Që i vogël, Muhamedi u rrit me mendje të shëndoshë, i zhvilluar fizikisht dhe i pastër shpirtërisht. Ai u rrit, u burrërua dhe u zhvillua duke trashëguar tërë cilësitë e mira. Muhamedi karakterizohej nga largpamësia, mendimi i drejtë dhe zgjuarsia e rrallë. Ishte shembull i përkryer në moral. Dallohej për çiltëri, për mbajtjen e amanetit, për sjellje të njerëzishme, për moral të lartë, urtësi, durim, mirënjohje, sedër, thjeshtësi dhe dashamirësi. Ai ishte në majën më të lartë të mirëbërësisë e të humanizmit. Për këtë, xhaxhai i tij Ebu Talib ka thënë: “Ai e ka fytyrën të bardhë, ndihmon jetimët dhe mbron të vejat.”Ai shikonte farefisin.Ai e mbante vetë atë që rëndonte shpatullat e njerëzve. Ai ndihmonte ata që nuk kishin, derisa të mëkëmbeshin; ai ndihmonte më të dobëtit; ai ndihmonte atë që i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi.
Allahu e kishte përfshirë me ruajtjen dhe kujdesin e Vet. E kishte bërë që t’i urrente ato vese dhë gjëra të kota e të këqija që gjallonin në popullin e tij. Prandaj, Muhamedi(s.a.u.s.) nuk merrte pjesë në festat e paganëve dhe të idhujtarëve. Ai nuk hante kurrë nga ai mish që therej për idhujt ose për dikë tjetër përveç Allahut. Ai nuk i duronte dot betimet në Latin dhe Uzzanë, e jo më prekjet me dorë a afrimin tek ata.Ai u qëndronte pijeve alkoolike më larg se të gjithë njerëzit dhe nuk shkonte për të dëgjuar muzikë. Ai nuk ka shkuar asnjëherë në vendet ku kalohej koha me gjëra të kota a në klube ku mblidheshin të rinjtë e ku takoheshin të dashuruarit në Mekë.
Lulishta e Dritave – Prof. Safijurrahman El – Mubarekfuri.