Shejkh AbduRrezak el Bedër fillon duke thënë: Nuk ka dyshim se përmendja e Allahut dhe lutja kushtuar Atij, është gjëja më e vlefshme, më e mirë, me të cilën njeriu e kalon kohën, me të cilën e shpenzon frymëmarrjen dhe me të cilën afrohet te Zoti i tij.
Andaj, janë çelësi që ia hapin atij çdo mirësi në të dy botët. Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Kur Allahu ia jep njeriut këtë çelës, ka dëshiruar t’ia hapë dhe japë të gjitha mirësitë.” Kur njeriu i kushton kujdes të madh përmendjes së Allahut, lutjes ndaj Tij dhe vazhdimisht kthehet e kërkon strehë tek Ai, atëherë do të gjejë qetësi e prehje me përmendjen e Tij.
Allahu thotë: “…zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen.” Rad 28.
Allahu, në ajetet kuranore, na urdhëron shumë herë që ta përmendim Atë, na inkurajon dhe na nxit në këtë, i lavdëron ata që e përmendin Atë dhe tregon se ka përgatitur shpërblime të mëdha për ta. Thotë Allahu: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ahzab 41; “…për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë…” Ali Imran 191; “..përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” Ahzab 35.
Në këto ajete dhe në të tjera, Allahu na urdhëron ta përmendim Atë, e arsyeja është sepse njeriu ka nevojë të madhe për përmendjen e Allahut, çdo herë. Për ato çaste në të cilat nuk e ke përmendur Allahun sa ke qenë në këtë botë, do të pikëllohesh në botën tjetër që të kanë ikur pa e përmendur Atë.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kanë paraprirë në vepra të mira ata që janë muferriduun.” E kanë pyetur se kush janë ata që i quan muferriduun dhe ka thënë: “Ata burra dhe ato gra që e përmendin Allahun shumë.” Muslimi.
Po ashtu thotë: “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend Atë, është sikur shembulli mes të gjallit dhe të vdekurit.” Buhariu. Hadithet janë të shumta.