Çfarë është ateizmi?

Pyetje: Çfarë është ateizmi?

Përgjigje: Në përkufizimin terminologjik ateizmi është: Mohimi i ekzistencës së Zotit. Ateistët janë ata që nuk besojnë në ekzistencën e Allahut të Madhëruarit, e aq më pak të pranojnë njëshmërinë e Tij në zotërim dhe në adhurim. Ata thonë: Gjithësia u gjend aksidentalisht, nuk ka krijues dhe materia është e përhershme (pa fillim e pa mbarim), ajo është njëkohësisht krijesa dhe krijuesi.

Për rrjedhojë ata i mohojnë të Dërguarit (profetët) dhe nuk i pranojnë fetë. Në përgjithësi ata janë dy lloje: Lloji i parë: Ata që nuk besojnë në ekzistencën e Allahut të Lartësuar. Lloji i dytë: Ata që quhen agnosticistë (dyshues) dhe thonë: Nuk e dimë a ekziston Zoti Krijues apo jo?

Këta të dy i bashkon mosbesimi në Krijuesin e Lartmadhëruar, por grupi i dytë janë dyshues, ndërsa të parët janë të palëkundur1. Në fakt studimi dhe realiteti na zbulojnë se shumica e mendimtarëve që kanë deklaruar ateizmin e tyre, nuk përqafojnë ateizmin implicit – sipas terminologjisë së tyre -, dmth: ata nuk janë mbështetur në teori shkencore, por janë ateistë eksplicitë (të jashtëm,negativë), kjo sepse ata vetëm shfaqin këmbënguljen e tyre, sepse nuk janë të bindur me argumentet e ekzistencës së Allahut.

Prandaj njëri prej filozofëve francezë, Maurice Blondel thotë: “Nuk ekzistojnë ateistë me kuptimin e plotë të fjalës”. Dhe nuk janë larg nga këta që përmenda, një grup ateistësh të cilët e pranojnë një Krijues për gjithësinë, por pretendojnë se Ai hoqi dorë prej saj, apo u zhduk pasi e krijoi dhe e la të ecë vet! Sa absurditet i madh është ky!

Allahu është i Dëlirësuar dhe larg kësaj që ata thonë. Në Kuran tregohet se sa shpifje e madhe dhe e shëmtuar është fjala e atyre të cilët pretenduan se Allahu ka djalë: “Dhe thanë:
‘I Gjithëmëshirshmi ka djalë!’.” Keni thënë një gjë shumë të madhe. Qiejt gati sa nuk pëlcasin, toka gati sa nuk çahet dhe malet sa nuk lëvizin nga vendi nga kjo fjalë! Nga shpifja që ata bënë për të Gjithëmëshirshmin se Ai paska djalë!” (Merjem: 88-91)

E ç’mund të thuhet pastaj për atë që e mohon krejtësisht ekzistencën e Krijuesit?! Është e ditur se ateizmi në të shkuarën ka ekzistuar fare pak. Ata që e kanë mohuar Allahun prej njerëzve kanë qenë një grup shumë i vogël. Më i keqi prej tyre ishte Faraoni i cili tha: “E ç’është Zoti i botëve?” (Shuara: 23).

Këtë rrymë ndoqën një grup prej filozofëve dhe një grup prej idhujtarëve arabë të cilët quheshin “Ed Dehrijeh”. Këta janë ata që besojnë në “vjetërsinë” e botës (thonë se ajo s’ka as fillim e as mbarim) dhe e mohojnë Krijuesin. Pra siç e shikojmë, mohimi i Krijuesit të Lartmadhëruar nuk ka gjetur pranim, apo përhapje të gjerë në mesin e njerëzve.

Në lidhje me këtë, njeri prej historianëve grekë, Plutarku thotë: “Kanë ekzistuar në histori qytete të pafortifikuara, qytete pa kështjella, qytete pa shkolla, por kurrë nuk kanë ekzistuar qytete pa faltore.” Ndërsa në kohët moderne çështja ka ndryshuar.

Qysh pas përfundimit të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë, me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë që po përjetonte perëndimi, filluan të shfaqen disa rryma që deklaruan mohimin e ekzistimit të Krijuesit. Kjo ishte koha e Darvinit, e Marksit, e Niçes dhe e Frojdit, të cilët i trajtuan dukuritë shkencore, psikologjike, ekonomike dhe shoqërore, me një metodë në të cilën nuk merrej në konsideratë ekzistenca e Krijuesit.

Për këtë ndihmoi pozicioni i brishtë i fesë së krishterë në periudhën e mesjetës dhe në shekujt pas saj, si pasojë e luftërave, inkuizicionit dhe krimeve që u kryen në Evropë në emër të fesë, në lidhje me sjelljen e kishës katolike kundrejt asaj që e quante herezi, apo devijim nga parimet e kishës.

Kjo ideologji nuk qëndroi vetëm tek shkencëtarët empirikë (eksperimentues), te psikologët dhe sociologët, por i tejkaloi ata dhe u përfshinë në të edhe shkrimtarët, të cilët shpallën atë që e quajtën: Ideja e vdekjes së fesë dhe Krijuesit dhe se feja i largoi njerëzit nga humanizmi i tyre, duke u detyruar atyre rregulla që binin ndesh me natyrën e njeriut, lirinë dhe lumturinë e tij.

Këto ide u përputhën me “studimet e famshme” të Darvinit të cilat binin ndesh drejtpërdrejt me teorinë e zanafillës së universit, që gjendet në librin e shenjtë të të krishterëve. Gjithashtu Niçja bëri deklaratën e tij të famshme: “Vdekja e Zotit të madh” dhe tha gjithashtu: “Feja është një dogmë e kotë dhe krim ndaj njerëzimit”.

Kështu, idetë e ateistëve në këtë periudhë filluan të merrnin drejtimin e largimit nga feja, për shkak të përplasjes mes logjikës dhe veprimeve e mësimeve të kishës. Ndërsa Marksi shpalli teorinë e tij të njohur: “Nuk ka Zot dhe jeta është materie” dhe e konsideroi fenë: “Opium për popullin”, sepse ajo – sipas pretendimit të tij – e bën popullin dembel dhe mosbesues ndaj fuqive të tij për të ndryshuar realitetin.

Gjithashtu u shfaq edhe Frojdi me teorinë e tij, në të cilën ai pretendon se: “-Feja është iluzion dhe se njerëzimi kishte nevojë për të në fillimet e tij” Ai thoshte se: Ideja e ekzistencës së Zotit, është përpjekje e nënvetëdijes2 për të arritur përsosmërinë te njeriu i cili është si zëvendësuesi më i lartë i personalitetit të babait.

Sepse njeriu ,- sipas tij – në vegjëli, e shikon babanë e tij si një njeri të përsosur dhe të jashtëzakonshëm, por pas një farë kohe kupton se përsosmëria nuk ekziston, kështu nënvetëdija përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë krizë, duke krijuar një imazh imagjinar për diçka që quhet: ‘përsosmëri’.” Përveç atyre që thamë më sipër shtojmë edhe faktin se Franca, pas Revolucionit Francez, u bë dëshmitare e disa ndryshimeve politike.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera evropiane, ku mbizotëroi prirja për shkëputjen e fesë nga shteti. Kështu filloi ateizmi bashkëkohor në perëndim dhe u përhap shpejt, deri sa arritëm në vitet e fundit, ku u ringjall fantazma e ateizmit, pas një periudhe letargjie, që vijoi pas rënies së shtetit që e mbronte atë dhe e mbështeste, Bashkimit Sovjetik.

Sipas statistikave, përhapja e ateizmit në botë po shtohet me ritme të frikshme. Një nga këto statistika e ka kryer organizata “Eurobarometer”, e cila është një nga organizatat më të mëdha në fushën e studimeve statistikore në Evropë.

Sipas saj, në vitin 2005, rreth 18% e banorëve të Evropës ishin ateistë që nuk besonin në ekzistencën e Krijuesit, 27% prej tyre nuk besonin në Krijuesin por besonin në një botë shpirtërore, apo fuqi të mbinatyrshme. Statistika të tilla na sjell edhe organizata “Ipsos Reid”, e cila është e njohur në fushën e studimeve dhe anketimeve.

Ajo përmend se numri i ateistëve në Kanada, në vitin 2011 kishte arritur në 43%. Po ashtu gazeta “Financial Times” përmend se në vitin 2006 rreth 65% e japonezëve ishin ateistë. Ndërsa statistikat e organizatës “Ingo” tregojnë se numri i ateistëve në Meksikë është më shumë se 5.2%.

Disa studime të tjera përmendin se përqindja e ateistëve në Kinë sillet diku te 8 – 14%, për të mos përmendur pastaj faktin se shumica e budistëve – të cilët janë të shumtë në numër – në thelb janë ateistë. Ndërsa kanali BBC ka arritur në përfundimin se 9% e amerikanëve janë ateistë.

Ashtu siç përmendin disa studime të tjera zyrtare dhe gjysmëzyrtare – se ateizmi në Shtetet e Bashkuara po rritet me shpejtësi dhe se 55% e ateistëve dhe agnosticistëve kanë moshë më të vogël se 35 vjeç, dhe se universitetet amerikane janë një tokë pjellore për përhapjen e kësaj rryme.