NJERIU DO TË PËRGJIGJET SE ÇFARË KA VEPRUAR ME DITURINË E TIJ?

Pyetje: NJERIU DO TË PËRGJIGJET SE ÇFARË KA VEPRUAR ME DITURINË E TIJ?

Përgjigje: Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka njoftuar se, në ditën e gjykimit njerëzit do të pyeten për diturinë që kanë pasur dhe se çfarë kanë vepruar me të? Sikur që është përmendur në hadithin e transmetuar nga Ebu Berzete el Eslemij, se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Asnjë rob nuk do të lëvizë nga vendi ditën e gjykimit, derisa të pyetet për katër gjëra – në mesin e tyre përmendi – edhe për diturinë e tij se çfarë ka vepruar me të’.

Lidhur me këtë, është transmetuar nga Ebu Derda të ketë thënë: “Kamë frikë se ditën e gjykimit do të më thërret Zoti im para të gjitha krijesave dhe të më thotë: “O Uvejmir! Çfarë ke vepruar me atë që ke mësuar?”. Kjo është një gjendje trishtuese, sepse për çdo gjë që njeriu ka mësuar do të pyetet: çfarë ke vepruar me atë që ke mësuar? Sepse qëllimi i diturisë është vepra, dhe mu për këtë çdo njeri do të pyetet për diturinë që ka mësuar.

Është transmetuar nga një numër selefësh të kenë thënë: “Ah sikur të kisha shpëtuar nga dituria që kam, e të mos i mbetem borxh”. Nga kjo kuptohet frika e madhe që selefët kanë pasur ndaj Allahut, si dhe frika e tyre se a do të jenë të vlefshme dituria dhe veprat e tyre, siç thotë Hasen el Basriu: “Besimtari ka bashkuar mes veprave të mira dhe frikës, kurse munafiku ka bashkuar mes veprave të këqija dhe shpresës. Edhe kjo përkitet me thënien e Ibën Ebi Mulejkes, i cili thotë: “Kam arritur t’i takojë gjallë më tepër se tridhjetë sahabe, secili prej tyre kishte frikë nga nifaku”

Sahabeve Allahu u ka dhënë dy gjëra madhështore: mirësi dhe përsosmëri në vepra dhe ibadete dhe në të njëjtën kohë u ka dhënë frikë nga Allahu se nuk do t’u pranohen ato vepra, siç thotë Allahu i lartësuar: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre” (Mu’minun/60).

Nga Aisheja (radij Allahu anha) është transmetuar ta ketë pyetur Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) rreth këtij ajeti, duke i thënë: “A janë këta persona ata të cilët pinë alkool, bëjnë zina dhe vjedhin?” Ai është përgjigjur: “Jo, oj e bija e Siddikut! Por, ata janë të cilët agjërojnë, falin namazin, japin sadakë dhe prapë kanë frikë se nuk do t’u pranohen ato, janë ata të cilët nxitojnë për në punë të mira.”

Allahu gjithashtu thotë: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)!” (El Bekare/127) Ndërsa, kur Vuhejb ibën Vird e kishte lexuar këtë ajet, kishte qajtur dhe kishte thënë: “O i dashuri i Allahut! I ke ngritur themelet e shtëpisë së Allahut dhe prapë ke pasur frikë se nuk do të pranohet kjo vepër!”