Mëngjes Tiranë!

Mëngjes Tiranë.
Diku andej nga ish-Blloku. Dy policë bashkiakë duke vënë gjobat me një zell që si duket i ngroh në këtë të ftohtë. Një gjobë, dy gjoba… pesë… kësaj jo dhe mblidhen kokë më kokë për të lexuar karten me foto e një qafore që i zoti makinës ka lënë mbi kroskot. Shtatë gjoba… tetë… dhe më shumë se ligji, mllefi ndëshkon parkimtarët që kur të shohin gjobat, do shfryjnë ndaj dikujt që i sheh, ose në market ose do vrasin gratë tek shpia. Jo, jo s’e nuk është “bash qashtu”. Një ekran i madh lokali të tregon luksin në të cilin jetojnë shqiptarët, ndërsa ty të duket vetja “qyqar” se nuk e ke kapur ritmin. Ti vlen aq sa pare ke. Në fakt, atë ritëm s’e kanë kapur shumica e popullsisë, por unë e ti jemi statistika, këto të fundit i bëjnë institucionet. Pastaj, nëse unë kam ngrënë dy pula dhe ti nuk ke ngrenë asnjë, statistikisht une e ti kemi ngrënë nga një pulë. Pra, në statistika je me bark plot, o barktharë!

Kafja, edhe pse është rritur në çmim, duket e shpëlarë si kafe t’shtatash dikur. Faqet e internetit të ofrojnë pafund ngjarje. Ku vriten, ku priten, ku huri e ku litari. Një fëmijë dhunohet, përdhunohet, vritet, një tjetër… një grua u hodh. Fati s’mban me hatër fukaratë. Kjo është e zeza, por më poshtë e lezeton kronika rozë. Një mijë e një netë e shekullit 21. As shkronjat romake për emërtimin e shekullit nuk duhen se cenojnë shkëlqimin planetar të shoqërisë, e cila përditë e më shumë humb ndjeshmëri. Një tufë “robsh Zoti” qajnë e … qeshin në një hale mes llampave led dhe një tellall që tregon në detaje sa i/e poshtër është njëri a tjetri aty. D-ja lë P-në dhe shkon me B-në. Fundi botës. Jo, jo se s’është “bash qashtu”. Kalon tek faqja, “Ju ruajtë i madhi Zot” dhe sheh ca jetimë, hallexhinj, qamet që zgjidhja e hallit në media do jetë vula e turpit, viktimës që do i përndjekë gjithë jetën. Lotët e kthyera në biznes, me moton: “Qaj o jetim, të pasurohemi ne !” Kur i shikon këto, thua: Allah, s’qenka vërtet bash qashtu, qenka më keq!

Mesazhi në telefon:”parkimi për makinën me targë, përfundon pas 10 minutash…” të kujton që ti nuk ke lënë ndonjë “kartë shefi” mbi kroskot dhe duhet të ngrihesh. Bismilah!

Hoxhë Ilir Curri.