HISTORIA E LUTIT (alejhi selam)

Historia e Lutit (alejhi selam) është vazhdim i historisë së Ibrahimit. Luti ishte nxënësi i Ibrahimit (alejhi selam) sepse mësoi prej tij, ndërsa ai (Ibrahimi) kujdesej dhe e konsideronte Lutin si djalin e tij.

Allahu i Lartësuar e dërgoi Lutin si Profet në kohën kur Ibrahimi ishte akoma gjallë. Atë e dërgoi tek vendbanimet e Sodomit në Gurr (burimet e thata) të Palestinës.

Përveç idhujtarisë në të cilën kishin rënë, ky popull kryente mardhënie homoseksuale (burrë me burrë), neveri dhe mëkat të cilin askush më parë nuk e kishte praktikuar (tek popujt e mëparshëm).

Luti (alejhi selam) i ftoi që të adhuronin Allahun, të vetëm dhe të pashok, gjithashtu i ndaloi nga ky mëkat. Por kjo, veçse ua shtoi kryeneçësinë duke u thelluar më shumë në mëkatet e tyre.

Allahu i Lartësuar, kur vendosi ta shkatërronte këtë popull, dërgoi engjëjt e Tij. Gjatë rrugës, ata kaluan tek Ibrahimi (alejhi selam) dhe e njoftuan për çfarë do të ndodhte me atë popull. Ibrahimi filloi të debatonte për shkatërrimin e tyre, sepse ishte i dhembshur dhe i butë: “Ai (Ibrahimi) tha: ‘Por atje banon edhe Luti!’ Ata thanë: ‘Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij.’” (Ankebut, 32)

Ata i thanë: “O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i gjejë dënimi i pashmangshëm.” (Hud, 76)

Engjëjt shkuan tek Luti në formë njerëzish dhe djelmoshash, gjë që e rëndoi Lutin, i cili  e ndjeu veten shumë keq duke thënë: “Kjo është ditë e rëndë!” (Hud, 77)

Sepse e dinte në çfarë gjendje ishte populli i tij dhe guximin e ndyrë që kishin për të mëkatuar.

Në fakt ndodhi ajo së cilës i frikësohej (Luti). Populli i tij erdhi tek Luti me një frymë dhe kërkuan të kryenin mardhënie intime me miqtë e Lutit (alejhi selam). Ai u tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. Ato për ju janë më të pastra.” (Hud, 78)

Ua tha këtë fjalë nisur nga ajo që dinte prej tyre se diçka e tillë nuk mund të ndodhte. Siç ishte rasti me Sulejaminin (alejhi selam), kur u propozoi atyre dy grave që ziheshin për fëmijën (se cilës i takon?) duke u thënë: “Më sillni një thikë që ta ndaj (fëmijën) mes jush. Ishte e ditur se kjo gjë nuk do të ndodhte. Edhe fjalët e Lutit (alejhi selam) këtë domethënie kishin.

Prandaj populli i tha: “Ti e di se ne nuk kemi të drejtë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne”.  (Hud, 79) Gjithashtu ai donte të kishte një farë justifikimi para miqve të tij.

Bazuar në këtë interpretim që sapo përmendëm, nuk është e nevojshme që të mbështetemi tek fjalët e disa kometatorëve të Kur’anit, kur thonë: “Fjala e Lutit:  ‘Këto janë bijat e mia.’”  D.m.th.  kishte për qëllim gratë e tyre, sepse Profeti është në rolin e prindit për popullin e tij.

Por këtë që thanë këta interpretues, e kundërshtojnë dy gjëra:

E para: Fjala e tij (Lutit): “Këto janë bijat e mia.” Ai bën me shenjë tek diçka që është prezente (pra tek vajzat e tij).

E dyta:  Ky përgjithësim, se ai (Luti) kishte për qëllim gratë e tyre (popullit) nuk ka kuptim. Gjithashtu, Profeti gëzon rolin e babait për besimtarët dhe jo për mohuesit.

Supozimi i interpretuesve të këtij ajeti, bie poshtë përmes asaj që përmendëm fillimisht, fakti se ai (Luti) e dinte se diçka e tillë nuk mund të ndodhte tek vajzat e tij dhe se ai po mundohej t’i largonte me çdo lloj forme.

Situata u bë tepër e vështirë për Lutin. Ai tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!” (Hud, 80)

D.m.th, do të përballesha!

Luti, kur i pa se ishin tepër të vendsour në kërkesën e tyre të ndyrë, u tha: “Frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?” (Hud, 78) Ata i kaluan kufijtë në arrogancën dhe dehjen e tyre. Në atë moment, engjëjt e lajmëruan Lutin për çështjen e tyre dhe se ata ishin të dërguar (nga Zoti) për t’i shkatërruar këta njerëz.

Xhibrili, ose ndonjë engjëll tjetër goditi ata që qëndronin tek dera dhe kërkonin të hynin me forcë dhe me këtë goditje i verboi shikimet e tyre. Ky ishte ndëshkimi i shpejtë dhe mësim për të gjithë ata që kërkonin të hynin tek shpëtia e lutit dhe t’u afroheshin miqve të tij.

Ata (engjëjt) e urdhëruan Lutin që të largohej gjatë natës me familjen e tij dhe të shpejtonte, me qëllim që t’i linte pas vendbanimet e tyre dhe të shpëtonte nga dënimi i dhembshëm.

Ai u largua me familjen e tij pa gdhirë mëngjesi, Allahu ua ktheu përmbys vedbanimet, ato që ishin lart, i ktheu poshtë dhe i gurëzoi me rrebesh gurësh. “Mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu.” (Hud, 82-83)

“(Ato ishin gurë) të shënuar (për dënim) te Zoti yt.”

“Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.”

Për ata që veprojnë si shembulli i tyre!

Dobi dhe mësime të përfituara nga Historia e Lutit (alejhi selam) 1- Kjo ngjarje, është argumenti më i madh se homoseksualiteti është nga mëkatet më të pështira dhe më të ndyra dhe se ndëshkimi për të është shumë i madh. Ai që sprovohet me këtë lloj mëkati, jo vetëm që feja e tij ikën, por këtij njeriu gjërat e mira kanë për t’iu dukur të këqia dhe ka për ta menduar të mirë atë që relaisht është e ndyrë.

E thënë ndryshe, ai distancohet nga çdo gjë e mirë dhe ky është argumenti i shthurjes morale. 2- Si tek historia e Lutit, po ashtu edhe tek historia e Ibrahimit (alejhima selam) përfitohet lejimi i përdorimit të fjalëve të tërthorta. Në historinë e Ibrahimit, përfitohet nga fjala e tij kur thotë: “Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: ‘Unë jam i sëmurë’”. (Safat 88-89) Ndërsa në hisotrinë e Lutit, përfitohet nga fjala e tij: “O populli im, këto janë bijat e mia. Ato për ju janë më të pastra.” (Hud 78).

Përdorimi i fjalëve të tërthorta ndodh si në shprehi ashtu dhe në veprime (praktikë) dhe nënkupton: Kur ai që flet apo ai që vepron diçka që s’ka problem (ndalim), duke e bërë tjetrin të kuptojë apo të dëgjojë diçka ndryshe, me qëllim që të arrijë një dobi apo të largojë një dëm prej vetes së tij.

3- Prej shenjave të zgjuarsisë është kur personi është i udhëzuar në fjalët dhe veprat e tij. Kjo duket qartë në rastin kur ai u del në krah njerëzve të shtypur dhe u largon brengat njerëzve në nevojë, urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja. Kjo është zgjuarsia e vërtetë dhe për këtë arsye Luti (alejhi selam) tha: “A nuk ka midis jush një njeri me mend?” (Hud 78) Që të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja dhe t’u bëjë ballë ndjekësve të së keqes dhe agresorëve.

4- Prej dobive që përfitojmë nga historia e Lutit (alejhi selam) është: Nxitja për të gjetur njerëz që ndihmojnë në çështje të hajrit, në largimin e së keqes edhe pse ndihmësi mund të jetë mëkatar. Allahu mund ta ndihmojë fenë e tij edhe nëpërmjet njerëzve që nuk besojnë, me njerëz që nuk kanë asnjë vepër të mirë tek Allahu dhe mu për këtë arsye Luti (alejhi selam) tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!” (Hud, 80)

Shumicën e pejgamberëve, Zoti i ka dërguar në mesin e njerëzve më fisnikë, që përmes kësaj të arrinin ndihmën ndaj të vërtetës dhe mposhtjen e së kotës dhe të gjenin ambientin e përshtatshëm për thirrjen, gjë e cila nuk mund të ndodhte ndryshe. Këtë e shohim qartë edhe tek Shuajbi dhe fjalët që populli i tij i tha: “Sikur të mos ishte farefisi yt, do të të kishim mbytur me gurë; ti nuk je i respektuar te ne.” (Hud, 91) E njëjta gjë ndodhi me Profetin (alejhi selam) i cili u dërgua në shtëpinë më fisnike dhe më krenare të Kurejshve. Populli i tij e sulmoi dhe u tregua armiqësor me të.

Ata mblodhën tubime të ndryshme që të hidhnin poshtë fjalën dhe fenë e tij, madje thurnin plane dhe se si ta shkatërronin atë, Muhamedin (alejhi selam). Ajo që më së shumti i ndaloi ata dhe i bëri të qëndronin në kufijtë e tyre, ishte frika që kishin nga fisi i Profetit (alejhi selam). A e keni parë gjendjen e tij atëherë kur ata ia vështirësuan punën, duke nxitur njerëzit dhe duke bërë për vete fisin e tij muslimanë dhe jomuslimanë. Ata nuk e menduan se mund të arrinin të cënonin personalitetitn e tij të nderuar, duke përgatitur kurthin e madh, sepse vendosën të caktonin disa njerëz për vrasjen e tij nga çdo fis, me qëllim që gjaku i tij të shpërndahej në fise dhe ata ta kishin të pamundur marrjen e gjakut. E megjithatë: “Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.”