PERKUJTO DHE FALENDERO

O njeri, qëndro duke përkujtuar të mirat që t’i dha Allahu [xh.sh], mos u bëj i verbër dhe shurdh, se sado që t’ia lësh harresës begatitë e Tija dhe t’ua kthesh atyre shpinën, ato të vijnë pas e të mbulojnë nga maja e kokës deri te gishtërinjtë e këmbës. Qëndro, pra, besnik i vërtetë e mos i moho të mirat e Tija të panumërta. Allahu [xh.sh.] thotë: ”Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, s’do mund të arrini t’i përkufizoni” (Kur’an 14:34).

Zoti të dha trup të shëndoshë,të siguroi qetësi në vendin ku rri dhe banon, të dha ushqime të larmishme, krijoi per ty ujin dhe ajrin. Pra, një gjithësi e tërë është për ty, e ti nuk ndjen, e as nuk di. “Dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta” (Kur’an 31:20). Të bëri me dy sy, me gjuhë dhe buzë, të dha gjymtyrë: dy duar dhe këmbë, t’i zbukuroi në mënyrën më të përsosur ashtu siç i kanë hije dhe i përshtaten cdonjërit: “ E cilën të mirë të Zotit tuaj e mohoni?” (Kur’an 55:13).

Pra, a mendon ti se të ecurit me dy këmbë të këputura është më lehtë se të ecurit me këmbë të plota e të shëndosha? A është pak për ty kur gjumin e bën të qetë e të tjerët nga dhimbja që kanë nuk shijojnë gjumë në sy, disa me ditë, e disa me muaj, e disa me vite të tëra, sa që kur shërohen dhe bëhen siç kanë qenë harrojnë se si ecet…?! A mendon kur mbush stomakun e ngopesh me ushqim të lezetshëm, pastaj kur pin ujin e ftohtë e freskon shpirtin, se shumë të tjerë janë të privuar nga kjo kënaqësi, ngrëniet dhe pirjet e të cilëve janë të përziera me dhimbje e sëmundje?! Hidhi nje vështrim vehtes, pastaj mendo e përkujtoji ata që humbën dëgjimin e mbetën të shurdhër, njihja vlerën dy syve të tu me të cilët sheh dritën dhe terrin, e kujto ata që humbën të pamurit dhe si peshqesh u mbeti ngjyra e zezë.

Po, vetëm ngjyrën e zezë kanë! Shiko lëkurën e trupit që ke, të butë, të njomë, larg sëmundjeve që të tjerët i patën, e pastaj falendero Krijuesin tënd që s’të bëri nga lëkurësëmurët, dhe që është fare lehtë për Allahun [xh.sh] që ti të ishe në grupin e tyre. Mendo rreth kafkës brenda së cilës ke më të çmuarën-trurin që të dallon nga kafshët, që të bëri prej të mençurve e s’te molepsi me çmenduri duke mbetur i marrë…! A do pajtoheshe që të të ofronin ar sa kodra e Uhudit, e t’ua jepje vetëm njërin sy?! A do të të doje që të ta hiqnin gjuhen me të cilën flet qartë dhe në vend të saj të të dhuronin pallate mbretërore?!

Pra a do e ndërroje dorën e trupit kundrejt ca gurëve të vegjël të çmuar?! Jo! Gjithcka që ke në trupin tënd nuk zëvendësohet me asgjë se për atë nuk ka çmim. Ti, pra, me të vërtetë zotëron dhe jeton me më të shtrenjtat dhunti, por fatkeqësisht nuk i njeh dhe nuk i di, jeton i mërzitur, i lodhur, i raskapitur nga shpirtngushtia, i brengosur, i pikëlluar, i zymtë thua se mban përgjegjësinë e gjithë njerëzisë.

Imagjinon të humburën dhe s’je falenderues për atë që ekziston dhe është pranë teje, zemërohesh nga një humbje fare e vogël të hollash, e nuk i sheh çelsat e lunturisë që ke në dorë…Përkujto dhe Falendero. “Po edhe ne veten tuaj – a nuk(doni të) shihni?” (Kur’an 51:21). Hidhe vështrimin mbi veten tënde, mbi familjen dhe shtëpinë, mbi punën dhe shëndetin tënd, mbi shoqërinë dhe shokët, dhe mbi gjithçka që është rreth teje , do të bindesh në atë që shoeshherë e mohon. “Ata i njohin të mirat e Allahut, pastaj injorojnë” (Kur’an 16:83).