“A NUK ËSHTË AI QË I PËRGJIGJET NEVOJTARIT KUR AI E THËRRET?”

Te kush drejtohet lypësi i pikëlluar, e te kush mbështetet i lodhuri dhe i rraskapituri? Përpara cilës fuqi shtangen krijesat, zërat kur brohorasin cilin përkujtojnë, zemrat cilin dëshmojnë…? S’ka dyshim se të gjithë ne, në çfarëdo gjendje të jemi, i drejtohemi Allahut [xh.sh], i Cili është i vetmi i denjë për asistencë.

Është borxh i imi dhe i yti vëlla që Allahun ta thërrasim në vështirësi e në lehtësi, haptazi e fshehurazi, në terr e në dritë, në vetmi e në shoqëri, të trokasim
në derën e mëshires së Tij, sepse Ai nuk e kthen lypësin duarbosh. Le të derdhim lotin e pastër nga frika dhe devotshmëria ndaj Tij e të qëndrojmë të përulur përballë fuqisë së Tij.

Kuptoje, o njëri, se ndihmën dhe mëshirën e Zotit s’ka kush e pengojë: “A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret” (Kur’an 27:62). Nëse gjendesh në thellësirat e detit gati për t’u mbytur, përkujto emrin e Tij me përsosmëri e sinqeritet, se Allahun aty e ke e s’je vetëm. “Kur hipin në anije (u këputet lidhja me tokën dhe frikësohen) i luten sinqerisht Allahut” (Kur’an 29:64).

Mos u vetmo në mendime, se të gjitha lidhjet mund të këputen dhe copëtohen perveç lidhjes së Allahut [xh.sh.], të gjitha dyert mbyllen dhe shkretohen përveç derës së Tij. Allahu është afër teje, të dëgjon kur E thërret dhe të pērgjigjet kur E lut. Të urdhëroi Ty, mua e të gjithë neve, që jemi të varfër, te dobet dhe nevojtarë për afrinë e mëshirës së Tij.

Allahu është i Pasur, i Fuqishëm, i Vetmi; Ai s’ka nevojë t’i ofrojë dikush ndihmë. Na mësoi si t’i lutemi: “Më thirrni mua, Unë u përgjigjem lutjeve tuaja” (Kur’an 40:60). Kur të godasin telashet dhe shqetësimet, mos ngurro që ta thërrasësh Allahun Fuqiplotë, thirre me emrat e Tij të bukur, kërkoje ndihmën e Tij, rehatinë dhe mbështetjen nga Ai.

Mundësoja ballit të puthë dheun dhe fytyrës të bjerë në tokë, tregoji vetes se je rob i Tij që të lirohesh nga robëria nga të tjerët, shtriji duart, ngriti shuplakat, zgjidhe gjuhën, shpeshtoje lutjen, kërko shumë, insisto e ngul këmbë, prite mirësinë e Tij, fitoren e Tij, përmbaju Emrit të Tij, përmirësoje mendimin për Të,
përkushtoju Atij, kthehu ng Ai fuqishëm që të bëhesh i lumtur e të shpëtosh.