Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet.” Akhaf 15.
Nga Abdullah bin Me’udi përcillet të ketë thënë: “E pyeta Pejgamberin: Cila vepër është më e dashura tek Allahu?” Ai u përgjigj: “Namazi në kohën e tij.” E pyeta “Pastaj cila? Tha: “Mirësjellja ndaj prindërve.”
Nga Abdullah bin Omeri përcillet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit, ndërsa hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindit.”
Shpjegimi
Imam Buhariu (rahimehullah),1 kapitullin2 rreth mirësjelljes ndaj prindërve, e hap me temën “Rreth Fjalës së Allahut: Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet.”Akhaf 15.
Kjo për të na treguar se ata të cilët më së shumti e meritojnë mirësjelljen tonë janë prindërit dhe se çështja e prindërve është shumë madhore.
Në këtë ajet, Allahu pas përmendjes së teuhidit (njësimit të Allahut me adhurim), nuk e ka përmendur as namazin, as zekatin, as agjërimin, as lëmoshën, por ka përmendur mirësjelljen ndaj prindërve.
Kjo për të treguar rëndësinë e kësaj çështjeje. Teuhidi është gjëja më madhështore, për realizimin të cilit Allahu na ka krijuar, dhe menjëherë pas kësaj ka përmendur mirësjelljen ndaj prindërve, për të na treguar se edhe kjo e dyta është diçka madhore.
Mirësjellja ndaj prindit është urdhër prej Allahut. Ai thotë: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet”.
Sjellja dhe edukata ndaj prindit duhet të jetë e veçantë. Por edhe fjalët, mënyra e të folurit dhe e të biseduarit me ta duhet të jetë e veçantë. Kur bisedohet me prindin, duhet që fjalët të jenë të buta dhe të tregohet mëshirë në fjalë.
Prindi duhet të veçohet me mirësjellje. Përveç kësaj, pjesë e kësaj mirësjelljeje është fjala e mirë ndaj tyre. Allahu nuk e ka bërë radhitjen: së pari bamirësi ndaj të tjerëve e pastaj ndaj prindërve, apo bamirësi ndaj të tjerëve e ndaj prindërve jo.
Nëse e ke përmirësuar nijetin e sinqertë dhe ke vendosur të pajisesh me mirësjelljen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem e të braktisësh sjelljet e injorancës të cilat nuk i përkasin fesë Islame, atëherë fillo së pari nga prindërit, ngase kështu Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë radhitjen.
Çështja e sjelljes me prindërit është e rëndësisë shumë të lartë. Kanë ardhur tekste kërcënuese për këtë, e gjithashtu dhe tekste premtuese. Pjesë e moralit- e morali i mirë është shkak që njeriu të ketë pozitën më të afërt me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në Ditën e Gjykimit-, është edhe mirësjellja ndaj prindërve.
Pastaj autori sjellë një hadith të përcjellë prej Abdullah ibn Mesudit radijAllahu anhu i cili ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “Cila vepër është më e dashura tek Allahu?” Kjo na tregon edukatën e selefit, në kërkimin e dijes, se si janë interesuar për gjëra madhështore, konkrete e me vlerë të lartë.
Kjo është një pyetje gjithëpërfshirëse. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i përgjigjet: “Namazi në kohën e vet.” Gjëja e parë që përmendi ishte namazi në kohën e vet (të përcaktuar), duke na përkujtuar që të jemi të kujdesshëm e të përpiktë në çështjen e namazit.
E pyet: “Pastaj cila?” Ai i thotë:“ Mirësjellja ndaj prindërve.” Në përgjigjen e parë përmendi namazin në kohën e vet, pastaj në përgjigjen e dytë përmendi mirësjelljen ndaj prindërve, pra menjëherë pas detyrës ndaj Allahut pason detyra ndaj prindërve.
Pastaj autori sjellë një hadith tjetër përcjellë nga Abdullah ibn Umeri radijAllahu anhu i cili ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit, hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindit.”
Ky është hadith inkurajues dhe kërcënues. Nëse prindërit e tu janë të kënaqur me ty, Allahu është i kënaqur me ty. Fitimi i Kënaqësisë së Allahut është gradë e virtyt i lartë. Nëse njeriu bëhet shkaktar për hidhërimin e prindërve, mos ta largojë nga mendja se mbi të mundë të jetë hidhërimi i Allahut.
E kur e fiton hidhërimin e Allahut, atij i shkatërrohet kjo jetë dhe tjetra. Ne si besimtarë, robër të Allahut, duhet të përpiqemi ta fitojmë Kënaqësinë e Allahut, e cila arrihet përmes veprave, e një prej veprave është dhe kënaqja e prindit. Andaj, duhet përpjekje e mund për të fituar këtë shpërblim prej Allahut. E lumë për atë i cili e fiton Kënaqësinë e Allahut!
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar veprat me të cilat arrihet Kënaqësia e Allahut, ky shpërblim i madh, dhe na ka tërhequr vërejtjen nga ato gjëra të cilat sjellin hidhërimin e Allahut, e prej tyre është mosrespektimi i prindërve apo të hidhëruarit e tyre.
Thyerja e urdhrave të prindit (kur nuk vien ndesh me urdhrat e Allahut) shkakton hidhërimin e prindit, e gjithashtu mosmirësjellja, mosedukata, fyerja etj. Sidomos atëherë kur janë të moshuar, prindërit kanë nevojë që fëmijët e tyre të jenë afër, me ndihmën e moralet e tyre.
Kur janë në moshën e shtyrë, ata dobësohen, plogështohen, i godet sëmundja, nervoza etj…, e megjithëkëtë, duke u përballur dhe me mungesën e fëmijëve edhe pse janë të gjallë (se kanë ikur dhe i kanë braktisur), me mungesën e përkrahjes dhe mirësjelljen prej tyre, atëherë kjo është një rrezik i madh për ta sjellë hidhërimin e Allahut.
Allahu thotë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë tek ti, mos u thuaj atyre as “of!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Isra 23-24.
Kur prindi arrin moshën e pleqërisë, ndaj tij duhet bërë durim, ngase pleqëria ka sprovat e saj, si: sëmundja, harresa, nervoza, matufosja etj. Për shkak të gjendjes në të cilën janë si të moshuar, janë të ndjeshëm dhe ndihen se janë ngarkesë për të tjerët, e në momentin kur dikush shfaqë mosdurim ndaj tyre, kjo i rëndon edhe më shumë ata. Por, thuaju fjalë të mira, të cilat sjellin gëzim e disponim tek ta. Kjo është shumë me rëndësi, sepse shkakton kënaqësi tek ta.
Nëse prindi gabon dhe e urdhëron të birin a të bijën për një mëkat, për diçka që nuk i përket fesë së Allahut, për diçka që e kundërshton atë, atëherë ai nuk duhet ta zbatojë atë urdhër, edhe nëse kjo gjë shkakton hidhërim tek ai. Kur prindi është hidhëruar se nuk e ka dëgjuar fëmija i tij në këtë gjë, këtë hidhërim të tij nuk e llogaritë Allahu. Por, e llogaritë hidhërimin kur prindi është hidhëruar me të drejtë- këtu vlen kërcënimi i ardhur në këtë hadith, për hidhërimin e Allahut.
Gjithashtu, kënaqja e prindit nuk duhet bërë duke vepruar mëkate ndaj Allahut, këtë Ai nuk e do dhe nuk shpërblen për këtë kënaqje të prindit. Nëse prindi kënaqet kur fëmija e tij ia ka realizuar dëshirën të bëjë një mëkat, kjo (kënaqje e prindit) nuk është diçka për të cilën Allahu e shpërblen atë (fëmijën e tij). Por, kënaqja e prindit është në atë që e pranon feja dhe që i takon asaj.
Bazuar në librin e imam Buhariut me titull Libri i mirësjelljes”, me shpjegim të Abdurrezak el Bedr