Disa vlera të moralit të mirë

Allahu i Madhëruar i ka nxitur robërit e Tij në shumë ajete të Kuranit Fisnik që të pajisen me moral të mirë, e për këtë u ka premtuar shpërblim të madh; Xhenetin dhe mëshirën e Tij. Allahu i Madhëruar në një ajet të mbushur plot bukuri, na nxit duke thënë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj, dhe Xhenetit hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë kur janë në mirëqenie por edhe në vështirësi. Ata që e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” Suretu Ali Imran, 133-134.

Në anën tjetër, duke lavdëruar cilësitë e durimit, sinqeritetit dhe dhënies së lëmoshës, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” Suretu Ali Imran, 17.

Në të njëjtën kohë, duke lavdëruar cilësinë e thjeshtësisë, faljen e agresionit prej të tjerëve dhe ruajtjen e gjuhës (nga fjalët e ndaluara), Allahu i Madhëruar thotë: “Robërit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin thjeshtë nëpër Tokë dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe qoftë!” Suretu Furkan, 63.

Në disa ajete më poshtë, Allahu i Madhëruar thotë: “(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë duke gënjyer, e kur kalojnë pranë kotësive kalojnë me dinjitet.” Suretu Furkan, 72.
Gjithashtu, kur Allahu tregon fjalët e njërit prej bijve të Ademit, i cili i drejtohet vëllait të tij duke i thënë: “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras ty, sepse në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.” Suretu El Maide, 28.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Profeti, salAllahu alejhi ue selem, i cili i ka nxitur njerëzit drejt moralit të mirë. Madje, kur e kanë pyetur Profetin, salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguari i Allahut, cila është gjëja më e mirë që i është dhuruar një njeriu?” Profeti, salAllahu alejhi ue selem, është përgjigjur duke thënë: “Morali i mirë.”6
Veç të tjerash, Profeti, salAllahu alejhi ue selem, na ka treguar vlerën që mbart morali në këtë botë, e për më tepër në botën tjetër. Aisheja, radijAllahu anha, përcjell se Profeti, salAllahu alejhi ue selem, i është drejtuar duke i thënë: “Atij që i është dhuruar butësia, i është dhuruar nga mirësitë e dynjasë dhe të Ahiretit. Ndërsa mbajtja e lidhjeve farefisnore, morali dhe fqinjësia e mirë, ndërtojnë vendin dhe shtojnë jetën.”

Profeti, salAllahu alejhi ue selem, na tregoi për peshën e madhe që posedon morali krahas virtyteve të tjera Ditën e Gjykimit, duke thënë: “Nuk ka gjë më të rëndë që vendoset në peshojë, sesa morali i mirë. Një njeri që posedon moral të mirë, vetëm për këtë arrin gradën e atij që falet dhe agjëron.”
Mund të ndodhë që një person të mos ketë sukses në praktikën e shumë adhurimeve, siç janë qëndrimi i gjatë në namaz apo agjërimi, adhurime të cilat i praktikohen nga të devotshmit dhe asketët (ata që braktisin kënaqësitë e kësaj bote dhe jepen pas botës tjetër).

Por, nëse ky person njihet mes njerëzve si njeri me sjellje të butë dhe me moral të mirë, atëherë, ky moral, kjo butësi dhe modesti e ngre atë në gradën e atyre që adhurojnë Allahun dhe janë asketë.
Aisheja, radijAllahu anha, transmeton kështu: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salAllahu alejhi ue selem, të ketë thënë: “Vërtet, besimtari me moralin e tij të mirë arrin gradën e atyre besimtarëve që agjërojnë dhe falen shumë.”