Islami

Ç’është ISLAMI ?

Në Emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

O ju që besuat, hyni në Islam tërësisht (dmth përqafoni fenë Islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armiku juaj i hapët. (Kur’an, 2:208) Pa dyshim feja te Allahu është Islami. U kundërshtuan ata që u është dhënë libri, pasi u erdhi e vërteta, nga zilia mes vete. E kush mohon argumentet e Allahut, (le ta dijë se) Allahu (ia) llogaritë shpejtë. (Kur’an, 3:19) Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe. (Kur’an, 5:3)

Ç’është Feja Islame?

Islam do të thotë: besimi në një Zot dhe nënshtrim ndaj Tij; të besuarit në urdhërat e Zotit dhe në porositë e Profetit Muhamed a.s. Feja Islame është themeluar mbi dy PARIME të mëdha të besimit (Shehadeti): 1. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut 2. Muhamedi a.s. është i dërguari i Zotit si profet për tërë njerëzinë.

SHEHADETI: La ilahe il-lallah, Muhamed resulullah. (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij) Këto fjalë feja Islame i konsideron si deklaratë, në të cilën përfshihen dy parimet e para themelore të Islamit. Ai që këtë deklaratë të madhërishme e shpreh me gojë dhe e vërteton me zemër, konsiderohet se ka hyrë në Fenë Islame.

PARIMET E BESIMIT ISLAM
1. Besimi vetëm në një Zot. (Të mos besosh se ka ndonjë Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Zotit.)
2. Besimi në engjëjt e Zotit.
3. Besimi në Librat e Shenjtë të Zotit.
4. Besimi në të gjithë profetët e Zotit.
5. Besimi që një ditë do të vdesim dhe do të ringjallemi në Ditën e Gjykimit.
6. Besimi që çdo e mirë dhe e keqe krijohet sipas caktimit të Zotit.

ISLAMI NGRIHET MBI 5 SHTYLLA

1. DEKLARATA: “Esh-hedu en la ilahe il-lallah, ue esh-hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu ”
“Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij”, e cila duhet të shprehet me gojë nga një person, por edhe të besohet me zemër.
2. Shtylla e dytë e Fesë Islame është NAMAZI, falja e pesë kohëve të namazit në ditë.
3. ZEKATI, që është “detyrim” nga pasuria, të cilin e japin vetëm ata që kanë një shumë të konsiderueshme pasurie. Zekati jepet njëherë në vit, në një sasi prej një të dyzetën, ose 2,5 % të pasurisë.
4. AGJËRIMI në muajin e Ramazanit.
5. Kryerja e HAXHIT, për ata që janë të shëndetshëm dhe që u mjaftojnë shpenzimet e udhëtimit deri në Qabe dhe për kthim në atdheun e tyre. Këta persona Haxhin e kanë detyrë të domosdoshme, kur shpenzimet e Haxhit nuk cënojnë buxhetin e familjes.

MORALI NË ISLAM
Njeriu lind me shpirt të pastër. Në qoftë se sëmuremi nga ana fizike, paraqitemi tek mjeku dhe e përmirësojmë shëndetin me anë të ilaçeve. Por gjatë jetës së njeriut , ashtu siç sëmuret trupi, ndodh që të sëmuret edhe shpirti. Ndërsa për përmirësimin e trupit ekzistojnë shkencat mjekësore, për përmirësimin e shpirtit ekziston shkenca shoqërore e moralit. Pra, MORALI shëron sëmundjet shpirtërore. Libri i Shenjtë – KUR’ANI – që është burimi i besimit dhe ibadeteve (adhurimeve), është gjithashtu edhe burimi i shkences së moralit. Lidhur me këtë temë, Profeti ynë Muhamedi a.s. ka thënë: “Unë jam dërguar vetëm për të përsosur moralet e mira”.
Për të arritur lumturinë në këtë botë dhe tjetrën, është e nevojshme që të realizojmë disa kushte të mirësjelljes si më poshtë:

1. Detyrat tona ndaj Zotit.
2. Detyrat tona ndaj vetes.
3. Detyrat tona ndaj familjes dhe farefisit.
4. Detyrat tona ndaj popullit dhe shtetit tonë.
5. Detyrat tona njerëzore ndaj tërë njerëzisë.
Së fundi, po e mbyllim këtë informacion të shkurtër me thënien e Allahut të Madhëruar marrë nga Kur’ani: “Dhe në qofte se të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së atij që më lutet; Pra le të më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë, në mënyre që të gjejnë rrugën e vërtetë.”