“Dritë mbi dritë” komentim mbresëlënës i ajetit të Kuranit

Komentim i Sures Nur

Kjo sure përbëhet nga gjashtëdhjetë e katër ajete.
Të gjithë ajetet e kësaj surje flasin mbi etika dhe
norma sociale, duke u fokusuar tek ato brenda
familjes. Surja Nur, është një sure me tematikë
sociale dhe përqendrohet kryesisht në çështje që
kanë të bëjnë me shtëpinë dhe familjen.

Kjo sure, iu shpall Profetit a.s në kohën kur e shoqja
e tij Aisheja, ishte akuzuar për tradhëti bashkëshortore.
Disa nga hipokritët e Medines, kishin përhapur fjalë dhe
e kishin akuzuar Aishen padrejtësisht, për tradhëti
bashkëshortore me një nga shokët e Profetit a.s.

Gjatë kthimit nga një betejë, Aisheja ishte shkëputur
nga karvani për nevojat personale dhe kur u kthye,
pa që karvani ishte nisur për udhëtim. Ajo u ul në
vendin ku kishte qenë më parë karvani, me shpresë
se do e vënë re mungesën e saj dhe do të kthehen
t’a marrin. Profeti a.s kishte caktuar një nga muslimanët
që të udhëtojë pas ushtrisë. Kur arriti tek vendi ku
kishte pushuar ushtria, ai gjeti gruan e Profetit a.s
Aishen. Pa i folur fare, ai uli devenë me qëllim
që të hypë Aisheja.

Tregon Aisheja: “Për Zotin ai as nuk më ka folur
gjatë gjithë rrugës deri në Medine.” Këtë ndodhi
e shfrytëzuan hipokritët, dashakeqët e muslimanëve
dhe filluan të shpifin dhe hedhin akuza mbi nderin
e Aishes. Nga këto akuza dhe fjalë që u përhapën,
ranë pre edhe disa muslimanë, të cilët e besuan.
Vetë rrethanat mbi të cilat u bazua kjo shpifje, ishin
ndihmuese. Thënia “s’ka tym pa zjarr” gjeti shesh në
një ndodhi të tillë. Në fakt, ashtu siç edhe u provua
më pas, ekziston tymi pa zjarr. Një muaj rrjesht
vazhduan akuzat, shpifjet dhe fjalët lart e poshtë.

Një muaj rrjesht, Profetit a.s nuk po i shfaqej as vetë
Xhibrili a.s. Profeti a.s u gjend shumë ngushtë nga
këto akuza. I gjendur ngushtë ishte edhe vetë Ebu Bekri,
babai i Aishes. Të sikletosur dhe të mërzitur ishin të
gjithë njerëzit e afërt të Profetit a.s dhe të gjithë
muslimanët e Medines. Njerëzit ishin ndarë të tre grupe:
Shpifësit dhe ata që i besuan këto shpifje, njerëz që
nuk dinin ç’të vepronin dhe të tjerë që nuk i besonin
këto akuza. Kjo gjendje vazhdoi për një muaj rrjesht.

Ky ishte një mësim shumë i rëndësishëm për çdo
shoqëri muslimane që do të vinte më pas. Si duhet
të reagojnë muslimanët dhe besimtarët e vërtetë,
nëse mes tyre përhapen shpifje dhe akuza të tilla?
Çfarë duhet bërë kur një pjesë e shoqërisë
akuzon një tjetër?

Për rrethana të tilla, Zoti i madhëruar ka shpallur suren Nur.
Ajeti i parë që iu shpall Profetit a.s dhe që vërtetonte
pafajësinë e Aishes është ajeti njëmbëdhjetë. Që nga
ajeti i njëmbëdhjetë deri në ajetin njëzet e pesë, të gjithë

ajetet flasin mbi pafajësinë e Aishes. Edhe pse këto ajete
u shpallën për të hedhur poshtë akuzat kundër Aishes,
ato janë të vlefshme për çdo kohë dhe vend.

“Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush.
Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është
mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që
ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një
dënim i madh.” (Nur, 11)

“Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo
është mirë për ju.” Kjo është një e mirë, pasi shoqëria
do të nxjerrë mësim nga një ndodhi e tillë dhe do të
dijë si të reagojë në raste të tjera.

Nga ata që e përgënjeshtronte lajmin dhe nuk e
besonin ishte dhe Ebu Ejub El’ensarij me gruan e tij.
Një ditë teksa ai qëndronte me gruan në shtëpi i tha:
”O nëna e Ejubit, nëse do ishe në vendin e Aishes, a do
të mund ta bëje, atë që thonë se e ka bërë ajo?”

“Jo për Zotin, nuk do të mund ta tradhëtoja të
dërguarin e Zotit” –iu përgjigj ajo. Ebu Ejubi i tha:”
Aisheja është më e mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë këtë).”

Gruaja e tij e pyeti:”Po ti nëse do të ishe në vendin
e Safvan ibnu Muatil, a do mund të mendoje keq
për gruan e të dërguarit të Zotit?”

Ebu Ejubi i tha:”Jo për Zotin.” Ajo i tha:”Safvani është
më i mirë se ti (dhe s’mund ta bëjë diçka të tillë).”
Për këtë ndodhi, Profetit a.s iu shpall ajeti i mëposhtëm:
”Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe
besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin si për
vete dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë?! ” (Nur, 12)

Ju o besimtarë duhet të mendoni më të mirën
për vëllanë dhe motrën tuaj në fe, edhe pse
hipokritët dhe dashakeqët akuzojnë dhe flasin lart
e poshtë. Ti o besimtar nuk i përket shtresës së
hipokritëve dhe dashakeqëve, prandaj duhet të
distancohesh prej tyre dhe nga sjelljet e tyre.

“Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë?
Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë
para Allahut. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut
ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në
tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh
për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe
flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit
dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para
Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e
dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për
ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)!
Kjo është shpifje e madhe!” (Nur, 13-16)

Këto ajete të drejtohen edhe ty o vëlla dhe oj motër
dhe sikur të thonë: Ruaje gjuhën kur bëhet fjalë për
nderin e tjetrit. Ruaje veten dhe përmbahu kur bëhet
fjalë për nderin e një gruaje. Mos thuaj ajo është
filania që ka vepruar dhe vepron… Mos mendo se
diçka e tillë është e vogël.

“Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut
kjo ishte një shkelje e madhe.”
Ruaje veten nga akuzat e drejtuara dikujt tjetër.
“Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë
më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë.” (Nur, 17)

A e shikon o motër sa e rëndësishme je tek Allahu?
A e shikon sa rëndësi ka emri dhe nderi yt?
A e shikon se Allahu shpalli ajete që lexohen deri
Ditën e Kijametit për të të mbrojtur ty dhe shoqërinë
nga akuzat dhe shpifjet? Thënia që nuk ka tym pa
zjarr, është e gabuar dhe ajo që i ndodhi Aishes
është argumenti më i mirë.

Ajetet e para të sures Nur.
Që nga ajetet e para të sures, kuptohet që
gjuha është e ashpër. “Kjo është një sure, të cilën
Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar, duke shpallur në
të argumente të qarta, që ju t’ua vini veshin.” (Nur, 1)

I gjithë Kurani është i shpallur nga Zoti, por në këtë
rast do të bëhet fjalë për një vepër dhe fenomen
shumë të shëmtuar.

“Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre
me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë
mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse
besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë
dënimin e tyre një grup besimtarësh!”

Islami është fe e mëshirës dhe dhembshurisë,
por kur bëhet fjalë për imoralitetin dhe marrëdhëniet
jashtëmartesore, nuk ka dhembshuri dhe mëshirë.
Islami urdhëron që të metat dhe gabimet e tjetrit të
mbulohen, por në rastin e lavirit dhe të lavires, dënimin
e tyre duhet t’a dëshmojnë edhe një grup besimtarësh.

Shumë njerëz thonë:”Përse gjithë kjo ashpërsi
dhe dënim kaq i rreptë?!”

Në fakt, nëse i kanë parasysh garancitë dhe ligjet
që Zoti përmend për t’a shmangur një fenomen
të tillë, nuk do e bënin këtë pyetje. Në këtë sure,
Zoti përmend një sërë normash etike dhe morale,
të cilat janë barrierë e fortë që e mbron njeriun
nga marrëdhëniet jashtëmartesore.

Në këtë sure, Zoti i urdhëron besimtarët që para
se të hyjnë në një shtëpi, të trokasin dhe të kërkojnë
leje. Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e tjetrit,
pa kërkuar leje më parë, sidomos nëse në shtëpi
ndodhen vetëm gratë. I këshillon fëmijët që mos
hyjnë në dhomën e gjumit ku ndodhen prindërit,
pa kërkuar leje më parë prej tyre. Allahu i urdhëron
besimtarët dhe sidomos të rinjtë të ulin shikimin.
I urdhëron të rinjtë të martohen dhe të zgjedhin
bashkëshorten e duhur. I urdhëron femrat të veshin
hixhabin dhe të mbulohen. Ai ndalon shpifjen dhe
akuzat që u bëhen të tjerëve pa argumente dhe fakte.
Për t’a reduktuar në masë një fenomen të tillë i cili e
përçan shoqërinë, islami ka caktuar dhe ndëshkimin përkatës.

Mos hyr në shtëpinë e tjetrit pa leje.

Thotë Zoti i madhëruar mbi këtë normë etike dhe
morali: “O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja
pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre.
Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin!
Nëse atje nuk gjeni askënd, mos hyni derisa t’ju lejohet
e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni!
Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju.”
(Nur, 27-28)

Këshillë për fëmijët

“O besimtarë! Skllevërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë
arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë)
në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni
rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë
tri kohë kur hiqni rrobat. Nuk ka gjynah as për ju e as
për ata që, pas këtyre rasteve, të vizitoni njëri-tjetrin
(pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon
Allahu shpalljet juve! Allahu është i Urtë dhe i
Gjithëdijshëm.” (Nur, 58)

Norma të tilla, u ngjajnë rregullave të qarkullimit
rrugor, por që këta janë për brenda shtëpisë.
Të gjithë këto rregulla dhe norma, me qëllim që
të mbrojë shoqërinë nga devijimet dhe problemet sociale.

Ulja e shikimit.

“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre
(nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre
(nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është
më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i
Dijshëm për atë që bëjnë ata.” (Nur, 30)

Ulja e shikimit nuk është vetëm për burrat,
por edhe gratë janë të urdhëruara t’a ulin shikimin.

“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre
(nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet
e jashtëligjshme)” (Nur, 31)

Martesa e të rinjve

“I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju,
si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë
të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë
ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi
dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32)

Jo prostitucionit!

“Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri,
që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote,
nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush
i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.”
(Nur, 33)

Mbulesa islame, hixhabi.

Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre
(nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre
(nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos
i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të
dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat
e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e
tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve
të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose
djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo
djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a
grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave),
ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo
fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të
mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos
duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë,
kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”
(Nur, 31)

Thuaji jo imoralitetit në shoqërinë muslimane!

“Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme
(ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim
i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu
i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Nur, 18)

“Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme,
zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë
botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh.”
(Nur, 23)

Një njeri që akuzon një femër pa argumente dhe
fakte, është i mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

“Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët,
duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu
do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta
marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.”
(Nur, 24-25)

Dënimi që i jepet lavirit dhe lavires, është etapa
e fundit e një sërë fenomenesh që janë përhapur
më parë në shoqëri. Pa u përhapur gjithë fenomenet
negative të lartpërmendura, nuk mund të kemi
imoralitet dhe për pasojë as edhe dënime të
marrëdhënieve jashtë martesore. Islami nuk është
fe që kërkon të dënojë, vrasë dhe torturojë njerëzit.
Islami është fe që kërkon të mbrojë dhe ruajë shoqërinë
nga fenomenet negative, të cilat e shpërbëjnë
dhe e shkatërrojnë atë.

Katër dëshmitarë.

Dikush mund të pyesë: Nëse jetojmë në një shoqëri
të mirëfilltë islame, ku mediat reklamojnë vetëm të
mirën dhe të virtytshme, ku të rinjtë martohen me
ekuivalentet e tyre, ku gruaja nderohet dhe
respektohet, ku femra vishet me hixhabin dhe
mbulesën islame, ku akuzat dhe shpijet për shkelje
nderi nuk ekzistojnë etj… dhe ndodh që dy persona
kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore, çfarë duhet
bërë në një rast të tillë?

Në një rast të tillë, gjykatësi i kërkon palës paditëse
të sjellë katër dëshmitarë që të dëshmojnë për këtë
akt të shëmtuar. Nëse paditësi nuk sjell katër dëshmitarë,
askush nuk mund të dënohet për imoralitet. Po si mund
të gjenden katër dëshmitarë për një vepër që nuk kryhet
veçse në ambjente të mbyllura dhe larg syve të njerëzve?

Ajeti që flet për katër dëshmitarët thotë:

“Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet),
e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me
tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë
dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë.” (Nur, 4)

Katër dëshmitarët duhet të plotësojnë një kriter tjetër:
Të jenë njerëz të ndershëm dhe jo horra dhe të paskrupullt.

Nëse një burrë dhe një grua shihen duke bërë imoralitet
nga katër dëshmitarë të ndershëm, kjo do të thotë se ata
po e bëjnë një vepër të tillë hapurazi, pa pasur frikë dhe
turp nga njerëzit. Në një rast të tillë, zbatohet dënimi që
është përmendur në ajetet e para të sures Nur. Ky dënim
jepet me qëllim që të mbrohet dhe të ruhet shoqëria nga
përhapja e fenomeneve negative. Një vepër e tillë dhe në
publik ku e shohin katër veta, është një sfidë ndaj shoqërisë
dhe diçka e tillë duhet dënuar.

Nëse njëri nga dëshmitarët tërhiqet dhe thotë se
nuk e ka parë të veprohet një vepër e tillë, tre
dëshmitarët e tjerë duhet të rrihen me tetëdhjetë
kamzhikë. Me këtë, kuptojmë që mos demasikimi
dhe mbulimi i këtij gjynahu, është më i vlefshëm dhe
i dobishëm për shoqërinë dhe vetë këta persona.

Kurse një herë tjetër, vetë Umeri i pa dy veta në
imoralitet. Menjëherë i mblodhi njerëzit dhe u tha:

”O njerëz, i pashë me sytë e mi dhe i dëgjova me veshët e mi.”
Ali ibnu Ebi Talib e pyeti:”O prijës i besimtarëve, a ke katër dëshmitarë?”
Umeri i tha:”O Ali, i pashë me sytë e mi dhe i dëgjova me veshët e mi.”

Por Aliu i tha përsëri:”O prijës i besimtarëve, nëse do
ua shqiptosh emrat, do të ndëshkohesh me tetëdhjetë goditje.”

Islami është fe që kërkon t’ia mbulojë të metat tjetrit.
Dënimi është vetëm për ata që gjynahet dhe veprat e
shëmtuara i veprojnë në publik, ku i shohin të tjerët.

Prandaj nuk ka përse të ndihesh në siklet o besimtar
nga ajeti që përmend dënimin e atyre që kryejnë
marrëdhënie jashtëmartesore.

“Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre
me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë
mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse
besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë
dënimin e tyre një grup besimtarësh!” (Nur, 2)

Ky dënim zbatohet vetëm pasi të jenë plotësuar
të gjithë kriteret e një shoqërie të pastër, kritere
që i kemi përmendur më lart.

Por nëse dy persona, një burrë dhe një grua,
edhe pse janë besimtarë dhe jetojnë në një
shoqëri të pastër dhe islame, veprojnë një gjynah,
çfarë duhet bërë? Mos duhet të shkojnë në gjykatë
dhe të kërkojnë të dënohen?

Në këtë rast, kemi ajetet që flasin mbi vlerën e
pendimit. Në këtë sure dhe në çdo sure tjetër,
sa herë që përmendet një gjynah sado i rëndë,
Zoti e pason me ajete të tillë si:”Përveç atyre
që pendohen…”

Përse ka marrë emrin Nur (dritë)?

Mos vallë ngaqë në këtë sure është ajeti: “Allahu është
Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me
atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë.
Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një
yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar
i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen
edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon
drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit.
Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nur, 35)

Nëse një shoqëri i zbaton gjithë porositë dhe normat
që përmenden në këtë sure, kjo shoqëri i ngjan më
shumë një drite të pastër dhe të dobishme. Shumë
njerëz, çifte dhe familje jetojnë në errësirë, për shkak
se surja Nur nuk ka asnjë vend në jetën e tyre. Shumë
shoqërive u mungon drita e cila gjendet në suren Nur.
Nëse do i zbatoni porositë e Zotit që janë përmendur
në këtë sure, rrugët, lagjet dhe shtëpitë tuaja do të
shkëlqejnë nga drita dhe vlerat njerëzore.

Prandaj, në këtë sure, përmenden shpesh ajete të tilla si:
“Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar,
duke shpallur në të argumente të qarta” (Nur, 1)

“Ne ju kemi dhënë juve shpallje të qarta” (Nur, 34)

Sheriati dhe ligjet e Zotit, janë dritë me të cilën
ndriçohet dhe pastrohet shoqëria.

Cili është burimi i kësaj drite?

“Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e
Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën
ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal,
kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo
(llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor,
as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e
prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt
dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit.
Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nur, 35)

Ku mund të haset kryesisht drita e Allahut?
Këtë e tregon ajeti pasues që thotë: “Në xhamitë, që
Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri
i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje” (Nur, 36)

Nga kjo dritë përfitojnë: “njerëz, të cilët shitblerja
nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët
falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë
nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të
jenë të shqetësuara.” (Nur, 37)

Nëse e refuzon dritën e Zotit dhe nuk beson:
“Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi
në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por,
kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë
në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të
plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari.

Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat
mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën,
duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi
tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse
nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë,
nuk do të gjejë më dritë.” (Nur, 39-40)

Këtu mund të hyjnë edhe ata fenomene negative
si: Akuzat dhe shpifjet kundër grave të ndershme,
shikimet pa kufi, vonimi i martesës mes të rinjve,
imoraliteti etj…

Pafajësia e Aishes e cila u shpall nga Zoti, është drita
e cila zbuloi dashaligësinë e hipokritëve.

“Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e
Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën
ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse
kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet
nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor,
ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri.
Dritë sipër dritës…” (Nur, 36)

Me qëllim që drita të ndriçojë dhe të vazhdojë
e ndezur, ka nevojë për llampë, kristal, vaj etj…

Po kështu, shoqëria që të vazhdojë e pastër nga
fenomenet negative, nga imoraliteti, shpifjet e pabaza etj…
duhet të zbatojë porositë dhe urdhërat e Zotit.

Në fund, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi ju!