Shlyerja e zënkave dy rekat namaz!
Njerëzit debatojnë kanë zënka me njëri-tjetrin, dhe normalisht kur ndodh kjo në përgjithësi nuk i qëndrojnë ashtu si duhet problemit. Dikush mbron egon e tij, dikë e mbyt mëndjemadhësia, dikush do që ta përçmojë tjetrin pavarësisht se e di që vetë është në të kotën dhe ai është në të drejtën po thjesht do ta injorojë dhe përçmojë.
Kur ka zënka ka dhe shpifje, ka dhe gënjeshtra etj.
Tha profeti Muhamed (paqja Zotit qoftë mbi të): “Shlyerja e gabimeve që bëhen gjatë një zënke, është falja e dy rekatëve namaz.”
Ka një urtësi të madhe në këtë mesele.
Të orienton ty që ta braktisësh zënkën. Sepse në momentin që ti futesh në zënkë, në momentin që fillon debatin dhe në momentin që nxehet situata, ti kujton hadithin që thotë dy rekat. Në atë moment shkëputesh, mer abdes dhe fal dy rekat. Në ato momente zënka, gjaknxehtësia dhe debati fillojnë të shuhen.
Njeriu në zënkë e sipër është i ndikuar nga emocioni, është i ndikuar nga egoja, shejtani bën punë e vet, dhe kur shuhet situata njeriu pendohet për atë që ka vepruar. Pejgamberi (paqja Zotit qoftë mbi të) thotë: “E shlyen mëkatin e bërë gjatë një zënke, falja e dy rekatëve namaz.”
Nga komentet interesante që kanë dhënë dijetarët, kanë thënë se njeriu kur e fal atë dy rekatëshin, i jep një mundësi vetes për të reflektuar dhe për ti kuptuar gjërat më mirë, për tu penduar mes tij dhe Zotit dhe për ti kërkuar hallallikun tjetrit që mund ti ketë hyrë në hak. Abdesi largon shejtanin, falja e namazit, rënia në sexhde, qetësia dhe kthjelltësia e mëndjes. Të gjitha këto ndikojnë që njeriu të reflektojë dhe në raportet e tij me Zotin po edhe të reflektojë në raportet e tij me njerëzit.
Për këtë arsye ki parasysh këtë këshillë profetike. Sa herë që ka debat dhe sa herë që ka diçka, mer abdes dhe fal dy rekat namaz me shpresën që Zoti të fali për atë që ke bërë gjatë momentit të nxehjes apo gjatë momentit të zënkës.
Dr. Imam Ahmed Kalaja
Kliko këtu për të parë videon