A UA KANË ZILI ATYRE NJERËZVE PËR ATË QË ALLAHU U DHA NGA MIRËSITË E TIJ?!

Xhelozia është një sëmundje e vështirë së silës s’i gjendet kurrë shërimi. Ajo i ngjan gangrenës që të dërrmon ashtin dhe të shkakton prishje në trup, fillon nga pikë e vogël, pastaj shpërndahet dhe kaplon tërë trupin, ashtu siç është thënë: “Ziliqari s’është kurrë i qetë, ai është zullumqari i vetvetes, është armik që rri i mbështjellë me pëlhurë të mikut.”

Kanë thënë: “Sa e mire dhe sa e drejtë është zilia, fillon me pronarin e saj e pastaj e mbyt po ate.” Unë ndaloj veten dhe përpiqem t’ju ndaloj edhe juve nga zilia.
Të mëshirojmë pra, vetët tona, para se të bëhemi të mëshirshëm ndaj të tjerëve. Nëse ne i xhelozojmë të tjerët për të mirat që kanë, dhe zemrat tona u dëshirojnë të keqen atyre, s’bëjmë tjetër veçse me trupin tonë ushqejmë të tjerët dhe shpërndajmë gjumin e qepallave tanë mbi sytë e tyre.

Vërtet, xhelozi është ai që ndez furrën dhe hyn e piqet vetë në të. Smirëkeqi prish jetën e lumtur të tij dhe i mbjell vetes ferra e kaçube. Belaja e ziliqarit qëndron në atë se ai lufton caktimin e Zotit dhe e akuzon Krijuesin për padrejtësi (Allahu na faltë), ka edukatë të keqe me ligjin e Tij dhe e kundërshton të Dërguarin [s.a.v.s.].

Ai qëndron në zjarrin djegës të përhershëm derisa të pushojë, apo të mirat e tjetrit nga prona t’ia largojë. Të gjithë përmirësohen dhe kthehen nga e mira, përveç xhelozit – ai kurrë nuk kthehet përveç nëse të sheh se gjithë çka pate të humbi, atëherë kënaqet. Allahu na ruajtë prej inatçorëve dhe smirëkeqëve se ata s’janë veçse gjarpërinj të zi helmues që s’ta largojnë gjuhën nga trupi derisa ta zbrazin pikën më të fundit të helmit në trup të pafajshëm. Andaj ta ndaloj! Ta ndaloj zilinë! Kërko ndihmë tek Allahu nga ziliqari, se ai në të vërtetë rri i gatshëm dhe të pret.