet Fjala e Allahut, ku nuk përmendet Ai, nuk lavdërohet e falënderohet Ai dhe nuk falet shpesh namaz, janë sikurse shtëpitë e të vdekurve, varrezat.

Në një hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka nxitur të falim sa më shumë namaz vullnetar në shtëpi. Pse kështu? Në mënyrë që shtëpitë të mos shndërrohen në varreza. E si është gjendja kur në një shtëpi dëgjohen vetëm fjalë të cilat i nxit shejtani (si: muzika, e kota), apo në të cilat fare nuk përmendet Allahu?!

Është obligim që shtëpitë e besimtarëve të jenë të mbushura me përmendjen e Allahut dhe të veprohen veprat e tjera të mira. Përmendja e Allahut është jetë e vërtetë për zemrën dhe ushqim për shpirtin. Ibn Tejmije thotë: “Dhikri për zemrën është sikurse uji për peshkun.

Si është gjendja e tij kur largohet prej ujit?!” Nuk ka mundësi që njeriu të ketë jetë në zemrën dhe shpirtin e tij përveçse me përmendjen e Allahut. Në të kundërtën, zemra e tij ngurtësohet, errësohet e mbushet me të këqija. Kur e përmend Atë, zemra e tij ngjallet, përmirësohet dhe i shtohet e mira, me ç’rast bereqeti dhe dobia që pastaj dalin prej saj janë gjithëpërfshirëse.