“Tezkijetun-nefs” apo pastrimi i shpirtit është fjali e përbërë nga dy fjalë: Et-tezkijetu (pastrimi), që në kuptimin gjuhësor është paskajorja (infinitivi) e foljes “zek-ka –juzek-ki – tezkijeten.” Ndërsa, fjala “ez-zekau” në kuptimin gjuhësor është: rritja (zhvillimi) dhe shtimi. Thuhet: “zeka ez-zer’u” , d.m.th. është rritur (zhvilluar) bima; dhe “zeka el-malu”, d.m.th. është rritur (shtuar) pasuria.
Dhe prej këtij kuptimi gjuhësor është marrë emri i zekatit në fenë islame, sepse ai (zekati) ia shton pasurisë bekimin dhe rritjen. Për këtë arsye Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tregoi se: “Lëmosha (asnjëherë) nuk e ka pakësuar pasurinë e ndokujt.”
Pra, lëmosha e rritë dhe e shton pasurinë dhe nuk e pakëson atë.
Ndërsa, pastrimi (et-tezkijetu) i cili këtu po i atribuohet shpirtit (en-nefs), është pastrimi fetar i përmendur në Librin e Allahut dhe në sunetin e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem); është ajo që e arrin shpirti i besimtarit prej mirësisë dhe bekimit, për shkak të përkujdesjes (së tij) në këtë drejtim (pastrim të shpirtit).
Qëllimi me shpirtin (en-nefsu) të përmendur këtu nuk është vetëm shpirti brenda trupit, por (qëllimi) është pastrimi i zemrës dhe i shpirtit, i cili ndikon në gjymtyrë. E, pikërisht për këtë, Allahu i Lartësuar tregon se ka për të shpëtuar dhe triumfuar ai, i cili e pastron shpirtin e vet, siç është përmendur në kaptinën Esh-shems, ku Allahu thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp (përulë) atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Kuran, 91:9-10)
Kjo aludon për shpëtimin e atij që e ka pastruar shpirtin e vet, dhe shpëtimi i realizohet njeriut me shpirtin dhe me trupin e tij. Pra, kjo është domethënia e pastrimit të shpirtit.