HISTORIA E KURANIT – SHPALLJA HYJNORE

1- Termi Kur’ân
Kurani është Fjala e Zotit e transmetuar Profetit të fundit Muhamed (a.s.), me ndërmjetësinë e engjëllit Xhebrail (Gabriel) me kuptim dhe me fjalë të përcaktuara mirë. Kjo Fjalë na është transmetuar nga persona të shumtë, qoftë gojarisht, qoftë dhe me shkrim (teuâtur), çka e bën atë (Kuranin) autentik në mënyrë të padiskutueshme. Në këtë kuptim, Kurani konsiderohet fare i paimitueshëm, unik dhe i mbrojtur prej tjetërsimeve nga vetë Zoti.

Fjala arabe Kur’ân rrjedh nga rrënja verbale kara’a, dhe ka kuptimin lexim ose recitim. Ashtu si është përdorur në Kuran, ky term i referohet Shpalljes Hyjnore në kuptimin e gjerë të fjalës dhe nuk i ngushtohet aspak kuptimi në nocionin e shkruar dhe as në Librin, ashtu si e njohim ne sot. Shpallja Hyjnore që i është transmetuar Profetit Muhamed (a.s.) është përcaktuar në Kuran, sa me anë të termit Kur’ân (recitim), aq dhe me anë termash të tjera, të cilat janë: Furkán (dallues) (25/1); Tenzíl (zbritje nga lart) (26/192); Dhikr (përmendje me emër, këshillë, kumt) (15/9); Kitâb (libër) (21/10); dhe akoma, Nûr (dritë); Hudâ (udhërrëfyes), Rahmah (mëshirë), Beshîr (njoftues, paralajmërues) etj. S’do mend se secili nga
këta terma pasqyron njërin nga aspektet e fjalës së shpallur të Zotit.

Fjala El Kur’án është shpallja që i është zbritur Profetit Muhamed (a.s.) dhe vetëm atij, ndërsa shpalljet që u janë dërguar profetëve të tjerë mbajnë emra të tjerë, si suhuf (rulat prej pergameni dërguar profetit Ibrahim), Zebûr (Psalmet e profetit Daut), Teurát (Libri i shenjtë i dërguar profetit Musa), si dhe Inxhîl (Ungjilli i dërguar profetit Isa).

Përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi