VENDIMI DHE PËRCAKTIMI kadaja dhe kaderi

“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (lehvi mahfudh) para se të ndodhë” (Kur’an 57:22). Ngjyra e lapsit u tha e u shter, fletushkat e secilit u lartësuan në vendin e sigurtë, vendimi i çështjeve mori fund, dhe shënimet u caktuan.

“S’na godet asgjë tjetër, përveç asaj që na është caktuar nga Allahu” (Kur’an 9:51). Fatkeqësia që të goditi nuk ka mundur që të të mos godasë, e ajo që nuk të ka goditur nuk ka mundur të të gjejë. Me të vërtetë nëse ky hadith i sipërm i Muhamedit [s.a.v.s.] zë vend në besimin tënd që ushqen zemra jote, ngulitet në damarët dhe shpirtin tënd, atëherë fatkeqësitë që kanë qenë të caktuara të ndodhin dhe që nuk ke mundur t’u shmangesh e t’u largohesh, shndërrohen në fatmirësi.

Thotë i dërguari i Allahut [s.a.v.s.]: “Atë që Allahu ia do të mirën, e sprovon”. Prandaj, nëse dëshiron të mbetesh rob i dashur i Allahut [xh.sh.], mos e prish zemrën nëse të godet ndonjë e keqe, qëndro besimtar i paluhatur dhe durimtar i fortë përballë të këqijave.

Mos u shqetëso dhe trishto së tepërmi për shkak të sëmundjes që të zuri, e për shkak të vdekjes që të mori, për pasurinë që humbe, apo për shtëpinë që ta shkrumboi zjarri, sepse kështu ishte vendimi dhe caktimi i Allahut [xh.sh], që patjetër duhej të bëhej.

Kjo ishte ajo që zgjodhi Allahu për ty, dhe zgjedhja i takon vetëm Atij, ne s’kemi të drejtë t’i kundërshtojmë zgjedhjet e Tija se sado të hidhura dhe të rënda qofshin, ato janë në të mirën tonë. Megjithatë, mendja jonë është e kufizuar dhe ne s’kemi zgjuarsi t’i kuptojmë ato kur na godasin!

Ti vetëm pajtohu me atë që Allahu ndau për ty, se shpërblimi do të jepet dhe mëkatet do të të falen. U lumtë atyre që janë të palëkundur ndaj fatkeqēsive dhe që pajtohen me atë që marrin nga Allahu [xh.sh.] “Ai (Allahu) nuk pyetet se çka punon, po ata (njerëzit) pyeten” (Kur’an 21:23).

Kurrë nuk do të të qetësohet zemra e as nuk do reshtin pëshpëritjet e brendshme, e as nuk do të të largohen ngacmimet e gjoksit përderisa të mos kesh besim të plotë në vendimet dhe përcaktimet e Allahut [xh.sh.], prej orëve të lindjes e deri në momentin e fundit para shuarjes së lëvizjes tënde.

Gjithçka që do të shohësh, do të prekësh, e mbi të cilën do të ecësh, të është caktuar, jeta jote është e përmbledhur dhe e përmbyllur në librin tënd të cilit ti s’ia njeh fletët dhe kapakët, libër që gjendet në vend të sigurtë mbrojtjeje, dhe që shënimet e tij përfunduam qysh para lindjes tënde.

Pra mos e humb veten, e as kohën duke menduar: ‘sikur të isha munduar do ta kisha ndaluar murin të rrëzohet dhe kroin do ta kisha ndaluar të shpërthejë e të rrjedhë, erën do ta ndaloja të fryej, qelqin do ta mbroja që të mos thyhej…’ Ky tru nëse mendon rreth çështjeve të tilla s’është në rregull, dhe mendime të tilla janë trillime.

E domosdoshme është që caktimi të realizohet e të bjerë mbi ne, vendimi do të zbatohet: “E kush të dojë le të besojë, e kush të dojë le të mohojë” (Kur’an 18:29).
Dorëzoju caktimit të Allahut [xh.sh.] dhe gjunjëzoju vendimit të Tij, para se të të mbulojnë të ligat me radhë dhe para se të vajtosh dhimbshëm.

Pranoji me dëshirë nga qetësimi shpirtëror dhe nga gjerësia e zemrës para se të të kaplojë pendimi i kotë, se ato kanë pë të ndodhur! Pra, nëse i ke bërë të gjitha përpjekjet, e ke shpenzuar energjinë dhe mundin, pastaj përsëri të goditi së cilës i ruheshe me kujdes, do të thotë se mu ajo është dashur të ndodhë, e mos thuaj: ‘Sikur të kisha bërë kështu e ashtu, do të ishte kështu e ashtu’ , por thuaj: ‘Ky ishte caktimi i Allahut, dhe ajo që Ai dëshiron, bëhet.’