Një mëkatari i falen gabimet për shkak të moralit të tij të mirë

Profeti, salAllahu alejhi ue selem, na lajmëron për një person që bënte pjesë në grupin e atyre që njëhsojnë Allahun. Ai do të vijë Ditën e Gjykimit në momentet kur do t’i jenë mbaruar punët e mira, si pasojë e punëve të këqija që kishte bërë dhe Allahu i Madhëruar do ta falë atë. Kjo, për shkak se prej moralit të tij të mirë, ai ua falte dhe ua lehtësonte borxhlinjve borxhet.

Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu (versioni është i tij), transmetojnë nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se Profeti, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kishte qenë dikur një njeri që nuk kishte bërë asnjëherë punë të mira(adhurime), por ishte nga ata që u jepnin borxhe njerëzve. Ky person i thoshte nëpunësit të tij: “Merr borxhet nga ata që kanë mundësi t’i shlyejnë dhe lehtësoja ose falua atyre që nuk kanë mundësi, në mënyrë që Allahu i Lartësuar të na falë neve.

Kur ky njeri ndërroi jetë, Allahu i Madhëruar i tha: “A ke bërë ndonjë punë të mirë?” Njeriu i përgjigjet: “Jo, vetëm se unë kisha një djalosh që e dërgoja për t’u dhënë borxhe njerëzve. Kur e dërgoja djaloshin për t’i mbledhur borxhet, e porosisja: “Merri borxhet nga ata që kanë mundësi t’i shlyejnë dhe lehtësoja apo falua atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, në mënyrë që Allahu i Lartësuar të na falë neve.

Atëherë, Allahu i Madhëruar i thotë: “Unë të kam falur.” Ndërsa në versionin e Muslimit nga Ebu Mesudi thuhet: “Allahu i Madhëruar i tha: “Ne jemi më primarë se ai për ta bërë një falje të tillë, prandaj lëreni atë.”