Ideologjia mbi të cilën është ngritur mendimi ateist dhe në çfarë i thërret njerëzit

Së pari vlen të theksohet se: ideologjia ateiste nuk ka një teori të plotë, nëpërmjet së cilës ajo të jetë në gjendje të shpjegojë të gjitha dukuritë që nga fillimi deri në fund dhe t`u përgjigjet të gjitha pikëpyetjeve enigmatike. Ajo që ateistët u paraqesin njerëzve është një grumbull dyshimesh dhe supozimesh që nuk e kënaqin mendjen dhe nuk janë bindëse.

Ata përpiqen ta mbështesin ideologjinë e tyre me një teori shkencore këtej dhe një filozofi andej, dhe kështu kanë ngatërruar mes këtyre të dyjave dhe kanë dalë pastaj nga kjo përzierje, me një dogmë të shpërfytyruar dhe të deformuar e cila nuk është aspak bindëse. Nëpërmjet studimit gjejmë se ateistët e bazojnë ideologjinë e tyre mbi dy baza: E para: Teori shkencore eksperimentale E dyta: Teori ideologjike filozofike Këto dy baza duhen sqaruar mirë, në mënyrë që ta kuptojmë ateizmin në mënyrë të saktë dhe në thellësi.

Baza e parë: Teoritë shkencore  eksperimentale

Pas hulumtimeve del se teoritë shkencore eksperimentale mbi të cilat mbështetet ateizmi janë dy llojesh: Lloji i parë: Teori shkencore të pavërteta. Shumë prej atyre teorive që mbushën botën me poteret e tyre në dy shekujt e kaluar, kanë filluar të rrëzohen dhe vendin e tyre po e zënë tanimë, teori që përputhen me realitetin e besimit fetar.

Aktualiteti është dëshmitar i asaj se teoritë e reja shkencore janë larg ateizmit dhe më pranë besimit. Në një kohë që feja e Allahut dhe për këtë lavdërimi i takon Allahut, është e qëndrueshme, e pandryshueshme, sepse ajo është shpallje nga Allahu. Pastaj, nëse supozojmë se ato teori janë të vërteta, ato prapë mbeten teori të mangëta, nuk janë gjithëpërfshirëse, nuk shpjegojnë çdo gjë dhe për këtë së shpejti do të sjellim shembuj konkretë.

Lloji i dytë: Teori të sakta, por që janë larg shpjegimit të shkaqeve dhe lidhjeve që ekzistojnë mes krijesave, edhe nëse ato teori shoqërohen me stërhollimet e tyre filozofike. E megjithatë në fund ato nuk ofrojnë shpjegim të plotë për ekzistencën e këtij universi në këtë formë të saktë, me këto ligje të qëndrueshme pa një Krijues, Rregullues dhe Sistemues të Urtë e të Dijshëm, ashtu siç ata pretendojnë.

I gjithë problemi tek ata lind nga fakti se ata nuk duan ta pranojnë lidhjen ndërmjet shkaqeve dhe shkaktuesit të tyre, si dhe ndërmjet krijesave dhe Krijuesit. Teoritë më të rëndësishme të tyret ishin: Teoria e parë: Teoria e Darvinit. Këtë teori ai e ka shpjeguar në librin e tij “Origjina e specieve”, libër i cili u bë gurë-themeli i teorisë ateiste të evolucionit.

Darvini e ngriti idenë e tij mbi bazën e asaj se gjallesat nuk janë krijuar çdonjëra prej tyre në mënyrë të pavarur, por ato kanë një origjinë të përbashkët e cila është qeliza e thjeshtë. Kjo qelizë pastaj ka vazhduar të evoluojë dhe të përparojë si gjallesë, etapë pas etape, derisa u bë njeriu dhe gjallesat e tjera. Dhe natyra, gjatë kësaj kohe zgjidhte më të fortin për mbijetesë. Këtë ai e quajti: “përzgjedhja natyrore” ose “mbijetesa e më të fortit”.

Ideologjia darviniane ka mbledhur ateistët më të mëdhenj të botës, të cilët pretendojnë se njeriu nuk ka një Krijues dhe se ai është produkt i një evolucioni natyror miliona vjeçar dhe se ai është ngritur dhe ka mbizotëruar mbi llojet e tjera të ndryshme të gjallesave. Ateistët i kanë dhënë rëndësi të madhe kësaj teorie, sepse ajo sipas tyre është teoria e vetme e aftë për të shpjeguar gjithësinë dhe jetën pa pasur nevojë për një Krijues.

Por në realitet ajo s’është tjetër veçse një hipotezë e brishtë, e dobët dhe pjesët e saj nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye ajo është zbehur dhe është venitur shumë në kohën tonë. Rrëzimi i kësaj teorie, nëpërmjet fjalëve të shkencëtarëve dhe studiuesve kritikë, mund të përmblidhet në pikat e mëposhtme: Së pari: Ajo është teori e mangët, sepse nuk shpjegon të gjitha format e jetës në këtë gjithësi.

Psh: ajo nuk jep shpjegim për prejardhjen e insekteve, kur dihet se ato përfaqësojnë 80% të gjallesave në tokë dhe përse nuk është zbatuar mbi to ligji i evolucionit. Siç nuk jep shpjegim as për zogjtë. A kanë evoluar shpendët të cilët fluturojnë? Cila ishte origjina e tyre? Dhe gjëra të tjera që lidhen me gjallesat të cilat kjo teori i ka lënë në harresë.

E çfarë vlere ka një teori që nuk shpjegon 90% të formave jetësore, të cilat supozohet që ajo t’i trajtojë dhe t’u japë përgjigje?! Së dyti: Përfaqësuesit dhe përkrahësit më të mëdhenj të kësaj teorie ishin të paaftë të sqaronin mënyrën e transferimit të jetës nga gjëja e ngurtë në krijesë të gjallë. Kështu nëse i pyet ata: Si erdhi jeta papritmas nga një qelizë e ngurtë në krijesën më të lartë të gjallë, e cila ka ndjenja dhe logjikë!?

Ateisti dhe “teoria” e tij të përgjigjet: Ky evoluim ndodhi befas! Rastësisht! Dihet se “rastësisht” nuk është përgjigje shkencore, përkundrazi ajo është një përgjigje që bie ndesh me dijen, siç do ta qartësojmë së afërmi – me lejen e Allahut. Së treti: Nëse mediton gjërat mbi të cilat bazohet kjo teori, do të gjesh se ajo niset nga ekzistenca e ngjashmërive mes gjallesave, prandaj Darvini ka menduar se origjina e njeriut është një majmun, për shkak të ngjashmërisë.

Ia vlen të përmendet me këtë rast, një pjesë poezie që ka shkruar ateisti “Ez Zehauij”, ku ai mburret se e ka prejardhjen nga një lloj majmuni i zhdukur dhe thotë: “Ne s’jemi gjë tjetër veç majmunë, nga një lloj majmuni i zhdukur. Mburrje për ne është ngritja jonë, në shkallët e kuptimit” Them: Kjo teori pretendon se ekzistenca e sëmundjeve të përbashkëta mes njeriut dhe kafshëve, tregon se ka ngjashmëri mes tyre.

Dhe këtu pyeten përkrahësit e këtij mendimi: Përse të mos ketë ardhur njeriu nga miu dhe jo nga majmuni, kur dihet se ata të dy kanë shumë sëmundje të përbashkëta, siç është për shembull kanceri?!5 Dhe përgjigje prej tyre nuk ka. Prej çudirave të kësaj teorie përmendim gjithashtu: Pretendimin e tyre se organet që nuk janë të përdorshme, zhduken me kalimin e kohës dhe trashëgohen ashtu të fshehura tek brezat e ardhshëm; ndërsa ato që përdoren, forcohen dhe evoluojnë.

Prandaj thonë: Qafa e gjirafës është bërë e gjatë sepse ajo kishte nevojë të hante nga pemët dhe kështu zgjaste qafën, pastaj u zhvillua edhe më shumë derisa iu bë qafa e gjatë! Pyetja që u bëhet atyre është: Përse nuk është zgjatur qafa e dhisë, kur dihet se asaj i pëlqen shumë të hajë gjethet e pemëve dhe ajo e zgjat qafën e saj qysh prej mijëra vjetësh? Përsëri s’ka përgjigje!

Darvini thotë gjithashtu se paraardhësit tanë e kishin trupin të mbuluar me lesh të dendur dhe se kur evoluan dhe u shndërruan në njerëz me këtë formë që kanë sot, u zhdukën shumë prej qimeve nga trupi i tyre për shkak të mospërdorimit apo për shkak të mungesës së nevojës për to.

Por kur deshi të shpjegonte mungesën e qimeve tek gratë siç është te burrat, solli një justifikim të çuditshëm, duke pretenduar se kjo është e domosdoshme për bukurinë e gruas dhe që ajo të jetë sa më tërheqëse! Kjo arsye mund të ishte e pranueshme nëse ai që e shikon këtë temë beson në ekzistencën e një Krijuesi të Urtë, por ateistët nuk e pranojnë këtë gjë!

Po ashtu, Darvini u përpoq të shpjegonte ekzistencën e qimeve në pjesën e kokës së njeriut dhe arsyen përse ato nuk u zhdukën bashkë me qimet e tjera të trupit, gjatë evoluimit të tij imagjinar dhe tha: “Duke qenë se koka është e ekspozuar shumë ndaj goditjeve, ishte e domosdoshme që të mbetej floku në të (për ta mbrojtur)!”

O Zot sa e çuditshme! Po balli dhe hunda, të cilat janë edhe më shumë të ekspozuara ndaj goditjeve dhe përplasjeve?! (Përse s’ka flokë mbi to?!) Po qimet e brendshme të trupit? Edhe ato për këtë qëllim mbetën dhe nuk u zhdukën?! Në mënyrë të përmbledhur themi: Kjo është një teori e dobët dhe e rrënuar. Teoria e dytë: “big bang”-u (Shpërthimi i madh)

Në mënyrë të përmbledhur kjo teori thotë se: Origjina e universit ishte një pikë e vetme, e vogël sa maja e një gjilpëre, e cila notonte në askund dhe asnjë-kohë. Pastaj papritmas, ajo shpërtheu, para 15 miliard vjetësh. Nga ky shpërthim, gradualisht u formua kjo gjithësi.

Kështu pra, origjina e këtij universi nuk ishte gjë tjetër veçse maja e një gjilpëre! Pyetja që do të mbetet si “kamxhik” që godet shpinat e ateistëve është: Nga erdhi kjo majë gjilpëre? Kësaj nuk i janë përgjigjur ende dhe as që do t`i përgjigjen ndonjëherë. Pastaj: Përse ajo majë gjilpëre qëndroi e palëvizshme, pastaj vendosi papritmas të shpërthente?! Çfarë e dallon pikërisht këtë çast në të cilin ajo shpërtheu nga të tjerët?! (Përse shpërtheu pikërisht në atë çast dhe jo në një çast tjetër?!)

Pastaj: Si mundet që një shpërthim të prodhojë një rend të përsosur?! A mund të ndodhë që shpërthimi vetë të sjellë rend të harmonizuar?! Pastaj: Si erdhi jeta, logjika dhe ndjenjat nga një pikë e lëndës së ngurtë?! Ateisti përgjigjet: Ndodhën disa reaksione që prodhuan disa qeliza, të cilat u bashkuan dhe u formuan pas shpërthimit me këtë rend të përsosur në çdo gjë.

Dhe kur pyetet: Si ndodhi ky bashkim i këtyre qelizave? Dhe si erdhi jeta nga gjëja e ngurtë? Ateisti të përgjigjet me naivitet: Kjo ndodhi vetvetiu, ashtu rastësisht! Tek ateistët, rastësia është zoti i botëve, i cili ka krijuar këtë univers! Sepse tek ata të gjitha dukuritë lidhen me të. Rastësisht u gjend qielli dhe atmosfera, u gjend presioni i ajrit. Rastësisht u gjendën gazet, u gjendën retë, u gjend një tokë e përshtatur për jetën, u gjendën lumenjtë, u gjendën detet, u gjendën peshqit dhe po rastësisht u gjend njeriu.

U gjendën organet që i duheshin atij: u gjend dëgjimi, shikimi, u gjend një zemër që rreh, u gjendën rruazat e kuqe dhe të bardha të gjakut në sasinë e duhur. E mbi këto të gjitha: u gjend logjika dhe ndjenjat. Të gjitha këto ndodhën, sipas ateistëve, rastësisht! Nuk dyshon asnjë i logjikshëm se ligji i rastësisë është i kotë, sepse rastësia nuk mund të sjellë rregull të përsosur.

Le të japim një shembull: Supozojmë se kemi vendosur një grup majmunësh në një dhomë dhe vendosim para tyre disa makina shkrimi dhe disa fletë që të luajnë me to, pastaj kthehemi tek ata pas një farë kohe. A mendon se do të gjejmë tek këto makina shkrimi, ndonjë poezi romantike të mrekullueshme e cila konkurron poezitë e poetëve të mëdhenj?!

Një shembull tjetër: Po të vendosnim makinën e shkrimit përpara një foshnje që luan me të, pastaj e shikojmë fletën pas një farë kohe, a ka mundësi të gjejmë se ai ka shkruar në të një ekuacion matematikor të gradës së dytë, madje edhe e ka zgjidhur atë?! Një shembull i tretë: Nëse vendosim në një kuti disa pusulla të vogla, ku tek çdo njëra nga të cilat është shkruar një shkronjë, pastaj e tundim kutinë fort, pastaj e hapim.

A mund ta besojë dikush që ka logjikë se shkronjat janë grumbulluar dhe kanë formuar një fjalim entuziast madhështor? Shembulli i katërt: Po të hedhim pas shpinës sonë gurë njëri pas tjetrit, a është e mundur që kur të kthejmë kokën pas të gjejmë një shtëpi të bukur?! Përgjigjja e pyetjeve të mësipërme, për çdo njëri të logjikshëm, do të jetë: “Jo”, ndërsa tek ateistët: “Po”!! Kam hasur se njëri prej ateistëve me emrin: Ismail Ed’hem i cili ka vdekur në vitin 1940, ka shkruar një libër të cilin e ka quajtur: “Përse jam ateist?”!! Në të cilin ai mbron me zjarr, ligjin e rastësisë.

Ai thotë se bota është si një shtypshkronjë në të cilën ka një milion nga çdo shkronjë e alfabetit. Këto shkronja pastaj fillojnë të lëvizin dhe të përplasen me njëra-tjetrën, afrohen, largohen e shkëputen, në një rreth vicioz pa mbarim.

Dikur do të dalë libri: “Origjina e specieve” të cilin e shkroi Darvini, madje të gjithë librat do të fillojnë të shfaqen, duke iu nënshtruar supozimeve dhe mundësive të pafundme. Kështu “me këtë lehtësi!” është e mundshme për të, pasi i trazon këto shkronja, të na dalin të gjithë librat! Dhe këto nuk janë aspak fjalët e një njeriu që ka probleme mendore, apo të një njeriu mendjelehtë, përkundrazi këto janë fjalët e një njeriu që është doktoruar në matematikë dhe flet tetë gjuhë.

E megjithatë ai thotë këto fjalë të cilat i refuzon çdo njeri i logjikshëm, madje edhe budalla, por ky është ateizmi, i cili e shndërron njeriun në krijesën më të pa mend në mënyrë absolute. Pastaj, vetëm këto fjalë të atij mjaftojnë për ta rrëzuar ateizmin e tij nga themelet. Ai pretendon se këto shkronja kur lëvizin dhe përplasen do të sjellin të gjithë librat. Mirë! Por kush është ai që i lëvizi ato?!

Atëherë ato kanë nevojë dhe kjo është afër mendjes, për dikë që t’i lëvizë dhe për dikë që e mbush bojën pasi ajo të mbarojë, kanë nevojë për një vend ku të mblidhen ato shkronja, kanë nevojë për atë që do t’i rendisë faqet në atë mënyrë që çdo faqe të ketë numër të barabartë rreshtash, pastaj ka nevojë për dikë që t’i ndajë librat dhe ta lidhë secilin mëvete.

Kështu që nuk mjaftoi vetëm rastësia për nxjerrjen në dritë të librave, por duhej fuqi, duhej vullnet dhe urtësi, dmth ka nevojë për një veprues, të aftë dhe të mençur. Medito pak në shembullin e mëparshëm të hedhjes së gurëve, po t’i ndërronim gurët me vezë psh, a do të ndërtohej shtëpia? Përgjigjja e sigurtë është: “Jo” Pra,kërkohet projektim dhe mençuri.

Kështu është çështja edhe me grimcat e universit (atomet), ato janë të bashkuara mes tyre me urtësi, kështu që nëse ato bashkohen në një mënyrë të caktuar formohet ari, e nëse bashkohen në një mënyrë tjetër formohet uji, e kështu me radhë. Të gjithë të mençurit janë dakort se rastësia nuk prodhon rregull dhe ajo nuk mund të përsërisë një rregull të njëjtë dhe nuk ka mundësi të shfaqet gjithmonë në të ndikimi i qëllimit.

E vërteta që s’mund të mohohet është se: ateisti është njeriu më i pamend në çështjen më të rëndësishme edhe nëse është i zgjuar në të tjerat. Allahu e mëshiroftë imam Dhehebiun kur tha në fund të biografisë së “Ibn Rauendit” i cili ishte ateist dhe njëkohësisht shumë i zgjuar: “Allahu e mallkoftë atë zgjuarsi pa besim dhe Allahu qoftë i kënaqur nga naiviteti i shoqëruar me devotshmëri”

Larg gënjeshtrës së krijimit të rastësishëm, e gjejmë në Kuran të sqaruar në pak fjalë sqarimin e realitetit të krijimit, ku i Lartësuari thotë: “A mos u krijuan ata nga hiçi?! Apo ata janë krijuesit?! A mos i krijuan ata qiejt dhe tokën?! Por jo, ata nuk janë të bindur.” (Tur: 35-36)

Këtë e kuptoi një arab i shkretëtirës i cili nuk kishte diplomë në matematikë e as nuk kishte studiuar teoritë e Niçes, të Lavoisierit, të Darvinit apo të tjerëve, por kur u pyet: “Si e njohe Zotin tënd?” ai krejt natyrshëm u përgjigj: “Kur shohim gjurmë, kuptojmë që dikush ka shkuar, kur shohim një vijë uji, kuptojmë se nga një burim ka buruar.

Po detet plot ujë e dallgë dhe toka me male e pyje, a nuk dëshmojnë se ka një Krijues të ditur, që i krijoi ato dhe qiellin me yje?!”7 Kjo natyrshmëri tregon se çdo vepër e ka një veprues dhe çdo krijesë e ka një krijues. Psh nëse dikush e godet një fëmijë fshehtasi, ai me siguri do të kthehet dhe do të thotë: Kush më goditi?

Sepse ai e di natyrshëm se çdo veprim duhet patjetër të ketë vepruesin edhe pse ai kurrë s’e ka studiuar teorinë e shkakpasojës. Por kjo është natyrshmëria e pastër njerëzore: “…natyra e pastër në të cilën Allahu i krijoi njerëzit, nuk ka ndryshim të krijimit të Allahut” (Rum: 30)

Ndërsa ateistët janë njerëz natyrat e të cilëve janë shpërfytyruar:“Dhe atë që Allahu dëshiron ta sprovojë, ti nuk posedon për të asgjë tek Allahu” (Maideh: 1)