Motivi i parë
Ibn Kajim rahimehullah2 thotë: “Madhërimi i Allahut me zemër, duke e ditur se Ai të sheh e të dëgjon, në çdo lëvizje e situatë. Zemra në të cilën gjendet kjo gjë, nuk ka mundësi t’i bindet shpirtit të tij e ta veprojë mëkatin.”
Këtë më së miri e tregon Allahu i Lartësuar në këtë ajet: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij në adhurim!” Zumer, 67.
Kjo tregon se sa i Madhërishëm është Allahu. Këtë duhet t’ia kujtojmë vetës vazhdimisht. Gjithashtu thotë: “Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?” Nuh 13-14.
Ibn Abasi radijAllahu anhu kur e komenton këtë ajet thotë: “Ç’është me ju që nuk e madhëroni Allahun ashtu siç e meriton dhe siç i takon Atij?!” Kurtubiu rahimehullah komenton: “ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa”, qëllimi është për krijimin në mitrën e nënës, etapë pas etape, derisa është plotësuar krijimi juaj. Prandaj Ai i cili veproi kështu me ju, i Cili ka forcë për t’ju krijuar në këtë formë dhe të kujdeset për ju, Ai është më Meritori që ta madhëroni e respektoni.”
Prej ngjarjeve që tregojnë se si ky motiv (shtytës) ndikon në shpirtin e besimtarit, është ngjarja që transmetohet prej sahabiut të njohur Xhubejr ibn el- Mut’im radijAllahu anhu3, i cili kur i dëgjoi disa ajete në të cilat përmendet Madhështia e Allahut, menjëherë në zemrën e tij i lindi madhërimi dhe respekti ndaj Tij, e kuptoi se sa i Fuqishëm është Ai, se është Krijuesi, Furnizuesi dhe se Ai i drejton e rregullon çështjet në univers.
Ky sahabi ishte fillimisht idhujtar, por dëgjimi i këtyre ajeteve e shtyu atë të hyjë në Islam. Ai tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke e lexuar në namazin e akshamit suren Tur. Kur i dëgjova këto ajete (ajetet 35 e më tutje): “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?!
Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd? Apo mos janë ata sunduesit e gjithçkaje?!”, zemra ime gati sa nuk fluturoi.” Në një transmetim tjetër thotë: “…ky ishte çasti i parë kur besimi u vendos në zemrën time.” Dhepastaj ka hyrë në Islam. Transmeton Buhariu në Sahihun e tij.
Kur shpirti (nefsi) e nxitë njeriun t’i bëjë mëkat Allahut, ai duhet ta kujtojë me zemrën e tij Madhërinë dhe Madhështinë e Tij dhe se sa i Fuqishëm është Ai, i Cili shumë lehtë mund të dënojë për atë mëkat. Ai është duke të të parë tyre, i shikon lëvizjet, veprat e veprimet e tua, i dëgjon fjalët të cilat i thua. Andaj, nëse besimtari e ndjen këtë në zemrën e tij, atëherë kjo padyshim që do ta pengojë nga rënia në mëkat, me lejen e Allahut.
Beshir ibn Harith el Hafi, rahimehullah, ka thënë:
“Sikur njerëzit të mendonin për Madhështinë dhe Madhërinë e Allahut, nuk do t’i bënin asnjëherë mëkat.” Nuk ka mundësi njeriu që kur e kujton Madhërinë e Madhështinë e Allahut t’i bëjë mëkat Atij.