Mos u pikëllo për atë që ta humbi të mirën që i bëre, sepse ti dëshiron shpërblimin prej Allahut

Kur t’u bësh mirë të tjerëve, bëje vetëm për hir të Allahut [xh.sh.] Ajo vepër të jetë e sinqertë, larg qëllimeve të prishura për të marrë emër, apo pozitë ndër njerëz. E kur vepra jote rrjedh nga sinqeriteti i pastër dhe vetëm për hir të Allahut, atëherë mos prit falënderim prej askujt, por shpërblim nga Mëshiruesi. Mos u mërzit e ta zaptosh trurin në i ofrove dikujt dobinë dhe të mirën, e ai pastaj ta shkeli atë dhe u bë sikur s’të ka njohur kurrë, sepse nuk e vlerësoi atë dorë fisnike, të bardhë, e as atë të mirë që i bëre, pa kurrëfarë interesi personal. Pra kërkoje shpërblimin prej Allahut [xh.sh.] Ai në Kur’an thotë: “Kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre” (Kur’an 48:29).

Thotë Allahu [xh.sh.] për të dërguarit e Tij: “Unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim” (Kur’an 26:109). “Unë s’kërkova prej jush ndonjë shpërblim, nëse kam kërkuar, ai le t’u mbetet juve” (Kur’an 34:47). “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim” (Kur’an 76:9).  Ofroje të mirën, se e mira nuk humbet.

Nëse njerëzit s’të falenderojnë, tek Allahu ajo të shkruhet. Vepro për Allahun Një e të Vetëm, ngase Ai është që të shpërblen, të jep dhe të ndalon, të dënon e të llogarit, pajtohet e zemërohet, i Lartësuar qoftë Ai.

Në kohën e kalifatit të Umerit kur disa luftëtarë ranë dëshmorë në qytetit Kandahar të Afganistanit, kaloi Umeri pranë dëshmorëve së bashku me shokët e tij dhe i pyeti: ‘Kush janë këta dëshmorë?’ Ata ia treguan emrat e të vrarëve që i dinin, e pastaj i thanë Omerit: ‘Këtu ka të vrarë që nuk i njohim e as ua dimë emrat.’ Sytë e Omerit rrodhën lot të nxehtë dhe ai tha: ‘Por Allahu i di ata.’

Thuhet se një rob i mirë një ditë prej ditëve e ushqeu me ushqimin më të shijshëm një njeri që kishte humbur të pamurit, dhe këtë e bëri në praninë e familjes së të gjorit. Njëri prej tyre tha: ‘Ky është i verbër, dhe nuk di e as që sheh se çka ha!’ Tha robi i mirë: ‘Por Allahu di dhe sheh se ç’i ofroj unë dhe ç’ha ai!’ Pra, përderisa Allahu të sheh, të përcjell kudo që të jesh, di se çka jep dhe ç’bën për të tjerët, për njerëzit mos mbaj barrë të rëndë, se është e kotë!