SHKAQET QË SJELLIN GËZIMIN DHE LARGOJNË BRENGAT E PIKËLLIMIN

Shkak tjetër që largon brengat dhe sjell lumturinë është edhe përpjekja për të eliminuar shkaqet që çojnë kah dëshpërimi dhe pikëllimi, në njërën anë, dhe sigurimi i kushteve për gëzimin dhe lumturinë, në anën tjetër. Kjo ndodh duke i harruar të këqijat, fatkeqësitë dhe belatë, që kanë ndodhur në të kaluarën, si dhe duke e ditur se preokupimi me këto gjëra është ngarkim i panevojshëm dhe i dëmshëm ndaj vetvetes, është budallallëk dhe çmenduri, kështu që përpiqet ta shmangë zemrën nga të menduarit rreth këtyre gjërave, si dhe nga frika për të ardhmen, gjegjësisht për gjërat që mund ta shqetësojnë, si: varfëria, frika, e liga dhe të këqija të tjera.

Besimtari e di se e ardhmja me të mirat dhe të këqijat, shpresat dhe frikën është e panjohur për të, se ajo është në dorën e Allahut dhe se prej tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç angazhimit për t’i përvetësuar të mirat dhe për t’i larguar të këqijat. Besimtari e di se, e ardhmja nuk e mban nën frikë nëse mbështetet në Allahun për të përmirësuar veten e tij dhe nëse ndien qetësi shpirtërore me caktimet e Tij. Andaj, zemra e tij do të qetësohet, hallet e tij do të përmirësohen dhe brenga e frika do t’i largohen.

Ndër gjërat më të dobishme që duhet aplikuar për vëzhgimin e të ardhmes së gjërave është lutja që Muhamedi (alejhi selam) e bënte: “O Allahu im! Ma përmirëso fenë, që është mbrojtje e çështjes sime, ma përmirëso dynjanë në të cilën jetoj dhe ma përmirëso ahiretin në të cilin do të kthehem. Ma bëj jetën shtesë të çdo të mire dhe bëma vdekjen rehati kundrejt çdo të keqeje.” (Shënon Muslimi)

“O Allahu im! Shpresoj në mëshirën Tënde, ndaj mos më lër të mbështetem në veten time as sa një pulitje syri. Ma përmirëso tërë gjendjen. Ti je i Vetmi që meriton të adhurohet!”

Nëse robi e bën këtë lutje me përkushtim, nijet të sinqertë dhe përpjekje konkrete për ta realizuar atë, atëherë Allahu i Madhëruar do t’ia përmbushë nevojën, do t’ia plotësojë kërkesën dhe brengat do t’ia shndërrojë në gëzim e në kënaqësi.