HISTORIA E JUSUFIT DHE JAKUBIT

Historia e Jusufit është nga historitë më të çuditshme. Këtë histori Allahu e përmendi të plotë, madje e veçoi në një sure të gjatë në formë të detajuar dhe shumë të qartë. Leximi i sures është i mjaftueshëm ndaj komenteve të saj. Në këtë sure, Zoti i Lartësuar flet për rastin e Jusufit duke e trajtuar qysh në zanafillë e deri në fund, madje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet e gjendjeve të tij.

Për këtë ngjarje Zoti i Lartësuar thotë: “Për të gjithë ata që pyesin, në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, ka shumë mësime.” (Jusuf, 7) Atëherë le të përmendim dobitë që përfitohen nga kjo histori madhështore dhe duke iu mbështetur Allahut themi: Dobitë, mësimet dhe dispozitat që përfitohen nga kjo ngjarje!

1- Kjo ngjarje konsiderohet më e bukura dhe më e qarta, sepse aty pasqyrohen të gjitha zhvillimet, duke kaluar nga një gjëndje në tjetrën. Nga një sprovë në tjetrën, nga një dhuratë në një tjetër, nga poshtërimi në krenari, nga frika në siguri, nga pushteti në skllavëri e anasjelltas dhe pas përçarjes dhe ndarjes në bashkim dhe vëllazërim.

Gjithashtu kemi kalimin prej gëzimit në hidhërim dhe anasjelltas, nga bollëku në varfëri e anasjelltas, nga vështirësia në lehtësim e deri në arritjen e një fundi të lavdëruar. I pa të meta është Ai që na e tregoi këtë ngjarje duke e bërë mësim për të zotët e mendjes.

2- Kjo histori përmban bazat e interpretimit të ëndërrave të duhura dhe se dija e interpretimit është shumë e rëndësishme, dije të cilën Allahu ia dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij. Shumica e interpretimeve mbështeten në rastet, shembujt dhe ngjashmëritë e tipareve. Paranteza e ëndrrës së Jusufit ishte se ai pa deillin, hënën dhe njëmbëdhjetë yje të tjera që i përuleshin atij në shenjë nderimi.

Këto yje janë zbukurim për qiellin dhe kanë dobi të ndryshme. Gjithashtu edhe pejgamberët, dijetarët dhe njerëzit e zgjedhur, janë bukuria e tokës, sepse përmes tyre njerëzit udhëzohen, njësoj siç udhëzohen përmes shkëlqimit të yjeve. Përderisa nëna dhe babai janë trungu (baza) dhe vëllezërit e tij janë degët, ishte më e përshtatshme që trungu (baza) të kishte më shumë dritë dhe rreze nga degët. Për këtë arsye dielli simbolizonte njërin prind, ndërsa hëna prindin tjetër.

Në ëndërr yjet ishin vëllezërit e tij dhe ishte e përshtatshme se ai që bie në sexhde të ishte i nderuar për atë që përulej, po ashtu dhe ai të cilit i përuleshin të ishte i nderuar dhe me pozitë të lartë. Ky ishte tregues se Jusufi do të bëhej njeri me pozitë të lartë dhe të nderuar tek babai, nëna dhe vëllezërit, por e gjithë kjo nuk do të plotësohej pa kaluar në disa etapa që do ta shpinin deri aty: Qofshin ato njohuri, punë dhe përzgjedhje nga Allahu i Lartësuar. Prandaj në ajet thuhet: Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty.” (Jusuf, 6)

3- Përshtatshmëria në ëndrrën e dy djelmoshave Sepse ëndrrën e atij që pa sikur shtrydhte verë e interpretoi duke u mbështetur në faktin se ai që e bënte këtë punë në shumicën e rasteve ishte shërbëtor tek dikush tjetër dhe shtrydhjen e bënte për dikë tjetër dhe dihet se shërbëtori ndjek zotërinë e tij.

Pra ky interpretim i kthehej zanatit për të cilin ai njihet, prandaj e komentoi duke i dhënë këtë qasje. Ndërsa rastin e atij që kishte parë sikur mbi kokë mbante bukë prej të cilës hanin shpendët, e interpretoi duke i thënë se do të kryqëzohej dhe shpendët do të hanin prej trurit të kokës që mbante mbi trup. Ndërsa ëndrrën e mbretit me lopët dhe kallinjtë, e interpretoi me vitet e thata, pa reshje dhe pa bimësi.

Përshtashmëria e këtij interpretimi lidhet me faktin se me mbretërinë lidhen çështjet e udhëheqjes, kujdesit ndaj njerëzve dhe ruajtjen e interesave të tyre. Sepse me përmirësimin e saj ata përmirësohen dhe me prishjen e saj ata prishen dhe përkeqësohen. Po ashtu edhe vitet, me begatinë apo thatësinë e tyre organizojnë etapat e jetesës, në të kundërtën krijohen probleme.

Ndërsa lopët janë mjet për të lëruar tokën dhe për të nxejrrë prodhimet e saj, në këtë rast ai pa shkakun dhe pasojën. Ëndrra e tij që kishte parë shtatë lopë të majme, pastaj shtatë të tjera të dobëta dhe shtatë kallinj të njohmë e të mbushur dhe shtatë të tjerë të tharë, tregojnë se do të vijnë shtatë vite të begata që do ketë prodhim dhe do të hanë në ato vite çfarë kanë mbjellur, duke lënë vetëm atë që e llogarisin për ta ngrënë më vonë, ose do të rrezikojnë duke i konsumuar të gjitha. Nëse dikush pyet prej nga e nxori fjalën kur tha: “Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit plot shi për njerëzit, vit në të cilin ata do të shtrydhin (rrush, etj.).” (Jusuf, 49)

Pse disa interpretues të Kur’anit kanë thënë se kjo ishte shtesë nga Jusufi (alejhi selam) duke u shprehur me shpalljen që i vinte? Përgjigje: Kjo nuk qëndron, përkundrazi ai e mori këtë nga ëndrra e mbretit, sepse vitet e thata ishin vetëm shtatë dhe tregonte se pas tyre do të vinte një vit me prodhim të madh dhe begati të shumta që do të largonte thatësirën dhe skamjen e madhe që kishte vite dhe të cilën nuk mund ta largonte një vit i thjeshtë me prodhim, por kërkonte prodhim të jashtëzakonshëm dhe kjo duket qartë dhe kuptohet nga numërimi.

4- Në këtë sure shihen qartë faktet e profetësisë së Muhamedit (alejhi selam), sepse Zoti ia tregoi këtë histori të detajuar dhe të zgjatur e që ishte në përputhje me relaitetin duke realizuar kështu të gjithë synimin. Ndërkohë që ai nuk i kishte lexuar librat e popujve të mëparshëm dhe as nuk e kishte mësuar njeri dhe këtë e dinte shumë mirë populli i tij.

Ai vetë ishte analfabet, nuk lexonte e as nuk shkruante, prandaj në ajet thuhet: “Këto janë disa nga historitë e fshehta, të cilat Ne po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata, kur vendosnin për punën e tyre dhe kurdisnin dredhira.” (Jusuf, 102)

5- Njeriu duhet t’u largohet shkaqeve që çojnë në të keqe dhe ta fshehë atë prej të cilës ka frikë se mos e dëmton. Kjo bazuar në fjalën e Jakubit kur tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut. (Jusuf, 5)

6- Këshilla ndaj tjetrit qoftë edhe për diçka që ai mund ta urrejë, përderisa ajo jepet me sinqeritet dhe në formë vërejtjeje për të apo dikë tjetër. Bazuar në fjalën e Jakubit kur i tha “që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje.” (Jusuf, 5)

7- Mirësia e Zotit ndaj robit i përfshin edhe të tjerët që kanë lidhje me të, qoftë familja, të afërmit, shokët, etj. Mirësia u arrin dhe i përfshin edhe ata, kjo bazuar në fjalën e Jakubit (alejhi selam): Dhe e plotëson dhuntinë e Vet ndaj teje dhe familjes së Jakubit.” (Jusuf, 6) D.m.th nga ajo që po ndodh me ty.

Duke u plotësuar mirësia ndaj Jusufit kjo i dha edhe familjes së Jakubit krenarinë, mundësinë e vendqëndrimit, gëzimin, si dhe duke larguar prej tyre të keqen dhe duke sjellë të mirën, siç e përmend Allahu në fund të kësaj ndodhie.

8- Mirësive të mëdha, fetare qofshin apo jetësore, gjithmonë u paraprijnë shkaqe dhe mjete që i mundësojnë ato, sepse Allahu është i Urtë dhe ligjet e Tij nuk ndryshojnë. Ai ka përcaktuar në ligjin e Tij se kërkesat e larta nuk arrihen veçse me mjetet e dobishme, sidomos njohuritë e dobishme dhe çfarë degëzohet prej tyre në vlera morale dhe vepra.

Jakubi e dinte se kjo që po arrinte Jusufi, gjë në të cilën do t’i nënshtrohej babai, nëna dhe vëllezërit, ishtë një pozitë e lartë dhe gradë e nderuar dhe se Allahu do t’i mundësonte Jusufit ato mjete që do ta çonin deri aty, prandaj tha: “Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe të mëson shpjegimin e ëndrrave dhe e plotëson dhuntinë e Vet ndaj teje.” (Jusuf, 6)

9- Drejtësia kërkohet si në çështjet e mëdha, po ashtu edhe në çështjet e vogla. Ajo kërkohet si në trajtimin që udhëheqësi i bën popullit të tij, po ashtu edhe në marrëdhënien që prindi duhet të ketë me fëmijët e tij. Drejtësia kërkohet po ashtu edhe në zbatimin e detyrimeve që burri ka ndaj grave të veta, në dashuri, altruizëm etj. Mbajtja e drejtësisë në këto pika u jep drejtim problemeve të vogla dhe të mëdha dhe robi arrin të fitojë atë që do.

Ndërsa mangësitë e prishin gjendjen dhe robi e pëson të keqen pa e ndjerë atë. Për këtë arsye, në momentin kur Jakubi i dha përparësi Jusufit në dashurinë e tij dhe u dha shumë pas tij, ndodhi që fëmijët e tjerë të vepronin në dëm të Jusufit, siç edhe përmendet në historinë e tij.

10- Duhet të kemi kujdes nga gjurmët që shkaktojnë mëkatet. Sa e sa raste kanë ndodhur kur një mëkat i vetëm ka çuar në shumë mëkate të tjera dhe e keqja është zgjatur zinxhir si pasojë e mëkatit të parë. Shikoni rastin e krimit që bënë vëllezërit e Jusufit, sepse kur deshën ta ndanin Jusufin nga babai i tij – që konsiderohet krim shumë i madh – ata përdorën hile të ndryshme dhe gënjyen shumë herë duke e mashtruar babain e tyre me këmishën dhe gjakun që ajo mbante.

Po ashtu aktrimi i tyre se si erdhën në darkë duke qarë. Ska dyshim se ky rast ka të bëjë pikërisht me atë që thamë: Lidhjen zinxhir të ngjarjeve dhe degëzimet e ndryshme që ato marrin. Deri aty sa u tentua që të përfshihej edhe Jusufi, sepse sa herë që tentohej të hulumtohej kjo çështje,hulumtimi ishte i ndërtuar mbi gënjeshtra dhe mashtrime, shto këtu edhe vazhdimësinë e gjurmëve që kjo fatkeqësi kishte lënë tek Jakubi madje edhe tek Jusufi.

Prandaj le të ketë kujdes njeriu nga mëkatet, e sidomos nga ato mëkate që kanë efekt zinxhir. E njëjta gjë thuhet edhe për disa vepra të mira. Mund të jetë një vepër e vetme, por me efektin zinxhir mirësia e kësaj vepre ndiqet me vepra të tjera nga ai që i kryen apo nga dikush tjetër dhe kjo është prej gjurmëve më të mëdha të begatisë që Allahu i jep robit në dijen dhe punën e tij.

11- Tek njeriu ajo që merret parasysh (në konsideratë) është prefeksionimi i fundit dhe jo mangësitë e fillimit. Bijtë e Jakubit (alejhi selam) i vepruan ato vepra të shëmtuara në fillim të herës, por çështja e tyre u mbyll me pendim të sinqertë dhe pranim plot keqardhje për atë që kishin bërë dhe kështu fituan falje të plotë nga Jusufi (alejhi selam) si dhe nga babai i tyre që u lut për ta për mëshirë dhe falje.

Nëse dikush e fal tjetrin, Allahu ka për ta falur atë, sepse ai është Mëshiruesi dhe Falësi më i Madh. Për këtë arsye, fjala më e drejtë është se Allahu i bëri ata pejgamberë, sepse ua fali atë që kishin bërë më parë, sikur të mos kishte ndodhur ndonjëherë. Këtë e themi duke bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve (12 bijve të tij).” (Al Imran, 84)

Ata ishin dymbëdhjetë, bijtë e Jakubit dhe pasardhësit e tyre. Argumenti që e pohon këtë është se në ëndërrën e Jusufit ata u shfaqën si yje të cilat në përbërje kanë dritën dhe efektin udhëzues, e që janë tipare të profetëve. Po edhe po të mos ishin profetë, një gjë është e sigurtë se ata ishin dijetarë dhe adhurues të mëdhenj.

12- Mësojmë mirësitë që Zoti i dha Jusufit, mirësi që kanë të bëjnë me dijen, butësinë, moralet e plota dhe thirrjen për tek Allahu dhe feja e Tij, si dhe faljen ndaj vëllezërve të tij fajtorë, falje të cilën ai e filloi i pari dhe e plotësoi duke ua kujtuar se nuk ka qortim për ta pas kësaj falje, pa harruar dhe respektin e madh që tregoi për babain dhe nënën e tij, mirësinë ndaj vëllezërve dhe ndaj të gjithë njerëzve, siç tregohet qartë në historinë e jetës së tij.

13- Disa të këqia mund të jenë më të lehta se disa të tjera dhe implementimi në dëmin më të vogël, është më me pak zarar se kryerja e diçkaje më të madhe. Vëllezërit e Jusufit thanë: “Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët.” (Jusuf, 9) Por njëri nga ata tha: “Mos e vrisni Jusufin, por hidheni në fund të ndonjë pusi; do ta marrë ndonjë karvan; nëse përnjëmend doni të bëni diçka me të”. (Jusuf 10)

Fjalët e tij ishin më të mira dhe më të lehta se fjalët e të tjerëve dhe kjo ua lehtësoi vëllezërve, sepse nuk ranë në mëkatin e madh (të vrasjes). E gjithë kjo përfshihet në grumbullin e shkaqeve të cilat Allahu i kishte paracaktuar për Jusufin me qëllim që ta arrinte atë që synonte.

14- Një mall që përdoret dhe kalon në duart e njerëzve dhe përfshihet në atë që quhet pasuri (që blihet dhe shitet) dhe përdoruesi nuk ka informacion nëse ai mall plotëson kushtet legjislative fetare, për atë që e shet apo e blen apo përfiton nga përdorimi i tij, nuk ngarkohet me mëkat. Jusufin e shitën vëllezërit e tij me shitje të ndaluar, por e blenë disa që kaluan duke u nisur nga ajo se ai ishte skllavi i vëllezërve të Jusufit që po e shisnin, pastaj e morën dhe e çuan në Egjipt dhe atje e shitën përsëri.

Pas kësaj ai qëndroi tek zotëria i vet si skllav dhe Allahu e quajti atë zotëri dhe Jusufi tek ai ishte skllav por i nderuar. Allahu i Lartësuar e mori në konsideratë dhe e quajti blerje, si atë të udhëtareve, po ashtu edhe blerjen e tij në Egjipt, siç e përmendëm pak më lart.

15- Kujdesi që duhet të tregojmë nga veçimi me gratë e huaja, sidomos ndaj atyre që mund të shkaktojnë joshje ose tundim. Gjithashtu duhet treguar kujdes nga ajo dashuri që mund të dëmtojë. Gruas së ministrit i ndodhi ajo që i ndodhi për shkak të veçimit që kishte me Jusufin dhe dashurisë së madhe që kishte për të. Dashuri e cila nuk e la derisa e çoi në atë tentativë të cilën e shoqëroi me gënjeshër ndaj Jusufit e si pasojë çoi në burgosjen e tij për një kohë të gjatë.

16- Dëshira e Jusufit dhe braktisja e saj për hir të Allahut si dhe për shkak të imanit që Allahu kishte vendosur në zemrën e tij u bë shkak që Jusufi të ngritej në pozita të larta tek Allahu i Lartësuar. Dëshira është nxitëse e shpirtit që gjithmonë e urdhëron nefsin për të vepruar keq. Është pjesë e natyrës në të cilën është krijuar njeriu, prandaj kur ndizet dëshira për mëkat dhe robi nuk ka me çfarë t’i bëjë ballë, sepse mungon imani apo dhe frika nga Allahu, në këtë rast ka për të ndodhur mëkati.

Por nëse ky njeri është besimtar me iman të plotë, atëherë këtë dëshirë të natyrshme kur e vë përballë imanit të saktë dhe të forte, kjo e ndalon nga pasojat edhe nëse nxtësi është i fortë. Prandaj Jusufi i përkiste shkallës më të lartë të këtij lloji. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)

Për arsye se Allahu e kishte zgjedhur dhe për shkak të imanit dhe sinqeritetit që ai kishte, Ai e ruajti nga rënia në mëkat dhe kështu u bë nga ata që iu frikësuan madhërisë së Zotit duke e frenuar veten nga dëshirat.

Përveç kësaj ai do të përfshihet në shtatë kategoritë e njerëzve që do të strehohen nën hijen e Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije veç hijes së Tij. Mes tyre profeti Muhamed ka përmendur: “Një burrë të cilin e fton një grua me pozitë dhe bukuri dhe ai i thotë: ‘Unë kam frikë Allahun.’” Ajo e dëshiroi në momentin kur nuk kishte pengesë dhe vazhdoi duke e ftuar, ndërsa dëshira e Jusufit ishte e çastit, por u largua menjëherë pasi pa argumentet e Zotit të tij.

17- Atij që imani i ka depërtuar në zemër, e që ndriçohet me njohjen e Zotit dhe me dritën e besimit dhe tregohet i sinqertë me Allahun gjatë jetës së tij, këtë njeri për shkak të imanit dhe sinqeritetit, Allahu do ta ruajë nga të gjitha llojet dhe shkaqet e ligësisë, veprave të shëmtuara dhe mëkateve.

Shpërblim për imanin dhe sinqeritetin e tij. E themi këtë sepse Allahu e arsyetoi largimin e Jusufit nga kjo vepër e shëmtuar duke thënë: “Sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)

18- Nëse dikush sprovohet duke rënë në një ambjent sprove (joshje, tundimi) apo në shkaqe që shpien në mëkate, i kërkohet të largohet prej aty menjëherë dhe sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të shpëtojë nga kjo e keqe. Të veprojë ashtu siç veproi Jusufi (alejhi selam) duke ikur me të shpejtë për nga dera, dhe edhe pse ajo e kapte për rrobe, ai sërish mundohej të largohej prej saj.

19- Me provat e tërthorta mund të punohet në çështje të komplikuara dhe në padi gjyqësore. Kjo sepse dëshmitari që dëshmoi apo që gjykoi për Jusufin dhe gruan e ministrit mori si argument diçka të tërthortë duke thënë: “Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën”. (Jusuf, 26) Gjykimi i tij në këtë rast ishte në përputhje me të vërtetën. Prej argumenteve të tërthorta ishte dhe gjetja e kupës në thesin e vëllait, rast i ngjashëm me atëqë sapo përmendëm.

20- Mësojmë bukurinë e jashtme dhe të brendshme që gëzonte Jusufi (alejhi selam). Bukuria e jashtme detyroi gruan e ministrit që ta donte përtej çdo limiti dhe ta joshte vazhdimisht, por në momentin kur gratë e tjera e qortuan, ajo “i thirri ato në gosti, çdonjërës i dha nga një thikë dhe (i) tha (Jusufit): ‘Dil para tyre!’

Kur e panë, gratë u mahnitën nga bukuria e tij, prenë duart dhe thanë: ‘O Zot, o Zot! Ky nuk është njeri, por qenka një engjëll fisnik!’” (Jusuf, 31) Ndërsa bukuria e tij e brendshme shfaqet tek dëlirësia, paçka se ekzistonin nxitësit e shumtë për vepra të shëmtuara. Megjithatë me imanin dhe nurin e tij, me sinqeritetin dhe forcën e tij nuk mund të largohen vlerat dhe s’mund të rrinë bashkë antivlerat.

Gruaja e ministrit ua tregoi grave të tjera bukurinë e jashtme të Jusufit, të cilat e pohuan me gjuhët e tyre bukurinë e tij të rrallë të pashfaqur ndër njerëz. Ajo u tha: “Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu.” (Jusuf, 32) Pas një farë kohe ajo gruaja e Azizit (ministrit) tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta! Unë u përpoqa që ta joshja atë; ai është vërtet njeri i drejtë”. (Jusuf, 51)

21- Jusufi zgjodhi të shkonte në burg dhe nuk pranoi të bënte mëkat. Kështu që nëse ndodh që robi të vihet në provë për të zgjedhur mes dy mundësive: 1- Ose të shkojë pas mëkatit. 2- Ose të ndëshkohet penalisht në këtë botë.

Ai duhet të zgjedhë ndëshkimin e kësaj bote që i jep edhe shpërblimin nisur nga disa aspekte: a- I mundëson shpërblimin në aspektin se ai përzgjodhi imanin kundrejt sigurisë nga ndëshkimi i kësaj bote. b- Shpërblim në aspektin se kjo e pastron besimtarin dhe e lartëson atë. E gjithë kjo konsiderohet si pjesë e luftës që bën njeriu në rrugë të Zotit. c- Shpërblim në aspektin e fatkeqësisë që i bie dhe dhimbjes që i ka rënë.

I pa të meta është Ai që sjell mirësi edhe përmes sprovave dhe tregohet i butë me të zgjedhurit e Tij. Kjo konsiderohet adresa e imanit dhe shenja e lumturisë së vërtetë.

22- Robi duhet t’i drejtohet Zotit dhe të mbrohet me Të në momentin kur gjenden shkaqet e shkuarjes në mëkat dhe të distancohet plotësisht nga mundësitë dhe forcat e veta. Kjo bazuar në fjalën e Jusufit që tha: “Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33)

Njeri i suksesshëm është ai që kërkon ndihmë tek Zoti i tij, për t’ia larguar mëkatet dhe shkaqet që çojnë drejt tyre, ashtu sikurse i kërkon ndihmë në momentin kur kryen adhurimet dhe veprat e mira, sepse Allahu u mjafton atyre që mbështeten tek Ai.

23- Dija dhe logjika e shëndoshë e ftojnë njeriun tek e mira dhe e pengojnë nga e keqja. Ndërsa injoranca e nxit njeriun tek e kundërta e kësaj që thamë. Kjo bazuar në fjalën e Jusufit: “Unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33) Pra nga ata që nuk i njohin çështjet fetare dhe nuk kanë njohuri ndaj realitetit të dobishëm dhe atij të dëmshëm.

24- Ai njeri që e tregon nënshtrimin ndaj Allahut në rast gëzimi dhe bollëku, të njejtën gjë duhet të tregojë edhe në raste vështirësish. Jusufi (alejhi selam) vazhdoi të thërriste në rrugë të Zotit edhe në momentin kur hyri në burg.

Ai e vazhdoi thirrjen duke ftuar ata që kishte afër prej të burgosurve, ashtu sikurse i ftoi edhe dy djelmoshat në monoteizëm dhe i ndaloi nga idhujtaria. Prej zgjuarsisë dhe urtësisë që i kishte dhënë Zoti ishte se kur vuri re se ata ishin të gatshëm për ta dëgjuar sidomos kur kishin nevojë për interpretimin e endërrave duke i thënë: “Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.” (Jusuf, 36)

Ai e shfrytëzoi këtë moment dhe i ftoi për tek Allahu para se ta fillonte interpretimin e ëndrrave që kishin parë, me shpresë që të arrinte tek synimi i tij. Ai u tregoi se kush ishte Ai që e kishte sjellë deri në këtë pozitë të dijes, përsosmërisë, imanit dhe monotezimit.

U sqaroi arsyet që e kishin detyruar të braktiste popullin idhujtar. Kjo që bëri Jusufi ishte ftesë përmes gjendjes, pastaj filloi t’i ftonte përmes fjalëve duke u sqaruar se sa i mirë dhe sa i domosdoshëm është monotezimi dhe se sa e keqe dhe e ndaluar është idhujtaria.

25- Duhet filluar me gjërat më të rëndësishme ndaj të tjerave që kanë më pak rëndësi. Nëse dikush pyetet ndërkohë që pyetësi ka nevojë për diçka më emergjente se pyetja e tij, në këtë rast duhet t’i sqarojë më të rëndësishmen, para se t’i përgjigjet pyetjes së tij.

Kjo është shenjë që tregon se ky mësues është këshillues i mençur, i cili di të orientojë dhe t’i mësojë të tjerët. Djelmoshat, kur e pyetën Jusufin (alejhi selam) për ëndrrat që kishin parë, shfaqën qartë se nevoja e tyre për iman dhe monoteizëm ishte më e madhe dhe gjëja më madhore që ai duhej t’u jepte atyre.

26- Atij që i ndodh një vështirësi apo sprovë, nuk ka problem të kërkojë ndihmë tek dikush që mundet t’ia largojë atë vështirësi, qoftë nga ana praktike apo edhe duke ia treguar gjendjen e tij. Kjo nuk konsiderohet mangësi e as ankesë e ndaluar tek krijesat. Ky veprim është normal dhe tek njerëzit është bërë e zakonshme që të kërkojnë ndihmën e njëri-tjetrit. Prandaj Jusufi iu drejtua atij që mendoi se do të shpëtonte: “Përmendëm mua tek pronari yt!” (Jusuf, 42)

27- Një mësuesi apo thirrësi në rrugë të Allahut i kërkohet që të përdorë sinqeritetin e plotë në mësimdhënien dhe thirrjen e tij dhe të mos e bëjë këtë mjet për të përfituar shuma të hollash, famë, apo ndonjë dobi tjetër.

Ai nuk duhet ta ndërpresë mësimdhënien edhe nëse pyetësi nuk e bën atë që i thotë mësuesi. Jusufi vërtetë e kishte porositur njërin nga djelmoshat që ta përmendte atë tek pronari i tij, por ai nuk e përmendi dhe harroi.

Megjithatë kur doli në pah nevoja e tyre për të pyetur Jusufin, ata dërguan të njejtin djalosh i cili shkoi dhe e pyeti për ëndrrën dhe Jusufi nuk e qortoi, nuk iu hakërrye pse ai nuk e kishte përmendur tek pronari i tij? Përkundrazi, ai iu përgjigj plotësisht në të gjitha aspektet!

28- Ai që pyetet, në momentin kur jep përgjigjen, duhet ta orientojë pyetësin tek ajo që është më e dobishme për të, për aq kohë sa ka lidhje me pyetjen e tij dhe ta orientojë në atë rrugë që do t’i bëjë dobi në fenë dhe jetën e tij.

Kjo përfshihet tek këshilla e plotë, mendimi i tij i mirë dhe orientimi i duhur. Jusufi nuk u mjaftua me interpretimin e ëndrrës së mbretit, por u tregoi dhe u dha mendim se si duhet të vepronin në vitet e bollëkut që të shtonin bujqësinë dhe të ruanin me kujdes prodhimin.

29- Njeriu nuk qortohet nëse mundohet t’i largojë akuzat nga vetja e tij, madje kjo është e nevojshme. Siç ndodhi me Jusufin, i cili nuk pranoi të dilte nga burgu para se të dilte në pah fillimisht pafajësia e tij, duke kujtuar rastin egrave që prenë duart në momnetin kur e panë.

30- Mësojmë vlerën e dijes: Veçanërisht dijen e legjislacionit dhe dispozitave, si dhe dijen e interpretimit të ëndrrave, dijen e menaxhimit dhe edukimit, si dhe dijen e mirëqeverisjes. Jusufi e arriti gradën e lartë në këtë botë dhe në botën tjetër pikërisht me anë të njohurive të tij të ndryshme.

Gjithashtu mësojmë se dija e interpretimit të ëndrrave përfshihet tek fetvatë, që do të thotë se nuk i lejohet askujt që të shprehet prerë në interpretimin e ëndrrave para se ta njohë atë fushë, ashtu sikurse nuk i lejohet të japë fetva në dispozita pa patur dijen e duhur, sepse Allahu e ka quajtur interpretimin e ëndrrës fetva dhe këtë e ka përmendur pikërisht në këtë sure.

31- Nuk ka asnjë problem që njeriu të flasë dhe të tregojë për gjërat e tij, për sjelljen apo dijen e tij, etj., nëse kjo ka dobi, dhe nëse ruhet nga gënjeshtra dhe syfaqësia. Kjo bazuar në fjalën e Jusufit kur thotë: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. (Jusuf, 55)

Gjithashtu nuk përçmohet mandati i dikujt përderisa ai bën aq sa mundet në zbatimin e legjislacionit dhe çuarjen në vend të detyrimeve që u takojnë të tjerëve. Madje nuk ka problem që të kërkojë mandatin e udhëhqejes nëse e meriton dhe ka më shumë përgatitje se të tjerët.

Ajo që nënçmohet është kur e kërkon ai që nuk ka përgatitjen e duhur, apo kur ka të tjerë që janë më meritorë se ai apo të ngjashëm me të, ose kur nuk janë zbatuar urdhrat e Zotit dhe kur ky që don të sundojë, synon vetëm udhëheqjen dhe interesat personale.

32- Bujaria dhe nderimi i Zotit ndaj robit është shumë i gjerë. Ai i jep robit prej mirësive të dunjasë dhe botës tjetër. Por mirësia e botës tjetër arrihet përmes dy mënyrave: 1- Me anë të imanit (besimit) në çdo gjë për të cilën na ka njoftuar Allahu.

2- Përmes devotshmërisë që aludon në praktikimin e urdhrave legjislative dhe largimin prej të ndaluarave. Mirësia e botës tjetër është shumë më e mirë se ajo e dunjasë dhe pushteti i saj.

Robi duhet t’i flasë vetes dhe të përmallohet për shpërblimin e Allahut dhe nuk duhet të brengoset përballë kënaqësive të dunjasë dhe sundimit të saj, nëse nuk mund t’i arrijë ato! Jo, përkundrazi, ai inkurajohet duke kujtuar shpërblimin e botës tjetër, gjë që e mbush me shpresë dhe qetësi shpirtërore.
Kjo bazuar në fjalën e Jusufit: “Ndërsa shpërblimi i jetës tjetër është më i mirë për ata që besojnë dhe e kanë frikë Allahun.” (Jusuf, 57)

33- Shtimi i rrizkut, nëse ka për qëllim lehtësimin e jetesës së njerëzve pa u bërë dëm atyre nuk ka problem madje është i kërkuar, sepse Jusufi i urdhëroi që t’i ruanin prodhimet dhe ushqimet gjatë viteve të bollëkut me qëllim që të përgatiteshin për vitet e thata dhe përmes kësaj u arrit mirësi shumë e madhe.

34- Mësojmë mirë menaxhimin e Jusufit në momentin kur mori përsipër depot e mbarë Egjiptit nga njëri cep në tjetrin. Ai i dha hov bujqësisë deri aty sa u shtua prodhimi dhe njerëzit që jetonin në zona të tjera synonin Egjiptin për të kërkuar ushqim atëherë kur nuk gjenin në vendet e tyre, sepse e dinin se në Egjipt mund të gjenin.

Prej drejtësisë dhe mirëorganizimit të tij dhe frikës se mos tregtarët luajnë me të, ai nuk lejonte askënd të peshonte më shumë ose më pak ngase i nevojitej. Ndërsa atyre që vinin nuk u jepte më shumë se një mushkë me drithëra dhe ajo që kuptohet është se ai u jepte vendasve më pak se aq, sepse ishin më afër dhe mund të ishin prezent në çdo kohë.

35- Mikpritja është e pëlqyeshme. Ajo është traditë e të gjithë pejgamberëve, kjo sepse Jusufi tha: “A nuk e shihni se unë jua jap masën të plotë dhe jam më i miri mikpritës?” (Jusuf, 59)

36- Opinioni negativ në prezencën e argumenteve të tërthorta që e pohojnë atë nuk është i ndaluar dhe as haram. Kujtoni kur Jakubi u tha djemve të tij: “A mos vallë t’jua besoj juve, ashtu siç jua pata besuar më parë vëllain e tij? (Jusuf, 64)

Gjithashtu u tha: “Nuk është kështu, por ju keni kurdisur diçka. (Jusuf, 83) Në rastin e fundit edhe pse nuk treguan neglizhencë, atyre u kishte ndodhur ajo që e detyroi babain e tyre t’i thoshte ato fjalë dhe të mos qortohej.

37- Përdorimi i shkaqeve që largojnë mësyshin, apo dëme të tjera, apo që e largojnë atë pasi t’i ketë rënë dikujt, nuk është e ndaluar. Edhe pse asgjë nuk ndodh pa caktimin e Allahut dhe paracaktimin e Tij, duhet të dimë gjithashtu se edhe shkaqet përfshihen në caktimin apo paracaktimin e Allahut. Kjo bazuar në fjalën e Jakubit që tha: “O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme.” (Jusuf, 67)

38- Lejimi i përdorimit të hileve dhe dredhive përderisa të çojnë tek e drejta jote dhe se njohja e të tilla mënyrave që çojnë tek qëllimet, konsiderohet diçka e lavdëruar. Ndërsa hilet që kanë për qëllim rrëzimin e një detyrimi apo veprimin e një vepre të ndaluar, konsiderohen të ndaluara dhe nuk duhen bërë.

39- Ai që do t’i japë të kuptojë dikujt diçka tjetër nga ajo që synon, s’ka problem të përdorë fjalë me shumë kuptime apo veprime që në fakt e ruajnë nga gënjeshtra e qartë. Siç veproi Jusufi kur vendosi kupën në barrën e vëllait të tij, pastaj e nxori prej saj duke u dhënë të kuptonin se ai ishte hajduti, edhe pse këtu nuk thotë se ai e kishte vjedhur, sepse ai përdori fjalë me shumë kuptime.

E ngjashme me këtë është fjala e tij kur thotë: “Allahu na ruajtë, si të marrim atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! (Jusuf 79) Dhe nuk tha: Ai që ka vjedhur mallin tonë.

40- Njeriu duhet të dëshmojë vetëm për ato gjëra që i di dhe i ka vërtetuar me anë të shikimit apo dëgjimit. Bazuar në fjalën e tij: “Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë.” (Jusuf, 81)  Si dhe fjalën e tij: “Përveç atyre që dëshmojnë me të vërtetën duke e ditur atë.” (Zuhruf, 86)

Mësojmë për sprovën e madhe me të cilën Allahu e sprovoi profetin dhe të zgjedhurin e tij Jakubin (alejhi selam) në momentin kur e ndau nga djali i tij Jusufi. Ai e kishte të pamundur të ndahej prej tij qoftë dhe një orë të vetme, ndaj dhe kjo gjendje e pikëllonte shumë.

Duke qenë se kjo ndarje zgjati shumë, mërzia kurrë nuk iu largua nga zemra, aq sa sytë iu zbardhën prej pikëllimit. Kjo iu shtua edhe më shumë kur ndodhi ndarja me djalin e tij të dytë, e megjithatë ai përsëri duronte dhe priste shpërblim nga Allahu duke premtuar se do bënte durim të mirë.

S’ka dyshim se ai e përmbushi atë që premtoi dhe kjo nuk bie ndesh me fjalën që ai tha: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut. (Jusuf, 86) Sepse ankimi tek Allahu nuk bie ndesh me durimin, ajo që bie ndesh është ankesa tek krijesat. S’ka dyshim se përmes kësaj sprove Allahu e ngriti në pozitë të lartë dhe i dha vend nderi, i cili arrihet vetëm përmes këtij durimi.

41- Sa herë që sprova vështirësohet, fitorja është më afër. Në momentin kur vështirësitë u bënë të shumta dhe të llojllojshme dhe robi u ndie shumë ngusht në bartjen e tyre, ato i largoi Ai që largon brengën dhe heq pikëllimin, Ai që u përgjgjet lutjeve të atyre që janë në nevojë (Allahu). Këto janë frytet e saj të lavdëruara, veçanërisht ndaj evlijave të Zotit dhe njerëzve të zgjedhur.

42- Lejohet që njeriu të tregojë mundimin, qoftë sëmundje, varfëri apo diçka tjetër, nëse kjo bëhet jo në formë zemërimi. Kjo bazuar në fjalën e Jakubit (alejhi selam): “O i mjeri unë për Jusufin!” (Jusuf 84) Si dhe fjalët e vëllezërve të Jusufit kur thanë: “O ministër, ne dhe familjen tonë e ka goditur një fatkeqësi e madhe.” (Jusuf, 88) Dhe Jusufi e pranoi prej tyre dhe e miratoi atë!

43- Mësojmë vlerat e devotshmërisë dhe durimit dhe se çdo mirësi e kësaj bote dhe e botës tjetër vjen si fryt i devotshmërisë dhe durimit. Mësojmë gjithashtu se fundi i atyre që e kanë (devotshmërinë dhe durimin) është fundi më i mirë. Kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Allahu na mëshiroi. Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. (Jusuf, 90)

44- Njeriut kur t’i jepet një mirësi pas një fakteqësie apo sprove duhet patjetër të kujtojë gjendjen e tij të mëparshme me qëllim që ta nidejë më shumë atë mirësi që i është dhënë dhe të falenderojë më shumë Allahun e Lartësuar. Prandaj Jusufi tha: “Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi.” (Jusuf, 100)

45- Nga kjo histori mësojmë të gjitha mirësitë e ndryshme që lehtësuan sprovat, si për shembull ëndrra e parë e Jusufit. Kjo ëndërr mbante në vetvete çlirim dhe mirësi, si për Jusufin ashtu dhe për Jakubin. Ajo ishte një përgëzim për mundësinë e interpretimit të saj dhe mëshirë për Jusufin të cilit i shpalli në kohën kur ai ishte në pus se ai do t’i vinte në dijeni për këtë që bënë dhe ata nuk do ta ndienin.

Si dhe kalimet e tij nga një gjendje në një tjetër edhe këtu vihet re mëshira e hapur dhe e fshehtë e Zotit, prandaj në fund të historisë ai thotë: “Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti! (Jusuf, 100) Ai tregoi mirësi ndaj tij si në gjendjen e brendshme, po ashtu dhe në gjendjen e tij të dukshme duke i dhënë mundësinë të arrinte lartësitë pa e kuptuar as ai vetë, pra Jusufi (alejhi selam).

46- Njeriu duhet që gjithmonë të lutet me ngulm para Allahut që Zoti i tij ta përforcojë në besim dhe t’i mundësojë fundin e mire, si dhe t’i bëjë ditët e fundit të jetës më të mira se ato të parat dhe punët më të mira ato që mbyllin jetën, sepse Allahu është Fisnik, Bujar dhe i Mëshirshëm.

Udha e Besimtarëve