MUHAMEDI (s.a.u.s.),prejardhja, lindja dhe kushtet e tij para se të bëhej profet

Prejardhja e nderuar

Muhamedi është më i nderuari i krijesave të Allahut, është më i miri dhe më i fundit i të Dërguarve të Tij. Eshtë bir i Abdullahut; Abdullahu-bir i Abdul Mutalibit; Abdul Mutalibi-bir i Hashimit; Hashimi-bir i Abdu Menafit;Abdu Menafi-bir i Kusajit; Kusaji-bir i Kilabit; Kilabi-bir i Murres; Murrja-bir i Ka’abit; Ka’abi- bir i Lu’ejit; Lu’eji-bir i Galibit; Galibi-bir i Fihrit; Fihri-bir i Malikut; Maliku- bir i Nadirit; Nadiri-bir i Kinanit; Kinani-bir i Huzejmit; Huzejmi-bir i Mudrikut; Mudriku-bir i Iljasit; Iljasi-bir i Mudarit; Mudari-bir i Nezarit; Nezari-bir i Ma’dit; Ma’di- bir i Adnanit.Sipas mendimit të të gjithë historianëve, Adnani është një nga pasardhësit e Ismailit, biri i Ibrahimit, por nuk dihet me saktësi numri i brezave dhe as emrat e personave që kanë qenë midis tij dhe Ismailit.Ndërsa nëna e Muhamedit (s.a.u.s.) është Eminia, bija e Uehbiut; Uehbiu- bir i Abdu Menafit; Abdu Menafi-bir i Zehrës; Zehra-bir i Kilabit. Kilabi ishte gjyshi i pestë i Profetit (s.a.u.s.) nga e ëma. Pra, babai i tij dhe nëna e tij dilnin prej një origjine dhe bashkoheshin te Kilabi. Emri i saktë i Kilabit është Hakim ibn Urue, por meqë e kishte bërë zakon që shkonte shpesh herë për gjah me qentë e gjahut, u njoh me emrin “Kilab”.

Fisi i Profetit (s.a.u.s.)

Fisi i Profetit (s.a.u.s.) ishin kurejshët, të njohur për vetitë e mira dhe autoritetin e lartë. Ai fis ka një prejardhje të lavdishme dhe pozitë të nderuar ndër të gjithë arabët. Kurejsh është mbiemri i Fihirit, birit të Malikut ose i Nadrit dhe Nadri- bir i Kinanit.Të gjithë burrat e këtij fisi kanë qenë fisinikë dhe të nderuar në kohën e tyre, por më i dalluari ndër ta ishte Kusaji (emrin e vërtetë e kishte Zejd). Ai ishte i pari nga kurejshët që mori përsipër të kujdesej për Qaben. Pra, ai kishte çelësin e Qabes, e hapte për atë që donte dhe kur të donte. Ai e vendosi fisin Kurejsh në luginën e Mekës, në brendësi të këtij vendi, kurse më parë ata banonin në rrethinat e Mekës, të shpërndarë midis fiseve të tjera. Kusaji ngriti dy shërbimet që njiheshin “Sikaje” dhe “Rifade”. Shërbimi “Sikaje” ishte një pije që përgatitej prej lëngut të hurmave arabe ose mjaltit ose rrushit të thatë dhe që ju ofrohej haxhinjve në rezervuarë lëkure, Ndërsa “Rifade” ishte ushqim që përgatiste për haxhinjtë. Kusaji ndërtoi një shtëpi në veri të Qabes, e cila u njoh me emrin “Darun Nedue” (Shtëpia e Këshillimit). Ajo ishte shtëpia e këshillimit për kurejshët dhe qendër e lëvizjeve të tyre shoqërore. Prandaj, çdo martesë a çdo çështje tjetër përfundohej në atë shtëpi. Kusaji kishte në dorë flamurin dhe udhëheqjen. Çdo flamur lufte nisej vetëm me urdhrin e tij. Ai ishte fisnik, i urtë dhe i shkonte fjala te njerëzit e vet.

Familja e Profetit(s.a.u.s.)

Familja e Muhamedit (s.a.u.s.) njihej me emrin “Familja Hashemije”. E kishte marrë këtë emër prej gjyshit të tij të dytë, që quhej Hashim. Pasardhësit e tij quheshin hashemij dhe kështu, derisa erdhi Islami. Hashimi kishte trashëguar disa ofiqe nga Kusaji: u shërbente haxhinjve dhe përgatiste bukën e ushqimin për ta. Hashimi ishte njeriu më i lartë i kohës së tij. Ai e thërrmonte bukën në lëng mishi dhe e bënte përshesh. Në gjuhën arabe ky lloj ushqimi quhet “tharid”. Hashimi ua jepte tharidin haxhinjve, që vinin në Mekë. Nga kjo ai mori emrin Hashim (Thërrmues), kurse emrin e vërtetë e kishte Amru. Hashimi bëri traditë për arabët “dy udhëtimet”; udhëtimi i parë bëhej gjatë dimrit për në Jemen, kurse udhëtimi i dytë bëhej gjatë verës për në Sham. Hashimi ishte më i nderuari i Bat’hasë (Mekës). Thuhet se kur Hashimi kaloi në Jathrib,1 që ndodhet në rrugën për në Sham, u martua me Selmën, bijën e Amrit, nga fisi Beni Adj e ky bir i Nexharit. Qëndroi tek ajo ca kohë, pastaj shkoi në Sham. Selemeja kishte mbetur shtatzënë në Medine (Jathrib). Hashimi vdiq në Gaza, që ishte tokë e Palestinës. Selemeja lindi djalë në Medine, të cilit ia vuri emrin “Shejbe”,2 prej thinjave që kishte në kokë. Djali u rrit midis dajave në Medine, por xhaxhallarët e tij në Mekë nuk dinin asgjë për të, derisa ai u bë shtatë ose tetë vjeç. Kur xhaxhai i tij, Muttalibi e mësoi këtë, shkoi dhe e solli në Mekë.

Kur e panë njerëzit, menduan se djali ishte skllav i tij dhe e quajtën “Abdul Muttalibi” (Skllavi iMuttalibit”). Kështu, ai u bë i njohur me këtë emër.Abdul Muttalibi ishte më i pashmi i njerëzve dhe më autoritari. Në kohën e vet është nderuar si askush tjetër. Abdul Mutalibi ishte më i nderuari i kurejshëve, pronar i varganit të Mekës. Ishte i nderuar, i respektuar dhe shumë bujar, saqë për bujarinë që kishte, quhej “dhënës i madh”. Nga sofra e tij hanin të varfrit; kafshët e egra dhe shpezët. Prandaj, Abdul Muttalibi quhej ushqyes i njerëzve në fushë dhe ushqyes i kafshëve dhe i shpezëve në majat e maleve. Ai pati nderin të rihapte pusin e Zemzemit, pasi e pati mbyllur atë pus fisi Xhurhum, shumë kohë më parë, atëherë kur u dëbuan nga Meka. Kur po flinte, Abdul Muttalibi pa një ëndërr.Dikush e urdhëroi që të hapte pusin e Zemzemit, madje u përshkrua edhe vendi, ku gjendej pusi.Po në kohën e Abdul Muttalibit ka ndodhur edhe ngjarja e Elefantit. Abraha El Ashrami (sundues i Jemenit) erdhi nga Jemeni me gjashtëmbëdhjetë mijë ushtarë të stërvitur mirë për të shembur Qaben. Ai kishte me vete edhe disa elefantë. Arriti në “Uadi Mahsir”, që gjendet midis Muzdelifes dhe Minasë. Në kohën që u përgatit për sulm kundër Mekës, Allahu dërgoi mbi ta zogj që vinin tufë-tufë e që gjuanin me gurë dhe baltë të gurëzuar.

Allahu e bëri ushtrinë e Abrahasë si gjeth të përtypur. Kjo ka ndodhur rreth një muaj para se të lindte Profeti (s.a.u.s.).Babai i Profetit (s.a.u.s.) është Abdullahu. Ai ishte më i miri dhe më i sjellshmi i djemve të Abdul Muttalibit.Kur Abdul Muttalibi hapi pusin e Zemzemit dhe u dukën shenjat e pusit të vjetër, Kurejshët u grindën me të dhe kërkuan që të bëheshin pjestarë në ujin e pusit, atëherë ai premtoi që, sikur Allahu t’i jepte dhjetë djem, e kur ata të mbërrinin moshën që ta mbronin, ai do të bënte kurban njërin prej tyre. Allahu i Lartësuar ia dha djemtë. Kështu, Abdul Muttalibi hodhi short midis djemve të vet se cili do të bëhej kurban. Shorti i ra Abdullahut.Abdul Muttalibi shkoi te Qabja për ta bërë kurban Abdullahun, por Kurejshët e ndaluan, sidomos vëllezërit dhe dajat e tij. Atëherë, Abdul Muttalibi dha në vend të tij njëqind deve. Ismaili u shpetua me një dash (i cili u ther në vend të tij) dhe Abdullahu u shpëtua me njëqind deve që u flijuan për të. Pra, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) është biri i dy njerëzve që do flijoheshin, njëri është Ismaili, tjetri babai i vet, Abdullahu e njëherazi është biri dy të shpëtuarve.Abdul Muttalibi dha pëlqimin që djali i vet, Abdullahu të martohej me vajzën Emine, që ishte bija e Uehbiut dhe më e mira e grave të fisit Kurejsh, si për nga nderi, ashtu edhe për nga pozita. Babai i saj, Uehbiu ishte kryetar i fisitBeni Zehre dhe më i miri i tyre, si në prejardhje ashtu edhe në pozitë. Kështu, u realizua fejesa dhe martesa. Abdullahu dhe Eminia jetuan pak kohë në Mekë. Ajo mbeti shtatzënë dhe nga kjo shtatzënësi lindi i Dërguari i Allahut.Pas një farë kohe, Abdul Muttalibi e dërgoi Abdullahun në Medine (thuhet edhe në Sham), që të merrej me tregti. Por, sapo u kthye, vdiq. U varros në shtëpinë e Nabiga Dhabjaniut; sipas një kumtimi më të saktë, Abdullahu ka vdekur para se të lindte Profeti (s.a.u.s.).

Lindja

I Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) lindi te njerëzit e fisit Beni Hashim në Mekë. Ishtemëngjesi i ditës së hënë, dita e nëntë (thuhet edhe dita e dymbëdhjetë) e muajitRabiul Euel, në vitin e ngjarjes së Elefantit. Data 9 është më e saktë, ndërsa data 12 është më e dëgjuar. Data e dytë bie më 22 prill të vitit 571, të erës sonë. Qe Shifaja, bija e Amrit, e ëma e Abdurr Rrahman ibn Aufit, ajo që e priti foshnjën. Kur e lindi Profetin (s.a.u.s.) doli prej së ëmës një dritë, prej së cilës shndritën edhe pallatet e Shamit. Pastaj i dërguan fjalëgjyshit të Muhamedit (s.a.u.s.), Abdul Muttalibit për t’i dhënë sihariqin e lindjes së Muhamedit (s.a.u.s.). Abdul Muttalibi erdhi menjëherë shumë i gëzuar, e mori foshnjën, e futi në Qabe, e falenderoi Allahun, i bëri lutje Atij dhe ia vuri foshnjës emrin Muhamed (i Falenderuar), sepse shpresonte që të falenderohej. Pastaj theri kurban për lindjen e tij dhe në ditën e shtate të lindjes e bëri synet dhe sipas zakonit të arabëve, shtroi një darkë për të. Kujdestarja e tij ka qenë Umu Ejmen: Bereketu, el Habeshije robëresha e babait të tij, Abdullahut. Ajo jetoi dersi u bë muslimane, emigroi në Medine dhe vdiq gjashtë muaj pas të Dërguarit të Allahut (s.a.u.s.)

Qumështi i gjirit për Muhamedin(s.a.u.s.)

E para grua qe i ka dhënë gji Muhamedit (s.a.u.s.) pas nënës së tij, është Thuvejbja, robëresha e Ebu Lehebit, e cila kishte ende qumësht prej birit të saj Masruhi. Thuvejbja i kishte dhënë gji më parë edhe Hamzait, birit të Abdul Muttalibit dhe më pas Muhamedit (s.a.u.s.) dhe Ebu Selemes, birit të Abdul Esed El Mahzumiut. Pra, këta të tre (Hamzai, Muhamedi, dhe Selemiu) ishin vëllezër qumështi, sepse kishin pirë qumësht nga e njëjta grua.Kur mori vesh për lindjen e Muhamedit (s.a.u.s.) Ebu Lehebi u gëzua shumë dhe e liroi robëreshën e vet. Mirëpo, kur Muhamedi filloi t’i ftonte njerëzit për në Islam, Ebu Lehebi u bë nga armiqtë e tij më të egër.

Muhamedi në fisin Benu Sa’ad

Arabët e kishin traditë që për fëmijët e porsalindur të kërkonin gjidhënëse në zonat malore. Ata vepronin kështu për t’i larguar foshnjat nga sëmundjet e qyteteve, për t’i forcuar fizikisht dhe për t’ua mësuar gjuhën arabe në djep të pastër.Allahu kishte vendosur që disa gra nga fisi Beni Sa’ad bin Bekr Hauazin, të vinin për të kërkuar foshnje gjiri. Të gjithave ia paraqitën profetin Muhamed (s.a.u.s.), por ata nuk pranuan ta merrnin, sepse ishte jetim.

Njëra nga gratë, që kërkonte fëmijë për t’i dhënë gji, meqënëse nuk gjeti të tjerë, mori Profetin (s.a.u.s.). Ajo ishte Halimja, bija e Ebu Dhuejbit. Ajo pati aq mirësi prej tij, sa e patën zili të tjerët. Emri i vërtetë i Ebu Dhuejbit, babait të Halimes, ishte Abdullah ibn el Harith. Emri i të shoqit ishte Harith, biri i Abdul Uzzas. Që të dy ishin nga fisi Sad Benu Bekër Benu Havazin. Kurse fëmijët e Harith ibn Abdul Uzzas dhe vëllezërit e qumështit të Profetit Muhamed (s.a.u.s.) ishin: Abdullahu, Unejsja dhe Xheddameja, e cila quhej edhe Shimae, por më shumë njihej me pseudonimin se sa me emrin. Ajo kujdesej për të Dërguarin e Allahut (s.a.u.s.).

Begatitë në shtëpinë ku i jepej gji Profetit (s.a.u.s)

Gjatë kohës që Profeti (s.a.u.s.) qëndroi në atë shtëpi, erdhën shumë mirësi për njerëzit e asaj shtëpie. Kur Halimja erdhi në Mekë, ishte kohë thatësire. Ajo kishte një gomaricë, e cila ishte kafsha më e ngadaltë e karvanit, sepse ishte shumë e dobët dhe e rraskapitur. Kishte edhe një deve, që nuk i jepte asnjë pikë qumësht. Halimja kishte edhe një djalë të vogël, i cili tërë natën nuk i pushonte së qari e së bërtituri, sepse kishte uri e nuk i linte prindët të flinin.Kur erdhi Halimja me Profetin (s.a.u.s.) dhe e vuri në prehër, i erdhi gjiri e iu shtua qumështi; foshnja piu dhe u ngop. Piu edhe djali i saj i vogël, derisa u ngop dhe fjetën gjumë. I shoqi shkoi te deveja dhe pa se ajo kishte tërë atë qumësht. E moli, pinë të dy sa u ngopën, fjetën dhe kaluan një natë shumë të mirë. Halimja me të shoqin dolën për të shkuar te stepat e Beni Sa’adit. Ajo i hipi gomaricës e mori me vete edhe Profetin.

Gomarica ecte aq shpejt, sa ia kaloi varganit dheasnjë nga gomerët nuk mund ta arrinte dot.Halimja me të shoqin arritën në vendin ku banonte fisiBeni Sa’ad, i cili ishte një nga vendet më të thata. Për habi, panë se delet e tyre vinin në mbrëmje të ngopura, me gjinj plot qumësht. I milnin delet dhe pinin qumësht me bollëk, në një kohë kur bagëtitë e të tjerëve nuk jepnin asnjë pikë qumësht. Kështu, Halimja me të shoqin panë shumë mirësi prej Allahut gjatë kohës që Muhamedi (s.a.u.s.) qëndroi tek ata. Pasi u plotësuan dy vjet, Halimja ia ndërpreu gjirin. Tashmë ai ishte zhvilluar dhe forcuar fizikisht.

Qëndrimi i Profetit në fisin Beni Sa’ad (s.a.u.s)

Halimja shkonte te nëna e Muhamedit dhe familja e tij në çdo gjashtë muaj. Pastaj kthehej me të tek fshati i saj, në Benu Sa’ad.Pasi e plotësoi afatin e dhënies gji dhe ia ndërpreu atë, erdhi bashkë me Muhamedin (s.a.u.s.) te nëna e tij, Eminea dhe u përpoq që ta mbante përsëri foshnjën, sepse kishte parë shumë begati e mirësi. Iu lut së ëmës që ta linte edhe ca kohë tek ajo derisa ta merrte veten mirë, pasi ajo kishte frikë se mos e kapnin sëmundjet e Mekës.Eminia pranoi. Kështu, Halimja u kthye e gëzuar në shtëpinë e saj bashkë me Muhamedin. Ai qëndroi tek ajo edhe dy vjet të tjera. Pastaj, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme, e habitshme. Halimja dhe i shoqi i saj patën frikë ta mbanin Muhamedin (s.a.u.s.), prandaj e kthyen atë te e ëma. Ngjarja e habitshme që çarja e gjoksit të Profetit (s.a.u.s.).

Çarja e gjoksit

Enes ibn Maliku ka kumtuar se kur i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) po luante me djemtë e tjerë, i erdhi Xhibrili, e mori dhe e shtriu për tokë, ia çau zemrën dhe ia nxori atë jashtë, pastaj i nxori një copë të vogël mishi dhe i tha: “Kjo ishte pjesa e djallit.” Pastaj ia lau zemrën në një tas ari me ujë zemzemi. Më pas e bashkoi dhe e vuri në vend ashtu siç ishte.Djemtë erdhën me nxitim te nëna e tij e qumështit, Halimja dhe i thanë: “Muhamedi u vra.” U kthyenmenjëherë e i dolën përpara dhe panë se atij i kishte ndryshuar ngjyra e fytyrës.“Unë e kam parë shenjën e asaj qepjeje në gjoksin e tij”,- përfundon Enesi.

Te nëna e tij e dashur

Pasi ndodhi kjo ngjarje e jashtëzakonshme, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) u kthye në Mekë dhe qëndroi tek e ëma rreth dy vjet. Pastaj, Eminia u nis bashkë me të për në Medine. Aty qenë varrosur babai i Muhamedit (s.a.u.s.) dhe dajat e gjyshërit e tij, Benu Adji ibn En Nexhar. Në këtë udhëtim atë e shoqëronin kujdestari i saj, Abdul Muttalibi dhe shërbyesja e saj, Ummu Ejmeni. Ajo qëndroi në Medine një muaj, pastaj u kthye në Mekë. Gjatë rrugës Eminia u sëmur. Më tej gjendja u keqësua dhe ajo vdiq në Ebua, midis Mekës dhe Medines: Aty edhe u varros.Gjyshi e shoqëroi deri në Mekë Muhamedin (s.a.u.s.), duke ndjerë thellë në zemër dhembjen e madhe që i kishte shkaktuar fatkeqësia e re. Ai sillej me Muhamedin me një butësi, të cilën nuk e njihnin as djemtë e tij.Abdul Muttalibi e vlerësonte shumë Muhamedin dhe e nderonte dhe e preferonte më shumë se djemtë e tij. E vinte në dyshekun e vet, ku nuk ishte ulur tjetërkush deri atëherë. I fërkonte shpinën dhe gëzohej nga ajo që bënte ai. Abdul Muttalibi besonte se ai djalë do të kishte një të ardhme të madhe. Mirëpo pas dy vjetësh, Abdul Muttalibi vdiq, në moshën 80 vjeç dy muaj dhe dhjetë ditë.

Te xhaxhai i tij i dashur

Kujdestarinë për Muhamedin (s.a.u.s.) e mori përsipër xhaxhai i tij, Ebu Talibi, i cili ishte vëlla (nga nëna dhe babai) me babanë e Pejgamberit (s.a.u.s.). Ai tregoi shumë mëshirë dhe dashuri ndaj tij. Ebu Talibi nuk ishte i pasur, por Allahu, ia shtoi atë pasuri të pakët që kishte; ushqimi i një personi ngopte të gjithë familjen e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) ishte shembull në kënaqësi dhe durim. Ai mjaftohej me atë që i kishte caktuar Allahu i Madhëruar.

Udhëtimi për në Sham dhe takimi me priftin

Ebu Talibi do të shkonte për tregti me një vargan të Kurejshve , deri në Sham (Siri). Muhamedi në atë kohë ishte dymbëdhjetë vjeç. Dikush ka thënë se ishte dymbëdhjetë vjeç e dy muaj dhe dhjetë ditë. Ebu Talibi nuk duronte dot që të largohej nga Muhamedi (s.a.u.s.). Nga dhembshuria që kishte për të, e mori me vete. Kur vargani arriti afër qytetit Basra, në kodrat e Shamit, u doli përpara një nga priftërinjtë e mëdhenj te krishterëve, që quhej Behira. Ai hyri midis varganit, shkoi te Muhamedi (s.a.u.s.), e mori për dore dhe i tha: “Ky është më i madhi i njerëzimit. Ky është i dërguari i Zotit të botëve. Këtë e dërgon Allahu mëshirë për të gjithë botët.” Ata që qenë aty, e pyetën: “Ku e di ti këtë?” “Kur ju dolët prej qafës së malit, – tha prifti, nuk mbeti gurë e dru pa rënë në sexhde. E, gurët e drurët bëjnë sexhde vetëm për profetët. Unë, e njoh atë, sepse ka vulën e profetësisë pas shpine, nën shpatull; ajo është sanjë mollë; e kemi të shkruar në librat tanë.”Pastaj, prifti Behira i nderoi ata me mikpritjen e tij. Ai i tha Ebu Talibit që ta kthente Muhamedin dhe të mos shkonte me të në Sham, sepse kishte frikë mos i ndodhte gjë nga jehudinjtë dhe romakët. Ebu Talibi e ktheu Muhamedin (s.a.u.s.) në Mekë.

Lufta e Fuxharit

Kur Muhamedi (s.a.u.s.) ishte njëzet vjeç, në vendin e quajtur Pazari i Ukadhit filloi një luftë midis fiseve Kurejsh dhe Kinan nga njëra anë dhe fisit Kajs Ajlani nga ana tjetër. Patën ndodhur katër grindje në katër vjet midis atyre fiseve. Tri të parat përfunduan vetëm me grindje dhe me një acarim të lehtë. Vetëm në të katërtën ndodhi lufta. Lufta u ashpërsua shumë. U vranë disa veta nga të dy palët. Pastaj, bënë armëpushim, që të numëronin të vrarët. Ajo palë që do të kishte të vrarë më tepër do të merrte shpagimin e gjakut që ishte derdhur më shumë. Kështu vendosën, e pushuan luftën e i hoqën armiqësitë dhe sherrin që ishin krijuar midis tyre.Në atë luftë mori pjesë edhe i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.). Ai i përgatiste shigjetat xhaxhallarëve të vet që luftonin. Kjo luftë është quajtur Lufta e Fuxharit, sepse fisetndër-luftuese shkelën shenjtërinë e Mekës dhe të muajit të shenjtë.

Pakti i drejtësisë

Në muajin Dhul Ka’ade, fill pas luftës së Fuxharit u vendos Pakti i Drejtësisë (Hilful Fudul) ndërmjet pesë barqeve të fisit Kurejsh: Benu Hashim, Benu el-Muttalib, Benu Esed, Benu Zehre dhe Benu Temim. Cila qe arsyeja e vendosjes së paktit? Një burrë nga Zebidi erdhi në Mekë me një plaçkë, të cilën ia bleu Asib Uail es-Sehmiu, por ai nuk i dha atë që i takonte. Burri kërkoi ndihmë nga fiset Benu Abdu Dar, Benu Mahzum, Benu Xhemeh, Benu Sehm dhe Benu Adij, por ata nuk ia vunë veshin. Atëherë, ai hipi në majë të malit Ebu Kubejs dhe tha me vjershë padrejtësinë që i kishin bërë. Pastaj bëri thirrje që ta ndihmonin të merrte të drejtën që i takonte. Menjëherë shkoi atje Zubejr ibn Abdul Muttalibi dhe qëndroi aty, derisa ato barqe që përmendëm më lart, u mblodhën në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’anit, kryetar i fisit Benu Temim. Dhanë besën dhe bënë paktin që të ndihmonin në Mekë çdo njeri që do t’i bëhej padrejtësi. Atij duhej t’i kthehej e drejta që i takonte, qoftë vendas a i huaj. Pastaj u çuan dhe shkuan tek Asi, i biri i Uail es-Sehemiut dhe ia morën me forcë atë që i takonte Zubejdiut e ia dhanë atij.Në këtë pakt mori pjesë edhe vetë i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) bashkë me xhaxhallarët e vet. Pasi Allahu e nderoi me mesazhin profetik, tha: “Në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’anit kam marrë pjesë në një pakt, që për mua ishte më i dashur sesa pasuria më e shtrenjtë. E sikur të bëhej thirrje për një pakt të tillë në Islam, unë do ta pranoja.”

Jeta dhe puna

Dihet se Profeti (s.a.u.s.) lindi jetim dhe u rrit nën kujdestarinë e gjyshit e më pas të xhaxhait dhe nuk trashëgoi nga babai i vet ndonjë pasuri. Kur u bë në moshën, që zakonisht punohet, ai ruajti delet bashkë me vëllezërit e vet nga qumështi të fisitBenu Sa’ad. Kur u kthye në Mekë, ruajti delet e vendasve, me njëfarë pagese të vogël, që në kohën tonë mund të jetë dhjetë rijal. Ruajtja e deleve është një traditë profetike, në fillim të jetës së tyre. Pasi e nderoi Allahu me misionin profetik, Profeti (s.a.u.s.) ka thënë:“Çdo profet ka ruajtur delet.”Kur u rrit e u bë burrë, Profeti (s.a.u.s.) filloi të merrej ca e nga ca me tregti. Eshtë kumtuar se ai ka pasë bërë tregti me Seib ibn Ebu Saibin, të cilin e kishte bashkëpunëtorin më të mirë, që nuk bënte padrejtësi dhe nuk grindej. Në marrëdhënie me njerëzit, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) është njohur dhe shquar për besnikëri, për çiltëri dhe ndershmëri. E tillë ka qenë sjellja e tij në çdo hap e në të gjitha fushat e jetës, ndaj e mbiquajtën El Emin (Besniku).

Udhëtimi për në Sham dhe tregtia me pasurinë e Hatixhes

Hatixhja, bija e Huuejlidit (s.a.u.s.) ka qenë më e mira e grave të fisit Kurejsh, si për nga nderi, ashtu edhe për nga pasuria. Ajo u jepte pasuri tregtarëve, që të tregtonin me të përkundrejt një pjese fitimi. Kur dëgjoi për Profetin (s.a.u.s.), i propozoi që të shkonte në Sham, të tregtonte për të dhe t’i jepte atij më shumë nga ç’u kishte dhënë të tjerëve.Profeti (s.a.u.s.) u nis për në Sham bashkë me shërbëtorin e Hatixhes, Mejserin. Në Sham shiti e bleu dhe pati një fitim të madh. Kështu pasuria e Hatixhes pati një begati që nuk e kishte pasur kurrë. Pasi bënë tregti në Sham, i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) u kthye në Mekë dhe çoi në vend amanetin.

Martesa me Hatixhen

Hatixhja pa te Muhamedi (s.a.u.s.) besnikëri dhe mirësi, që nuk e kishte parë asnjëherë dhe u habit. Shërbëtori, Mejseri i tregoi çfarë kishte parë te Profeti (s.a.u.s.). Thuhet edhe për ndodhi të jashtëzakonshme; për shembull, kur ishte vapë e madhe, atij i bënin hije dy engjëj. Hatixhja e kuptoi që do të ishte lumturi e madhe të martohej me të. Ndaj ajo dërgoi për tek ai një shoqe të saj që t’i propozoj Profetit (s.a.u.s.) për martesë dhe ai e pranoi. Përkëtë bisedoi edhe me xhaxhallarët e vet. Ata i dërguan fjalëxhaxhait të Hatixhes, Amir ibn Esedit.Kështu Hatixhen e martoi xhaxhai i saj me Profetin (s.a.u.s.) në prani të njerëzve nga fisi Benu Hashim dhe të kryetarëve të fisit Kurejsh, me një prikë prej 20 deve ose 6 deve të reja. Fjalën e martesës e mbajti xhaxhai i Profetit (s.a.u.s.), Ebu Talibi. Ai e falenderoi dhe e lavdëroi Allahun. Pastaj përmendi prejardhjen e nderuar dhe të mirat e Profetit (s.a.u.s.). Pastaj shpalli lidhjen e martesës dhe tregoi sasinë e prikës.

Martesa e Muhamedit (s.a.u.s.) me Hatixhen u bë dy muaj e ca ditë pas kthimit të Profetit (s.a.u.s.) nga Shami. Atëherë, Muhamedi (s.a.u.s.) ishte 25 vjeç, ndërsa Hatixhja (sipas versionit më të njohur) ishte 40 vjeçe. (Thuhet edhe se ka qenë 28 vjeçe; dikush ka thënë edhe ndryshe). Ajo qe martuar më parë me Atik ibn Aidh El Mahzumiun, por ai vdiq. Pastaj u martua me Ebu Halid Timinun, por edhe ai vdiq. Me të pati një djalë. Më pas kryetarët e mëdhenj të fisit Kurejsh deshën të martoheshin me të, por ajo nuk pranoi, derisa u martua me të Dërguarin e Allahut (s.a.u.s.). Martesa me të qe një lumturi, që e kishin lakmi të gjithë njerëzit.Hatixhja është gruaja e parë e Profetit (s.a.u.s.) dhe deri sa vdiq ajo, ai nuk ka marrë tjetër për grua. Profeti (s.a.u.s.) i pati të gjithë fëmijët me Hatixhen, përveç Ibrahimit, të cilin e pati me Marien, që ishte nga Koptet e Egjiptit.

Fëmijët që pati me Hatixhen

Fëmijët që pati Profeti (s.a.u.s.) me Hatixhen janë: Kasimi, Zejnebja, Rukija, Ummu Kulthumi, Fatimja dhe Abdullahu. (Ka edhe thënie të tjera përsa i përket numrit dhe radhës së tyre.) Djemtë kanë vdekur të vegjël, ndërsa vajzat kanë jetuar të gjitha. Ato u bënë myslimane dhe u shpërngulën nga Meka në Medine. Tri vajza vdiqën para se të vdiste Profeti (s.a.u.s.). Fatimja (r.a.)* jetoi edhe gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit (s.a.u.s.).

Ndërtimi i Shtëpisë së Shenjtë dhe ndodhia e gjykimit

Kur Muhamedi (s.a.u.s.) ishte në moshën 35 vjeç, ndodhi një furtunë e madhe. Ajo i çau dhe i mbuloi muret e Qabes. Muret qenë dobësuar edhe më parë për shkak të një djegieje.Kurejshët u detyruan që ta ndërtonin atë rishtaz. Ata vendosën që të përdornin pasuri të pastër në të. Nuk do të hynte në ndërtimin e Qabes asnjë lloj pasurie e grabitur, e fituar nga prostitucjoni, e fituar me kamatë ose me padrejtësi. Ata i trembeshin dënimit të Allahut në shembjen e saj. U çua Uelid ibn Mugira dhe tha: “Allahu nuk i dënon rregulluesit.” Dhe nisi të shembë muret. E ndihmuan edhe të tjerët. U shembën muret dhe arritën te themelet e Ibrahimit. Pastaj filluan ndërtimin. Secilit fis i caktuan pjesën që do të ndërtonte.

Vetë kryetarët e fiseve mbartnin gurë. Ndërta, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) dhe xhaxhai i tij, Abbasi.Ndërtimin e Qabes e mori përsipër një ndërtues romak, që quhej Bakum. Meqënëse pasuria e pastër nuk u mjaftonte për ndërtimin e Qabes mbi themelet e Ibrahimit, lanë pa ndërtuar 6 kutë nga veriu. Në kufirin e 6 kutëve ndërtuan një mur të vogël për të treguar se është prej Qabes. Kjo pjesë njihet me emrin “Hixhër” dhe “Hatim”.Kur, ndërtimi arriti në vendin e Gurit të Zi, secili prej kryetarëve donte të ishte vetë i nderuari, duke vënë Gurin e Zi në vendin e tij. Ata filluan të grindeshin. Kështu vazhduan 4 ose 5 ditë. Për pak grindja desh u kthye në një luftë të përgjakshme në Harem.5 Vetëm se Ebu Umejje ibn Mugire el Mahzumiu arriti ta kalojë situatën me urtësi.

Ai ishte më i vjetri i kurejshëve. Ai propozoi që i pari që do të hynte në derën e xhamisë, të gjykonte. Të gjithë e pranuan dhe ranë në një mendje për këtë.Ishte vendimi i Allahut që i pari që do të hynte në xhami pas vendimit të kurejshëve të ishte i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.). Posa e panë atë, kurejshët brohoritën dhe thanë: “Ky është i Besueshmi, ky është Muhamedi, ne jemi të kënaqur me të.”Kur ai arriti tek ata, i shpjeguan ngjarjen. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) mori një velencë dhe e vuri Gurin e Zi në të. Pastaj urdhëroi secilin prej kryetarëve të kapë një cep të velencës dhe ta ngrinin atë të gjithë së bashku. Kur e afruan Gurin te vendi ku do të vihej, e mori në dorë i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) dhe e vendosi në vendin e vet. Kjo qe një zgjidhje e zgjuar dhe e arsyeshme e të gjithë u kënaqën me të.Gurin e zi e ngritën nga toka një metër e gjysmë, ndërsa derën e Qabes e ngritën rreth 2 metra nga toka, me qëllim që të mos hynteaskush tjetër aty përveç atij që donin ata. Muret i ngritën tetëmbëdhjetë kutë, kurse më parë patën mbetur përgjysmë. Brenda Qabes bënë gjashtë shtylla në dy rreshta dhe tavanin e vunë në një lartësi prej pesëmbëdhjetë kutësh. Më parë, Qabja ka qenë pa tavan dhe pa kollona.

Jeta e tij para se të bëhej Profet (s.a.u.s)

Që i vogël, Muhamedi u rrit me mendje të shëndoshë, i zhvilluar fizikisht dhe i pastër shpirtërisht. Ai u rrit, u burrërua dhe u zhvillua duke trashëguar tërë cilësitë e mira. Muhamedi karakterizohej nga largpamësia, mendimi i drejtë dhe zgjuarsia e rrallë. Ishte shembull i përkryer në moral. Dallohej për çiltëri, për mbajtjen e amanetit, për sjellje të njerëzishme, për moral të lartë, urtësi, durim, mirënjohje, sedër, thjeshtësi dhe dashamirësi. Ai ishte në majën më të lartë të mirëbërësisë e të humanizmit. Për këtë, xhaxhai i tij Ebu Talib ka thënë: “Ai e ka fytyrën të bardhë, ndihmon jetimët dhe mbron të vejat.”Ai shikonte farefisin.Ai e mbante vetë atë që rëndonte shpatullat e njerëzve. Ai ndihmonte ata që nuk kishin, derisa të mëkëmbeshin; ai ndihmonte më të dobëtit; ai ndihmonte atë që i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi.

Allahu e kishte përfshirë me ruajtjen dhe kujdesin e Vet. E kishte bërë që t’i urrente ato vese dhë gjëra të kota e të këqija që gjallonin në popullin e tij. Prandaj, Muhamedi(s.a.u.s.) nuk merrte pjesë në festat e paganëve dhe të idhujtarëve. Ai nuk hante kurrë nga ai mish që therej për idhujt ose për dikë tjetër përveç Allahut. Ai nuk i duronte dot betimet në Latin dhe Uzzanë, e jo më prekjet me dorë a afrimin tek ata.Ai u qëndronte pijeve alkoolike më larg se të gjithë njerëzit dhe nuk shkonte për të dëgjuar muzikë. Ai nuk ka shkuar asnjëherë në vendet ku kalohej koha me gjëra të kota a në klube ku mblidheshin të rinjtë e ku takoheshin të dashuruarit në Mekë.

Lulishta e Dritave – Prof. Safijurrahman El – Mubarekfuri.