HISTORIA E IBRAHIMIT (alejhi selam) Babai i pejgamberëve

Allahu i Lartësuar, ka përmendur në librin e Tij shumë ngjarje dhe ndodhi nga jeta e Ibrahimit (alejhi selam). Tek këto ndodhi, ne gjejmë shembullin që duhet të ndjekim nga pejgamberët në përgjithësi dhe nga Ibrahimi (alejhi selam) në veçanti.

Allahu i Lartësuar e urdhëroi profetin tonë (Muhamedin) dhe na urdhëroi neve që të ndjekim fenë e pastër të Ibrahimit, besimin, moralet dhe vepra të tjera që kishin të bënin me të, apo që u sjellin dobi të tjerëve.

Zoti i dha pjekurinë, i mësoi urtësinë që në moshë të vogël dhe i mundësoi të shihte mbretërinë e qiejve dhe të tokës. Për këtë arsye, ai ishte njeriu me sigurinë më të madhe (në besim), me dijen më të plotë, më i qëndrueshmi në fenë e Zotit dhe më i mëshirshmi ndaj krijesave.

Allahu e dërgoi atë (Ibrahimin) tek një popull idhujtar që adhuronin Diellin, Hënën dhe yjet. Ata ishin filozofët Sabi’in që konsiderohen prej sekteve më të djallëzuara dhe më të dëmshme ndaj njerëzve. Ibrahimi i ftoi ata në forma dhe mënyra të ndryshme.

Mënyra e parë: I ftoi me një mënyrë, që për një njeri të logjikshëm do të ishte e pamundur të mos i përgjigjej asaj thirrjeje. Ata adhuronin shtatë planetet lëvizëse, mes tyre Diellin dhe Hënën. Madje për këtë ata kishin ndërtuar faltore të posaçme, të quajtura Hejkel.

Në formë bashkëbisedimi logjik, ai u tha: O populli im! Ejani të shohim se a meritojnë të adhurohen këto planete në Univers!

“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” (En’Am, 76)

Debati, ndryshon nga format e tjera të bashkëbisedimit, në shumë gjëra:

Së pari: Debatuesi, mund të thotë diçka që realisht nuk e beson. Mbi atë, ai ndërton argumentin e vet dhe ngre faktet përballë kundërshtarit të tij.

Në momentin kur Ibrahimi theu idhujt dhe populli idhujtar i tha: “A ti e bëre këtë me zotat tanë, o Ibrahim?!” (Enbija, 62) Ai (Ibrahimi), bëri me shenjë drejt idhullit që s’e kishte thyer dhe u tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyetini ata, nëse flasin!” (Enbija, 63)

Dihet se qëllimi i tij ishte t’i sfidonte përballë argumenteve dhe realisht ashtu ndodhi. Nga këtu e kuptojmë më shumë fjalën e tij (Ibrahimit) kur thotë: “Ky është Zoti im!”  (En’Amë, 76) D.m.th, nëse ai meriton që të adhurohet, pasi e patë gjendjen dhe cilësitë e tij, atëherë ai është zoti im, ndërkohë ai e dinte shumë mirë se, ky yll nuk meritonte dhe nuk kishte pjesë në zotërim apo adhurim, as edhe sa grimca.

Por ai deshi t’i zinte mat me argument: “Dhe, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. (En’amë, 76)

Çdo send që orvatet mes ekzistencës dhe inekzistencës, prezencës apo mungesës, çdo njeri i logjikshëm e kupton se nuk është i plotë, prandaj nuk mund të jetë Zot.

Pas kësaj, ai kaloi tek hëna dhe kur e pa atë duke lindur tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”.  (En’amë, 77) Me këtë, ai (alejhi selam) po mundohej t’i mësonte.

Ai (Ibrahimi) e vuri veten në rolin e atij që bie dakort me ta, por jo praktikisht duke i ndjekur në bindje e adhurim. Ai, me paraqitjen e argumenteve, në sytë e popullit, nënkuptonte sikur deshte të nxirrte në pah hyjnizimin e yjeve dhe hënës. Në momentin kur ata perëndonin, dhe kjo faktohej me argumente logjike dhe shqisore se hyjnizimi i tyre ishte i pavlerë, atëherë, ai ua bëri të qartë se këto (yjet dhe hëna) nuk janë zota madhështorë që meritojnë të adhurohen.

“Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” (En’am, 78)

D.m.th më i madh nga yjet e tjerë, si hëna në rastin konkret. E nëse diellit i ndodh ajo që u ndodhi edhe yjeve të tjerë (perëndon), atëherë automatikisht merr të njejtin gjykim si ata. Ndërkohë, ishte bërë mjaft e qartë tek të gjithë, se adhurimi i diçkaje që perëndon, konsiderohet gjëja më e pavlerë.

Në ato momente, ai i mbërtheu (para fakteve), i detyroi të pranonin, duke iu kundërvënë me argumente dhe duke u thënë: “O populli im! Unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (En’am, 79)

Ky ishte një argument i qartë logjik se Ai (Allahu) është Krijuesi i Botës së dukshme dhe të padukshme, dhe që njerëzit duhet ta njësojnë me adhurim dhe sinqeritet (Allahun), dhe se këto galaktika yjesh janë krijesa nën mbyikëqyrjen e Tij dhe nuk kanë cilësi bindëse për të merituar adhurim.

Por ata filluan ta frikësonin Ibrahimin me idhujt e tyre, duke i thënë se ata (idhujt) do i sillnin fatkeqësi. Ky është argument se idhujtarët janë të zhytur në trillime të kota dhe mendime të ulta, sepse besojnë se zotat e tyre kishin fuqi për t’u sjellë dobi atyre që i adhuronin dhe për t’i dëmtuar ata që i braktisnin dhe i cënonin.

Ai (Ibrahimi) u tha atyre qartë se nuk kishte frikë aspak dhe se frika e vërtetë qëndronte pikërisht për gjendjen e tyre. Ai u tha: “E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën!” (En’amë, 81)

Allahu i dha përgjigje kësaj pyetjeje, e cila do të përfshinte rastin e kësaj ndodhie si dhe rasteve të tjera që ndodhin në çdo kohë, duke thënë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (En’am, 82)

Allahu e lartësoi të dashurin e Tij Ibrahimin, duke i dhënë dije dhe argument, ndërsa ata (idhujtarët) e patën të pamundur t’i dilnin në mbrojtje të kotës. Përtej këshillave dhe argumenteve të qarta, prapë se prapë mbetën të paluhatur në atë që ishin. Atyre nuk u bëri dobi këshilla, përmendja dhe paraqitja e argumenteve.

Ibrahimi (alejhi selam) vazhdoi t’i ftonte tek Allahu dhe t’i ndalonte nga adhurimi i idhujve. Thirrja e tij ishte e përgjithshme dhe e përveçme.

Një ndër ta, që i kushtoi thirrje të veçantë, ishte babai i tij Azeri, të cilin e ftoi në disa mënyra të dobishme por: “Vërtet, ata që merituan Fjalën15 e Zotit tënd, nuk besojnë, edhe sikur t’u vijnë të gjitha shenjat, derisa të shohin dënimin e dhembshëm. (Junus, 96-97)

Prej fjalëve që Ibrahimi i tha babait: “…O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im! Mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! (Merjem, 42-43)

Shiko sa fjalë të bukura këto që tërheqin zemrat. Ai nuk i tha babait se ti je injorant! Por iu drejtua me urtësi e butësi:  “O babai im! Mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im! mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im! Unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”! (Merjem, 43-45)

Me thirrjen e tij, ai (Ibrahimi) kaloi nga një metodë në një tjetër, me qëllim që të kishte sukses dhe të bënte dobi, e megjithatë babai i tha: “… “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”!  (Merjem, 46)

Ibrahimi nuk u zemërua me të dhe nuk ia ktheu me të njëjtat fjalë, përkundrazi, ia ktheu me mirësi duke i thënë: “… “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem, 47)

Që do të thotë: Unë nuk do të flas me ty veçse me fjalë të mira, jo me fjalë të vrazhda. Unë nuk e humb shpresën nga udhëzimi i Zotit për ty: “Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem, 47)

Domethënë: i Butë dhe i Mëshirshëm!  Butësia e Tij më ka mësuar për mirësitë dhe bukuritë që ajo (butësia me të tjerët) sjell. Gjithashtu, Ai gjithmonë është përgjigjur ndaj lutjeve të mia.

Ibrahimi (alejhi selam), e vazhdoi thirrjen dhe dialogun me popullin e tij. Ai i sfidoi (idhujtarët) dhe i hodhi poshtë të gjitha argumentet dhe dyshimet e tyre. Ai deshi të përballej me fakte edhe më të forta, e të qëndronte i palëkundur, përballë kryeneçësisë, forcës dhe fuqisë së idhujtarëve, pa u ndrojtur dhe pa u frikësuar aspak prej tyre. Një ditë, kur idhujtarët dolën në një prej festave të tyre, ai (Ibrahimi) doli bashkë me ta. Hodhi një shikim nga yjet dhe tha: “Vërtetë unë jam i sëmurë.” (Safatë, 89)

Ai pati frikë, se nëse do të mbante qëndrim ndryshe, nuk do i’a arrinte qëllimit, sepse e dinin urrejtjen që ushqente Ibrahimi ndaj idhujve të tyre; e dinin se sa shumë i pengonte dhe luftonte ndaj adhurimit të atyre idhujve.

Kur (idhujtarët) mbërritën në shkretëtirë, ai (Ibrahimi) u kthye tek vendi ku qëndronin idhujt dhe i theu, i bëri copëcopë, që të gjithë, me përjashtim të idhullit më të madh. Atë e la qëllimisht, për t’i kushtëzuar para fakteve.

Kur u kthyen nga festa, vajtën menjëherë tek idhujt në shenjë respekti, nënshtrimi dhe dashurie dhe i panë në gjendjen më të keqe të mundshme dhe thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte.” (Enbija, 59-60)

Domethënë: që fliste për të metat e tyre, në mënyrë ofenduese.

“Atë e quajnë Ibrahim”.

Kur u siguruan se Ibrahimi i kishte thyer në të vërtetë, thanë: “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë.”  (Enbija, 61)

Pra (silleni Ibrahimin), para këtij grumbulli të madh njerëzish, qortojeni sa të mundeni, pastaj ndëshkojeni atë. Këtë synonte edhe Ibrahimi (alejhi selam), sepse donte që e vërteta të shfaqej dukshëm para syve të të gjithëve. Kur njerëzit u mblodhën, ata e sollën Ibrahimin dhe i thanë: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre.” (Enbija, 62-63)

Kishte për qëllim idhullin që nuk ishte thyer. Me këtë që u tha, ata ishin mes dy alternativave:

1- Të pranonin të vërtetën, nëse do të kishin një logjikë të shëndoshë, sepse dihet që një send i ngurtë, s’mund ta bëjë diçka të tillë.

2- Ose të thonin: Po, ai (idhulli) e ka bërë këtë dhe se ti (Ibrahim) je i pafajshëm dhe i pa ngarkuar me pasoja.

Ibrahimi (alejhi selam), e dinte shumë mirë se ata nuk mund ta pranonin opsionin e dytë. Ai u tha: “Pyetini ata, nëse flasin!”

Ai u propozoi diçka, për të cilën ata ishin të bindur që ishte e pamundur.

Aty u shfaq dukshëm e vërteta, ata u dorëzuan para saj dhe iu kthyen vetes me qortime duke thënë: “Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.”

Mohimi që u bënë idhujve nuk zgjati shumë, edhe pse i panë argumentet që nuk mund të kontestoheshin. Megjithatë, shumë shpejt iu kthyen besimeve dhe bindjeve të tyre të kota, që ishin gdhendur në zemrat e tyre dhe ishin kthyer në varësi ndaj tyre. Edhe nëse shihnin diçka që i hidhte poshtë, atë e quanin rastësi, e cila shumë shpejt do të zhdukej. “Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!” (Enbija, 65)

Në atë moment, pasiqë argumentet dolën në pah dhe qenë të pranuara para të gjithë njerëzve, Ibrahimi i nënçmoi: “Ai u tha: ‘Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!’” (Enbija, 66-67)

Nëse mendjet tuaja do të logjikonin, nuk do të qëndronit akoma në adhurimin e diçkaje, që nuk i sjell vetes asnjë dobi dhe që nuk largon diçka që mund ta dëmtojë.

Kur e panë veten të mundur para argumenteve, kaluan në përdorimin e forces dhe kryeneçësisë, vetëm e vetëm për të ndëshkuar Ibrahimin (alejhi selam).

“Ata thirrën: ‘Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!’” (Enbija, 68)

Ata ndezën një zjarr të madh dhe e hodhën Ibrahimin brenda.

I gjendur në këtë vështirësi, Ibrahimi tha: “Hasbija Allahu ue Niamel Uekil.” (Më mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i Mirë). “Ne thamë: ‘O zjarr! Bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!’” (Enbija, 69) Zjarri nuk e dëmtoi aspak.

“Ata deshën ta lëndonin.” Me qëllim që t’u dalin në krah idhujve dhe t’i mbanin zemrat e tyre dhe zemrat e ndjekësve, të nënshtruara dhe të përgjëruara, ndaj këtyre idhujve. Por kurthi që përgatitën, u kthye në makth për ta, sepse Ibrahimi ishte ai që triumfoi kundrejt të gjithëve.

Edhe mbreti i tyre debatoi me Ibrahimin me arrogancë dhe kryeneçësi “Sepse Allahu i kishte dhënë pushtet.”

(Bekare, 258)

Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje” – ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. (Bekare, 258)

Ibrahimi (alejhi selam) e detyroi atë, që të hiqte nga mendja një herë e mirë se ai mund të posedonte fuqi absolute dhe i tha: “Allahu e sjell Diellin nga Lindja. Sille ti nga Perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.  (Bekare, 258)

Pas gjithë kësaj që ndodhi, Ibrahimi bashkë me gruan e tij dhe djalin e xhaxhait, Lutin, emigruan fshehurazi për në tokën e Shamit. Gjatë qëndrimit atje, ai shkoi në Egjipt me gruan e tij Sarën, e cila ishte gruaja më e bukur!

Mbreti i Egjiptit, që njihej si tiran, kryeneç dhe i padrejtë, nuk e mbajti veten kur e pa Sarën. Deshi ta kishte të tijën. Ajo iu lut Allahut që ta shpëtonte prej tij dhe gati sa nuk vdiq nga frika. Më pas ai e la të shkonte. Pastaj deshi t’i afrohej përsëri. Sa herë që i afrohej, ajo lutej dhe ai zmbrapsej. Në fund, ajo u lut përsëri dhe ai e la të ikte. Allahu e ruajti nga e keqja e këtij mbreti, ndërsa ky i fundit i dhuroi asaj Haxheren, një shërbëtore Kobte.17

Duke qenë se Sara nuk lindte dot fëmijë, ia dhuroi shërbëtoren e saj Ibrahimit, me shpresën se Allahu do ta furnizonte me ndonjë fëmijë. Dhe ashtu ndodhi, Haxherja lindi Ismailin, edhe pse Ibrahimi ishte në moshë të thyer dhe kjo e gëzoi pa masë.

Sara (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) u bë xheloze dhe u betua se nuk do të jetonte me Ibrahimin përsa kohë që Haxherja ishte me ta. Kjo ndodhi për një urtësi të madhe që deshi Allahu të realizohej. Kjo ngjarje do të bëhej shkak që Ibrahimi bashkë me Haxheren t’i drejtohej vendit, ku do të ndërtohej më pas Shtëpia e Shenjtë (Qabja).

Ibrahimi, bashkë me Haxheren dhe djalin e tyre Ismailin u nisën për në Mekë. Asaj kohe, atje (në Mekë) nuk kishte njeri, nuk kishte ujë dhe as bimësi. Ibrahimi i la familjes një enë të mbushur me ujë, një shportë me hurma dhe i vendosi diku pranë pusit të Zemzemit, pastaj u largua.

Kur mbërriti në kodrën Eth-Thenije, prej nga mund t’i shihte që të dy, Ibrahimi u lut me këto fjalë: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.  (Ibrahim, 37) Haxherja iu nënshtrua urdhrit të Zotit, filloi të ushqehej me ato hurma dhe të pinte nga ai ujë, derisa mbaruan hurmat dhe uji. Ajo kishte etje, po ashtu edhe fëmija i saj përpëlitej nga etja.

Në atë gjendje, ajo shkoi për të parë mos shihte dikë për ta ndihmuar. U ngjit në kodrën e Safasë, hodhi një shikim, por nuk pa asgjë. Pastaj shkoi për në kodrën e Meruas, u ngjit lart, hodhi një shikim, por nuk pa askënd.

Kështu vazhdoi të ecte mes dy kodrave, edhe pse ndihej e pikëlluar, kërkonte pa ndaluar ndihmën e Allahut për veten dhe fëmijën e saj. Ajo ecte dhe kthente kokën prapa tek fëmija, nga frika se mos i afrohej ndonjë egërsirë.

Kur zbriste në luginë nxitonte me qëllim që të ngjitej në anën tjetër dhe të mos i ikte nga sytë, fëmija i saj. Por zgjidhja vjen bashkë me pikëllimin dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi. Pas shtatë vajtje – ardhjesh midis dy kodrave, ajo dëgjoi një zë engjëlli dhe kërkoi në vendin ku ndodhej zemzemi dhe aty filloi të buronte ujë.

Gëzimi i saj ishte i madh. Pinte ujë për vete dhe i jepte qumësht djalit të saj. Falënderoi Allahun për këtë mirësi të madhe dhe gërmoi në tokë në formë rrethi me qëllim që uji të mos humbiste (e të shterohej).

I dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit. Sikur ta linte Zemzemin, (pa i bërë pritë), ai do të ishte një burim i bollshëm, i rrjedhshëm dhe i dukshëm. 18

Atë e gjetën ca njerëz të një fisi arab që quhej Xhurhum! Ata qëndruan aty dhe mirësia u shtua edhe më shumë.

Ismaili u rrit. Ai ishte djalosh i pashëm dhe i mirë dhe fisit i pëlqenin vlerat morale dhe ambicia e lartë e tij.

Kur arriti moshën e pjekurisë, u martua me një vajzë të këtij fisi dhe gjatë asaj kohe, nëna e tij (Haxherja) ndërroi jetë.

Në kohën kur Islamili nuk ishte në shtëpi, babai i tij Ibrahimi, erdhi dhe pyeti gruan e tij për burrin e saj dhe për jetesën që bënin. Ajo e njoftoi se burri i saj kishte vajtur për gjueti dhe se jetesa e tyre ishte shumë e vështirë. Ibrahimi i tha: “Kur të vijë burri yt, jepi selam nga ana ime dhe thuaji: Ndërroje pragun e derës së shtëpisë.” Ibrahimi u largua shpejt, për ndonjë urtësi që e deshi Allahu i Lartësuar.

Kur u kthye Islamili, ndjeu se kishte ngjarë diçka dhe pyeti gruan dhe ajo i tregoi se kishte adhur një i moshuar, me këto tipare dhe kishte pyetur për të dhe ajo i kishte treguar. “Ai pyeti për jetesën tonë dhe unë i tregova për vështirësitë! Ai të dërgon selam dhe më tha të të porosit që ta ndërrosh pragun e derës së shtëpisë!” Ismaili i tha: “Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës, prandaj shko tek familja jote.”

Dhe kështu Ismaili u martua me një grua tjetër.

Pas një farë kohe, Ibrahimi erdhi përsëri, ndërkohë që Ismaili kishte dalë për gjueti. Ai hyri tek shtëpia ku qëndronte gruaja e Ismailit dhe e pyeti për Ismailin dhe ajo i tregoi! Ibrahimi e pyeti për jetesën që bënin dhe ajo i tha se jetonin në mirësi dhe begati. Ajo ishte grua e mirë dhe falënderuese ndaj Zotit dhe burrit të saj.

Ai i tha: “Kur të kthehet burri, jepi selam nga ana ime dhe thuaji ta përforcoje pragun e derës së shtëpisë!”

Pastaj u largua menjëherë, para se të takohej me Ismailin, për ndonjë urtësi që e deshi Zoti i Lartësuar.

Kur u kthye Ismaili nga gjuetia tha: “A ju ka ardhur dikush?” Ajo i tha: “Erdhi një i moshuar me këto tipare!” Ai i tha: “A ju tha diçka?” Ajo tha: “Na pyeti për ty dhe unë i tregova; na pyeti për jetesën tonë dhe unë e lajmërova, se jemi në mirësi dhe falënderova Allahun.” “Çfarë tha pastaj?”  –  pyeti Ismaili. Gruaja i tha: “Ai të dërgon selam dhe të urdhëron të përforcosh pragun e derës së shtëpisë!” Ismaili i tha: “Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës së shtëpisë dhe më urdhëroi të të mbaj.” Ibrahimi, erdhi për herë të tretë dhe e gjeti Ismailin duke mprehur ca shtiza pranë pusit të Zemzemit. Kur e pa Ibrahimin, ai u ngrit dhe veproi siç vepron fëmija i dashur për babain e dashur.

Ai i tha: “O Ismail! Allahu më ka urdhëruar që të ndërtoj këtu në këtë vend një shtëpi, që të jetë faltore për njerëzit, deri në Ditën e Gjykimit.” Ismaili i tha: “Unë do të të ndihmoj për këtë!”

Ata filluan t’i ngrinin themelet e kësaj shtëpie. Ibrahimi ndërtonte, ndërsa Ismaili i afronte gurët dhe të dy luteshin duke thënë:  “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”  (El Bekare, 127-129)

Kur mbaroi ndërtimi i Shtëpisë së Shenjtë (Qabes) dhe kur Ibrahimit i mbeti kjo gjurmë e vlefshme, Allahu e urdhëroi atë, t’i ftonte njerëzit dhe t’i thërriste me zë të lartë, që të vinin për të kryer haxhin. Ai thërriste, ndërsa njerëzit vinin tek Shtëpia e Shenjtë nga çdo cep i largët. Vinin dhe dëshmonin krahas dobive të kësaj bote (shit-blerje), edhe dobitë e Ahiretit. Kështu, gjenin lumturinë dhe largonin prej vetes mjerimin.

Sprova e Ibrahimit dhe urdhri i flijimit

Ndërkohë, kur dashuria ndaj Islamilit e kishte pushtuar zemrën e Ibrahimit, Allahu deshi ta sprovonte atë! Për të pare nëse do të ishte prej atyre që i japin përparësi dashurisë ndaj Zotit, dashuri e cila nuk pranon ortakëri e as konkurrencë. Për këtë arsye, e urdhëroi në ëndërr që ta flijonte Ismailin, ndërkohë që ëndrrat e pejgamberëve janë insiprim (shpallje) nga Allahu.19

Ibrahimi i tha Ismailit: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”

“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit.”

D.m.th, u nënshtruan ndaj urdhrit të Allahut dhe e pranuan, duke e vënë veten në shërbim të këtij urdhëri jo të këndshëm, ku rrallë mund të gjesh njerëz që tregojnë durim, sa (1/10) një e dhjeta e tij.

“Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.”

Ndihma dhe zgjidhja vjen nga i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” (Safatë, 103-105)

U zgjidh problemi i kësaj sprove; këtij mundimi të lodhshëm dhe të pakëndshëm. Pasi që u parapri nga pohimi i sigurt dhe i vendosur (për të zbatuar urdhrin), që të dy merituan shpërblimim dhe mirësinë; arritën të fitonin nderimin dhe afrimin në piedestale të larta tek Allahu i Lartësuar. Të gjitha këto mirësi nuk janë të pamundura për Zotin tonë Bujar!

Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.”  (Safatë, 105-107)

E ku ka flijim më të madh, se ai me të cilin arrihet qëllimi i një adhurimi, që nuk i ngjan asnjë adhurimi tjetër?!

Ky flijim do të mbetet traditë deri në Ditën e Gjykimit, përmes të cilit, njerëzit do të afrohen tek Allahu dhe do të arrijnë shpërblimet dhe kënaqësinë e Tij.

“Dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë tek brezat e mëvonshëm.  “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Safat, 108-109)

Pas kësaj që ndodhi, Allahu ia plotësoi mirësitë Ibrahimit, e mëshiroi gruan e tij Sarën, edhe pse ishte e shtyrë në moshë dhe e përgëzoi me një djalë të vyer, i cili do të quhej Is’hak dhe ai (Is’haku), më vonë do të kishte djalë Jakubin.

Allahu e kishte dërguar Lutin tek populli i tij, por ata u ngritën kundër tij. Për këtë arsye, Allahu vendosi që t’i ndëshkonte. Luti ishte nxënës i Ibrahimit dhe ndaj tij kishte shumë detyrime. Engjëjt që u dërguan për të shkatërruar popullin e Lutit, kaluan fillimisht tek Ibrahimi, por në formë njeriu.

Kur hynë tek Ibrahimi, e përshëndetën me selam dhe ai ua ktheu selamin dhe menjëherë filloi t’i gostsite miqtë (e panjohur). Allahu i kishte dhënë furnizim të bollshëm dhe bujari të madhe. Shtëpia e tij (Ibrahimit) ishte pikë referimi për mysafirët. Në moment, ai vajti tek familja dhe pa u vënë re solli një viç të majmë e të pjekur mbi një tepsi të madhe. “Pastaj ua afroi atyre e u tha: ‘A nuk po hani?’” (Dharijat, 27)

“Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre.” (Hud, 70)

Sepse mendoi se ishin hajdutë.20

“(Engjëjt) thanë: ‘Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit’”. (Hud, 70)

Sarën, ndërkohë që po u shërbente, ata e përgëzuan me lajmin se do të bëhej me një fëmijë të ditur. Ajo qeshi nga habia dhe filloi të qëllonte fytyrën. Ishte e habitur dhe e shtangur.  Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë.” (Hud, 72)

Para se t’më vinte ky lajm përgëzues, unë isha beronjë (nuk lindja) “ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!” Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!”  (Hud, 72-73)

Engjëjt i përgëzuan me Is’hakun i cili do të jetonte, dhe të cilit do t’i lindte një fëmijë që do ta quanin Jakub dhe do ta arrinin (do ta shihnin). Ibrahimi, e falënderoi Allahun për mirësitë e plota, duke thënë: “Qoftë lavdëruar Allahu, i Cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!”  (Ibrahim, 39)

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Ibrahimit

(alejhi selam)

1- Çdo detaj që Allahu i Lartësuar na e ka treguar në historinë e Ibrahimit (alejhi selam), jemi të urdhëruar ta praktikojmë në mënyrë të veçantë. Allahu i Lartësuar thotë: “Fenë e babait tuaj, Ibrahimit.”  (Haxh, 78)

D.m.th, përkushtojuni asaj!

“Pastaj ty të shpallëm: ‘Paso me sinqeritet fenë e Ibrahimit, që nuk ka qenë prej idhujtarëve’”. (Nahl, 123)

“Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të, kur i thanë popullit të vet.” (Mumtehine, 4)

Ajo që ka të bëjë me teuhidin (njësimin e Zotit në adhurim), bazat e fesë, besimin, vlerat morale dhe çdo gjë për të cilën Allahu na ka treguar për të (Ibrahimin), ndjekja e tij, konsiderohet prej fesë sonë.

Për këtë arsye, meqenëse urdhri për të ndjekur  Ibrahimin ishte i përgjithshëm dhe përfshinte të gjitha gjendjet e tij, Allahu veçoi vetëm një rast, duke thënë: “Përjashtim (nga ky shembull) bën fjala e Ibrahimit për të atin: ‘Unë do të kërkoj falje për ty.’” (Mumtehine, 4)

Domethënë: mos e ndiqni në këtë rast, e të kërkoni falje për idhujtarët, sepse kërkimi i faljes që bëri Ibrahimi, ishte vetëm një premtim që ai ia kishte dhënë babait, por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Zotit, u distancua prej tij. 2- Allahu i Lartësuar e zgjodhi Ibrahimin si halil (të dashurin e Tij) ndërkohë që fjala e përmendur (halilu Allah), nënkupton nivelin më të lartë të dashurisë. Këtë shkallë, nuk e ka arritur askush nga njerëzit, përpos dy të dashurve të Zotit: Ibrahimit dhe Muhamedit (alejhima selam).

3- Ndër mësimet që përfitojmë nga kjo histori është edhe nderimi që Allahu i bëri këtij pejgamberi, duke i dhënë mrekulli të ndryshme. Allahu u dha pasardhësve të Ibrahimit profetësinë dhe librat qiellorë. Nxorri prej tyre dy popuj, që do të ishin më të nderuarit: Popullin arab dhe bijtë e Izraelit. Allahu e zgjodhi atë që të ndërtonte Shtëpinë e Shenjtë, e cila është shtëpia më e vlefshme dhe e para faltore e ndërtuar për njerëzit. I dhuroi fëmijë, atëherë kur ishte i thyer në moshë dhe i ishte shuar çdo shpresë. Me emrin e mirë të këtij profeti, mbushi Lindjen dhe Perëndimin. Zemrat e njerëzve i mbushi me dashuri dhe gjuhët e tyre me përmendje të mirë ndaj Ibrahimit (alejhi selam).

4- Allahu e ngriti lart Ibrahimin në dije, në vendosmëri dhe forcën e argumenteve. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’amë, 75)

“Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm.”  (En’amë, 83)

Që të arrinte kulmin e dijes dhe fundin e saj, Ibrahimi iu lut Allahut duke thënë: “Kur Ibrahimi tha: ‘O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!’ – Zoti i tha: ‘A nuk beson?’ – ‘Besoj’- iu përgjigj Ibrahimi, ‘por dëshiroj të më qetësohet zemra.’ Allahu i tha: ‘Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.’” (Bekare, 260)

5- Ai që përkushtohet në kryerjen e adhurimeve dhe jep maksimumin në plotësimin e shkaqeve, por i del një pengesë që nuk e lë ta plotësojë, shpërblimi i tij shkruhet tek Allahu. Siç na ka treguar Allahu i Lartësuar, për atë që emigron dhe vdes pa arritur tek vendi i emigrimit.21

Ashtu sikurse e përmendi Allahu në ndodhinë e flijimit, se Allahu ia kishte dhënë të plotë shpërlimin Ibrahimit dhe Ismailit, atëherë kur u dorëzuan dhe e pranuan urdhrin. E megjithatë, pas kësaj, Allahu e largoi vështirësinë dhe u dha shpërblimin e kësaj bote dhe të botës tjetër.

6- Mësojmë etikën e dialogimit, mënyrat dhe format e tij të dobishme.  Mënyrën si të detyrosh kundërshtarin me forma të qarta, të cilat i pranojnë njerëzit e logjikshëm. Mësojmë se si e detyronte kundërshtarin më të rreptë, që të pranonte realitetin që fliste për kotësinë e rrugës së tij, duke paraqitur argumente ndaj atyre që tregonin kokfortësi, si dhe për t’i orientuar ata që kërkonin udhëzim.

7- Prej mirësive që Allahu u jep njerëzve është dhe mirësia e fëmijëve të mirë dhe të devotshëm. Për këtë dhuratë, njeriu duhet ta falënderojë shumë Allahun dhe t’i lutet Atij për pasardhës të mirë, siç veproi i dashuri i Allahut, Ibrahimi (alejhi selam) kur tha: “Qoftë lavdëruar Allahu, i Cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet! O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!” (Ibrahim 39-41) Allahu i Lartësuar, duke i lavdëruar në përgjithësi ata që luten për pasardhës të mirë thotë: “Dhe kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush 40 vjet, ai thotë: ‘O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!’”. (Ahkaf, 15)

Njeriu kur vdes, i ndërpriten punët, përpos tri rasteve: Sadakaja rrjedhëse, dija prej të cilës kanë dobi të tjerët dhe fëmija i mirë që lutet për të.22

8- Vendet e vizitës gjatë periudhës së haxhit dhe ritualet që praktikohen mund t’i përmledhim në këto urtësi: Aty përkujtohen vendet ku Ibrahimi dhe familja e tij kryenin adhurimet, besimin në Allahun dhe pejgamberët e Tij. Këto rite na nxisin për t’i ndjkeur ata dhe të gjithë profetët në të gjitha gjendjet e tyre që kanë të bëjnë me fenë. Këtë e themi, bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend-faljeje!” (Bekare, 125) 9- Urdhri për pastrimin e xhamisë së shenjtë nga ndytësitë dhe të gjitha mëkatet, në fjalë dhe vepra. E gjithë kjo në shenjë madhërimi ndaj Allahut, si dhe për të ndihmuar dhe nxitur të gjithë ata që adhurojnë Allahun. Të njëjtat fjalë mund të thuhen për të gjitha xhamitë. Kjo duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që qëndrojnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. (El Bekare, 125)

“Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij. (Ibrahim, 37)

10- Porosia më e vyeshme, është ajo që Ibrahimi (alejhi selam) u dha bijve të tij dhe Jakubit. Ajo është porosia për vazhdimësinë e praktikimit të fesë dhe unitetit rreth saj.  Kjo është porosia që Zoti u ka dhënë të parëve dhe atyre që erdhën më pas. Vetëm përmes zbatimit të kësaj porosie, arrihet lumturia e përhershme dhe shpëtimi nga e keqja e kësaj bote dhe e botës tjetër.

11- Punëtori (ai që bën vepra të mira), ashtu sikurse duhet ta perfeksionojë punën e tij, duke e kryer në formën më të plotë, nga ana tjetër duhet të qëndrojë mes frikës dhe shpresës. Ti përgjërohet Allahut që Ai t’ia pranojë (veprat) t’ia plotësojë mangësitë dhe ta falë për të metat dhe gabimet. Kështu vepruan Ibrahimi dhe Ismaili në momentin kur po ndërtonin themelet e shtëpisë së shenjtë. Ata e gëzonin këtë cilësi në formën më të përsosur (mes frikës dhe shpresës).

12- Lutja që njeriu i drejton Allahut, të bashkojë mes mirësive të dynjasë dhe fesë dhe preokupimi për t’i arritur (këto të dyja), është metodë që ndoqën profetët. Feja është origjina (baza) dhe qëllimi për të cilin Allahu krijoi njerëzit. Ndërsa dynjaja është mjet dhe ndihmesë për arritjen e këtij qëllimi (përmbushjen e fesë). Këtë e themi duke u bazuar në lutjen që i dashuri i Zotit, Ibrahimi, bëri për banorët e Shtëpisë së Shenjtë. Ai u lut për dy gjëra, duke nxjerrë në pah urtësinë e lutjes, se gjërat e kësaj bote janë mjet për falënderimin e Allahut. Ai u lut duke thënë: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë. (Ibrahim, 37)

13- Historia e Ibrahimit na mëson si duhet të jetë mikpritja e mysafirit dhe normat e rrespektit.23 Allahu i Lartësuar na tregoi për vizitorët e tij se ishin të nderuar, pra ishin të nderuar tek Allahu, por gjithashtu edhe Ibrahimi i nderoi me pritjen e tij në fjalë dhe vepra.

Nderimi i mysafirit është prej imanit. Mjafton të dimë se Ibrahimi u shërbeu personalisht dhe e filloi i pari mikpritjen para çdo gjëje tjetër.

I priti me ushqimin më të vyer që kishte, mishin e viçit, të pjekur e të majmë dhe ua afroi në tryezë dhe nuk i la të shkonin diku tjetër. U shtroi ushqimin dhe u kërkoi të hanin, me fjalë të buta duke u thënë: “A nuk po hani?” (Dharijat, 27)24

14- Ligjshmëria e përshëndetjes me selam dhe se ai që e fillon është pikërisht ai që futet brenda (në shtëpi) dhe ai që është duke ecur. Ndërsa kthimi i tij (selamit) është detyrë. Si dhe ligjshmërinë e të qëndruarit tek emri i atij që kontakton me ty, qoftë ai shok, apo dikushi apo ndonjë mysafir. Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Ibrahimit që u tha mysafirëve: “Njerëz të panjohur!”. (Hixhr, 62)

D.m.th, nuk u njoh më përpara, prandaj kam dëshirë që të prezantoheni personalisht. Kjo fjalë që u tha Ibrahimi, ishte shumë më e sjellshme se tu thoshte: Unë nuk ju njoh ju! Apo diçka tjetër.

15- Është mirë dhe inkurajuese që familja apo ata që janë të ngarkuar për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë, të jenë të vendosur dhe të gatshëm për çdo gjë që kërkohet pej tyre, e që ka të bëjë me çështjet e shtëpisë. Ibrahimi (alejhi selam) në momentin kur shkoi tek familja e tij, e gjeti të gatshëm (të gatuar) ushqimin për mysafirët dhe i duhej vetëm ta shërbente atë.25

16- Të kesh fëmijë, të përgëzohesh me ardhjen në jetë të një fëmije, duke qenë në moshë të thyer, konsiderohet mrekulli ndaj Ibrahimit dhe nderim i madh për Sarën. Ngjarja e Ibrahimit tregon mrekullinë ndaj një profeti dhe nderimin e madh ndaj një njeriu të dashur tek Zoti (Sarën).

I ngjashëm me këtë ishte edhe përgëzimi që engjëjt i dhanë Merjemes për Isain dhe përgëzimi që i dhanë Zekerijas dhe gruas së tij për Jahjan. Argumenti që Allahu i dha Zekerijas ishte se për tri ditë radhazi nuk do u fliste njerëzve, dhe pse nuk kishte ndonjë problem shëndetsor. Kjo ishte shenjë dhe sinjal. Të gjitha këto, apo fakte të tjera, janë nga Allahu dhe akoma më mahnitës është fakti se Allahu e krijoi Ademin nga dheu.

Larg të metave është Ai, që ka fuqi mbi çdo send.

17- Lavdërimi që Allahu i bëri Ibrahimit (alejhi selam) është se ai u paraqit para Zotit me zemër të pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara, 89)

Ajo që e përmbledh kuptimin e këtij ajeti:  Bëhet fjalë për zemrën e pastër nga të këqiat dhe arsyet që shpien tek e keqja. Është e mbushur me të mira, bamirësi dhe bujari. E ruajtur nga dyshimet që cënojnë dijen, bindjen e plotë, dhe nga epshet që pengojnë robin dhe plotësimin e tij. Është ajo zemër e pastër nga  mllefi dhe zilia, e mbushur me teuhid, besim, modesti ndaj të vërtetës dhe njerëzve, këshillimin dhe dëshirën e madhe për tu adhuruar vetëm Allahu dhe për tu sjellë dobi robërve të Tij.

-18 Fjalët që përmend Allahu në rastin e Nuhut dhe Ibrahimit, Musait, Harunit dhe Iljasit ku thotë: “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” (Safat, 79) “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Safat, 109)

Ai i bashkangjit me fjalët: “Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët.” (Safat, 80)

Allahu i Lartësuar premtoi se do ta shpërblejë çdo punëmirë me përmendje dhe emër të mirë tek njerëzit dhe lutje nga ana e tyre, në varësi të vlerave që ai mban. Ky është shpërblim i shpejtë ndërsa shpërblimi i botës tjetër vjen si përgëzim në jetën e kësaj bote dhe shenjë e lumturisë së vërtetë.