HISTORIA E HUDIT (alejhi selam)

HISTORIA E HUDIT (alejhi selam)

Allahu i Lartësuar e dërgoi Hudin (alejhi salatu ues selam) tek populli i tij (Ad’i i lashtë),
të cilët banonin në Ah’kaf e pikërisht në dumat e shkretëtirës së Hadrameutit (Jemen).
E dërgoi në një kohë kur e keqja e tyre u shtua dhe filluan të tregonin kryeneçësi ndaj
njerëzve duke thënë: “Kush është më i fortë se ne?” (Fussilet, 15) E mbi të gjitha, ky
popull adhuronte idhujt dhe përgënjeshtronte të dërguarit e Zotit.7

Allahu e dërgoi në mesin e tyre që t’i ftonte në adhurimin e Allahut, të Vetëm dhe të
Pashok. T’i ndalonte nga shirku (IDHUJTARIA) dhe kryeneçësia ndaj njerëzve.
E dërgoi që t’i ftonte me çdo mënyrë dhe t’u kujtonte ato mirësi të kësaj bote,
që Allahu u kishte dhënë: furnizimin e mjaftueshëm dhe forcën fizike. Por ata e
refuzuan thirrjen e  tij, shfaqën mendjemadhësi në përgjigje dhe thanë: “O Hud!
Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua.” (Hud, 53)

Në fakt ata po gënjenin, sepse çdo Pejgamberi, Allahu i ka dhënë prova, me anë
të të cilave njerëzit do të besonin. E megjithatë, nëse Pejgamberët nuk do të posedonin
prova të tjera veç faktit se feja me të cilën erdhën të gjithë ishte e njejtë, kjo do të
mjaftonte si provë e dukshme se ajo fe është nga Allahu, për shkak të përsosmërisë që
ka, rregullit, dobive dhe përshtatetjes për çdo kohë. Pa lënë mënjanë vërtetësinë e
ngjarjeve, urdhërimin e çdo të mire dhe ndalimin nga çdo e keqe, si dhe faktin se çdo
Profet vërtetonte atë që ishte para tij dhe dëshmonte për të, ashtu sikurse e vërtetonte ai
(Profet) që vinte pas dhe dëshmonte gjithashtu për të.

Prej provave të veçanta të Hudit: Fakti se ai ishte i vetëm në thirrjen e tij; i vetëm në
përballje; i vetëm në momentin kur injoronte mendimet dhe humbjen e tyre; i vetëm
kur përçmonte idhujt, ndërsa ata ishin të fuqishëm, tiranë dhe kryeneçë. Ata u munduan
ta frikësonin me idhujt e tyre se, nëse nuk tërhiqej, do çmendej ose do t’i ndodhte diçka e keqe.

Por ai i sfidoi hapur dhe u tha qartë: “Unë kam dëshmitar Allahun, dëshmoni dhe ju,
se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot
kundër meje dhe mos më jepni fare afat! Unë i mbështetem Allahut, Zotit tim dhe
Zotit tuaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti
im është në rrugë të drejtë.” (Hud, 54-56)

Ata nuk mundën ta lëndonin me asgjë të keqe! Pra, a ka provë më të madhe se kjo sfidë,
me të cilën ai u përball me këta armiq, që në fakt ishin tepër të interesuar për ta shkatërruar
thirrjen e tij (Hudit) me çdo formë? Kur kryeneçësia e Popullit të Adit mori fund, ai u largua
prej tyre dhe i paralajmëroi për zbritjen e dënimit. Dhe ja, dënimi erdhi dhe u shfaq në horizont!
Momenti ishte mjaft i vështirë, thatësira dhe nevoja për shi ishte shumë e madhe.

Atë çast (kur panë retë e zeza) u gëzuan dhe thanë: “Kjo re po sjell shiun!”. Allahu tha: “Jo!”
“kjo është ajo që ju e keni shpejtuar.” Sepse më parë u shprehët duke thënë: “Sillna atë (dënim)
që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!” (Ahkaf, 22)

“Një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë.”
(Ahkaf, 24) “Allahu ua dërgoi atyre shtatë netë dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i
vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. (Hakka, 7)

“E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin
keqbërës.” (Ahkaf, 25) Pasiqë jeta u kishte buzëqeshur, e krenaria kishte arritur kulmet dhe
kërkesat e jetesës i kishin të plotësuara. Jo vetëm kaq, por u ishin nënshtruar edhe zonat dhe
fiset përreth, megjithatë, as kjo nuk u vlejti, sepse Allahu u dërgoi një erë të acartë në ditë fatkeqësie.
“Për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe
më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë. (Fussilet, 16)

“Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi
Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” (Hud, 60)
Allahu e shpëtoi Hudin dhe ata që besuan me të. “Vërtetë në këtë ndodhi kishte argument”
që tregonte fuqinë e plotë të Allahut dhe nderimin e madh ndaj pejgamberëve dhe ndjekësve
të tyre, duke i ndihmuar në jetën e kësaj bote dhe ditën kur të ringjallen krijesat. Është provë
e qartë se e keqja shkatërrohet dhe fundi i saj është më i keqi dhe më i shëmtuari. Gjithashtu
është argument që pohon ringjalljen dhe tubimin në Ditën e Madhe.

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Hudit (alejhis selam)

1- Ia vlen të rikujtojmë dobitë e mëparshme që kemi përmendur tek historia e Nuhut (alejhi selam)
e që janë të përbashkëta pothuajse tek historitë e të gjithë profetëve.

2- Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij na rrëfen ndodhitë e atyre popujve që jetuan pranë ose
rreth gadishullin Arabik. Kjo për faktin se Kur’ani gjithmonë përmend (përdor) mënyrat më efikase
në këshillim. Nëse vëren me kujdes, do të shohësh se si Allahu i Lartësuar i përdor këto këshillime
në formën më të dobishme. Pa dyshim edhe në zonat e largëta, në Lindje apo në Perëndim të tokës,
Allahu dërgoi pejgamberë dhe ashtu sikurse pejgamberët e përmendur në Kur’an, edhe këta ishin
të pajisur me argumente të ngjashme, dhe njësoj si të tjerët, hasën në kundërshtime, nderime,
apo edhe ndëshkime (nga populli).

Tek çdo popull, Allahu ka dërguar pejgamberë. Ai na mundësoi që të përfitojmë duke na kujtuar
çfarë kemi rreth e përqark, dhe ato (ndodhi) që brezat ia përcjellin njëri-tjetrit. Për më tepër, gjurmët
që shohim, ecja pranë vendbanimeve të tyre në çdo kohë, kuptimi i gjuhës dhe natyra e përafërt me
natyrën tonë, padyshim që të gjitha këto përcjellin dobi të madhe. Madje, kjo është më parësore se
sa të informohemi për ndodhitë e disa popujve për të cilët nuk kemi dëgjuar asnjë lloj lajmi, gjuhën
e të cilëve nuk e njohim dhe ngjarjet e të cilëve nuk kanë të bëjnë me ne, apo që s’kanë lidhje me
atë që Allahu na tregon.

3- Nga e gjithë kjo, dalim në përfundimin se, përkujtimi i njerëzve me gjërat që i kanë më të kapshme
në mendjet e tyre, më të përshtashme për gjendjet e tyre dhe më të perceptueshme nga ana e tyre,
kjo u bën dobi atyre më shumë se diçka tjetër dhe është më parsësore se sa këshillimet e tjera, edhe
pse mund të jenë të vërteta (të sakta), sepse edhe e vërteta qëndron në grada të ndryshme.

4- Këshilluesi apo mësuesi, nëse ecën në këtë rrugë, përpiqet që dijen dhe mirësinë ta përcjellë tek
njerëzit me mënyrat (format) që ata i kuptojnë. Mënyra se si komunikon me ta, nuk i bën që të largohen,
por përkundrazi, ato çfarë ai u thotë, janë të kuptueshme për ta dhe përforcuese të argumentit që u
paraqet atyre, në këtë rast, ai do përfitojë për veten dhe do u sjellë dobi edhe të tjerëve.

Allahu i Madhëruar e tregoi këtë fakt në fund të historisë së popullit të Adit, ku thotë: “Edhe më parë
Ne kemi shkatërruar vendbanime rreth jush e u kemi shpjeguar atyre shpalljet Tona.” D.m.th u sollëm
argumente në forma dhe mënyra të ndryshme “Që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë).
(Ahkaf, 27) Pra që përfitimi të ishte më i arrirë!

5- Ndërtesat e larta që ngrihen për mburrje, mendjemadhësi, luks, apo për të treguar tirani ndaj
njerëzve, konsiderohen prej veprave të nënçmuara të trashëguara nga popujt tiranë. Allahu i Lartësuar
kur rrëfen ndodhinë e Adit dhe mospëlqimin e Hudit për veprimin e tyre, thotë: “A mos vallë në çdo
kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?
(Shuara, 128-129)

6- Për ta përmbledhur mund të themi se: Ndërtimet, kështjellat, fortifikatat, shtëpitë apo
çfarëdo qofshin ato, ndahen në:

1- Ndërtime sipas nevojës dhe dihet se ato (nevojat) janë të ndryshme dhe të lloj-llojshme.
Këto (ndërtime) konsiderohen të lejuara dhe me anë të nijetit (qëllimit) të mirë mund
të arrihen mirësi të mëdha.

2-Ndërtime që përdoren si mburojë dhe fortifikatë nga e keqja e armiqve dhe vendstrehime,
me anë të të cilave ruhet shteti dhe vatani. Pra, diçka që u sjell dobi muslimanëve dhe i ruan
nga e keqja! Ky lloj ndërtimi përfshihet tek ajo që quhet: luftë në rrugë të Allahut dhe bën pjesë
në urdhrin që kemi për t’u ruajtur nga armiqtë.  3- Ndërtime që përdoren për mendjemadhësi,
mburrje, tirani ndaj njerëzve dhe harxhim pasurie, pasuri e cila realisht duhet të përdoret në
gjëra të dobishme. Ky lloj i ndërtimit është i nënçmuar dhe mu për këtë, Allahu nuk e pranoi
që të praktikohet nga populli i Adit dhe popujt e tjerë.

7- Mendja, logjika, zgjuarsia apo forca materiale, përfundimet dhe gjurmët që vijnë si rrjedhojë
e tyre, edhe nëse janë madhore dhe peshojnë rëndë, nuk i bëjnë dobi njeriut, veçse nëse i
shoqëron me besimin tek Allahu dhe të dërguarit e Tij.

8- Mohuesi i argumenteve të Zotit, përgënjeshtruesi i Profetëve, edhe nëse i jepet një afat
apo joshet pas kësaj bote, duhet ditur se fund i tij është tragjik.10 Dëgjimi, shikimi dhe logjika
nuk kanë për t’i bërë dobi asapak kur të vijë urdhri i Allahut (dënimi). Për popullin e Adit, Allahu
i Madhëruar thotë: “Ne i kishim bërë ata më të fuqishëm se ju11 dhe u kishim dhënë atyre dëgjimin,
shikimin dhe zemrën, por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre e as zemra e tyre, nuk u sollën kurrfarë
dobie, sepse mohuan shpalljet e Allahut; ata i goditi ajo me të cilën talleshin. (Ahkaf, 26)

Si dhe në ajetin tjetër ku thotë: “Hynitë, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan
aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes. (Hud, 101)

Udha e Besimtarëve