Buzëqesh

Të qeshurit e matur është terapia më e përshtatshme për shërimin e plagëve të vuajtjeve të vazhdueshme, e cila ruan fuqinë e gëzimit shpirtëror. Ahmed Emin thotë: “Të buzëqeshurit në jetën
e tyre jo vetëm që kënaqin shpirtin e tyre, por ata gjithashtu janë më të fuqishëm në punë, janë më përgjegjës, më të mirë në përballimin e vërshtirësive dhe shërimin e tyre, si dhe në kryerjen e veprave të mëdha që sjell dobi për ta dhe gjithë njerëzit.

Sikur nga njëra anë të vendosnin pasuri të madhe dhe famë të lartë, e në anën tjetër një shpirt të vetëkënaqur e të buzëqeshur, e të më pyesnin të zgjedh, do ta kisha zgjedhur të dytën! Ç’vlerë ka pasuria me fytyrë të mrolur?! Ç’të duhet fama kur shpirtin e ke të ngushtë?!

S’të bën dobi e tërë bota me gjithë çfarë ka nëse vetë je i shqetësuar e i mërzitur, thua se je kthyer nga përcjellja e kufomës së më të dashurit! Ç’të duhet gruaja e bukur, kur zemërohet, vrazhdësohet dhe e kthen shtëpin në ferr?!

Më e dobishme për ty është ajo që s’ka këtë shkallë të bukurisë, por sjelljen e pëlqyeshme, buzëqeshjet e ngrohta dhe që e bën shtëpinë si një prej kopshteve magjike.

S’ka vlerë një buzëqeshje që nuk del nga thellësia e njeriut, e pastër dhe e natyrshme. E nëse ai përpiqet t’ju falë vetëm zgërdhimjen e dhëmbëve pa miratim nga shpirti, kjo i mbete vetëm fytyrës së tij dhe
nuk depërton tek të tjerët, sepse ai kërkon ta falsifikojë natyrën e tij të pastër të vërtetë.

Shiko rreth teje me kujdes; lulet buzëqeshin, pyjet e dendura luhaten të qeshura, detërat, lumenjtë, qielli, yjet, shpezët, të gjithë të buzëqeshur, pra edhe njeriu në esencë e tij rri i buzëqeshur. Sikur të mos e prekte xhelozia, sherri, naiviteti dhe shkaqet e tjera që ia humbin dritën fytyrës dhe e bëjnë të mrolur“ Ai nuk e sheh këtë bukuri që qëndron ditë e natë para syve të tij, se në shpirt është i dobët e i shkatërruar; secili prej nesh e sheh botën përmes veprave, mendimeve dhe shpirtit të vet.

Kur vepra që bëra të jetë e mirë, mendimet që më shpojnë kafkën të dlira, e shpirti i pastër nga mllefet, atëherë shqisa e të pamurit do të shohë pastërti; gjithçka që më rrethon në këtë hapësirë e shoh të bukur, shoh realitetin.

Por të pamurit kur të më bëhet i paqartë,të më nxihet qelqi i syzeve, çdo gjë rreth meje e shoh të zezë e të errët, atëherë duhet të kontrolloj trurin, veprat, mendimet, shpirtin, e t’i kthej në çiltërsitë parësore që ta shoh të vërtetën e bukur, ashtu siç është e paprishur.

Kemi shpirtëra që mund të bëjnë prej çdo gjëje dhimbje e vuajtje, dhe shpirtëra që mund të bëjnë prej çdo gjëje lumturi. Gruaja së cilës në shtëpi s’i sheh syri përveç gabimeve, tërë ditën e bën të zezë, për shkak se pjata i është thyer, se gjella iu bë e kripshme, se gjeti letrat copë-copë të hedhura nepër dhomë…., bërtet dhe fyen, sharja përfshin të gjithë që janë në shtëpi dhe pas pak ndizet zjarri.

Gjithashtu, ka burra që turbullohen me veten dhe me ata që u gjenden përreth për shkak të një fjalë apo komentimit të keq të saj, ose prej një pune të pavlefshme që u ngjau apo e bënë, ose për shkak të humbjes tregtare, një fitimi që prisnin të arrinin por nuk iu realizua, e për shumë gjëra tjera,që s’kanë vlerë.

Pra, bota në sytë e tyre është e zezë, pastaj edhe atyre që janë rreth ua nxijnë. Këta njerëz kanë fuqi ta zmadhojnë të keqen dhe prej një kokrre bëjnë pirgun, prej bërthamës bëjnë drurin. Ata nuk mund te bëjnë mirë, ndaj nuk gëzohen kur u vijnë të mirat edhe nëse janë shumë, e as nuk kënaqen me atë që arritën edhe nëse është e madhe. Jeta është art, e arti është shkencë që studiohet.

Për njeriu është më mirë të mbjellë trëndafila, jasminë, e dashuri në jetën e tij, se sa të lodhet në grumbullimin e të hollave dhe fryerjen e xhepave. Ç’vlerë ka jeta, kur gjithë mundin ia drejton mbledhjes së pasurisë, e s’bën asnjë përpjekje në lartësimin e bukurisë, mëshirës dhe dashurisë në të?!

Shumica e njerëzve s’i çelin sytë për bukuritë dhe gjërat interesante në jetë, por për dinarë dhe dirhemë. Kalojnë rreth kopshteve plotë trëndafila të bukur dhe ujit të vrullshëm, e shpenzëve këndues, por as që u hyn në mend t’i shikojnë ato, në mend kanë dinarin që doli e dinarin që hyri.

Ishte dinari mjet për jetë të lumtur, e rrotulluan gjendjen dhe shitën jetën e lumtur për hir të dinarit, i larguan sytë nga shikimet e bukura dhe i përshtaten të mos shikojnë përveç dinarit. Nëse e ke humbur shpresën, s’mund ta gjesh buzëqeshjen, e nëse e dëshiron buzëqeshjen, luftoje atë që ta humbi shpresën.

Shansi të ofrohet ty dhe të gjithëve, ngadhënjimi është i hapur, dera e tij është për ty dhe për të tjerët. Mësoje veten të jesh i hapur dhe shpresëdhënës për vete dhe të tjerët, përfytyro dobinë dhe të mirë për të gjithë.

Nëse mendoni se jeni krijuar për gjërat e thjeshta dhe të vogla, atëherë s’mund të arrini në jetën tuaj përveç te të voglat dhe të thjeshtat, e nëse mendoni se jeni krijuar për çështjet e rëndësishme dhe me peshë, atëherë mund t’i thyeni kufijtë dhe t’i largon pengesat, gjersa të arrini te fusha e gjërë dhe qëllimi i kërkuar.

Pra inkurajimi i vetvetes varet prej çështjes dhe qëllimit që ke vendosur në skicën e trurit. Cakto se çfarë do të arrish, e edhe sikur arritja e saj të jetë e vështirë, mos u merakos, sepse çdo ditë ti hedh hapat drejt saj. Ajo që e shtyp shpirtin, që e rrudh, dhe e dërgon në burgun e errët, është të menduarit keq dhe humbja e shpresës.

Jeta e keqe qëndro në shikimin e së keqes dhe në hulumtimin e turpeve të njerëzve, llomotitjet me fjalë për mangësitë e botës. Nuk gjen njeriu mbështetje në asgjë, ashtu siç gjen mbështetje e sukses te një edukator që ia zhvillon aftësitë natyrore, ia rikthen fjalën dhe gjerërinë e gjoksit, e mëson se dobia është qëllim kryesor.

Ne duhet të shpejtojmë të bëhemi rrënjë e dobisë së njerëzisë, aq sa kemi mundësi, që shpirti ynë të jetë diell i ngrohtë për një dritë, dashuri dhe dobi, që zemra jonë të jetë e mbushur me ledhtime, respekt e njerëzi, të ketë dashuri në arritjen e dobisë për secilin që të thërret.

Shpirti i buzëqeshur i sheh të vështirat dhe kënaqet kur i mund ato; i shikon dhe buzëqesh, i shëron dhe buzëqesh, del fitues dhe buzëqesh. Kurse shpirti i mrolur s’i sheh realisht vështirësitë, por i zmadhon ato dhe pastaj i bie interesi për ato dhe shfajsohet me ‘sikur’,’nëse’, e lloj – lloj justifikimesh.

S’është koha ajo që e malkon atë por mendimet e tij dhe kultura që ka. Ai dëshiron fitimin në botë, e nuk ia vë çmimin, sheh në çdo rrugë luanin vërsulet dhe pret derisa të bjerë flori nga qielli apo të shpërthejë toka prej pasurisë.

Me të vërtetë vështirësitë në këtë jetë janë çështje ne përqindje, shpirti shumë i vogël sheh gjërat shumë të vogla, e shpirtgjerët nuk shohin vështirësi të mëdha, por atyre mandje u shtohet madhëria aq sa iu shtohen të vështirat, kurse shpirtvegjëlve iu shtohen sëmundjet duke ikur prej tyre.

Vështirësitë e këaj jete më ngjajnë me qenin e tërbuar dhe kafshues. Ti ecën rrugës, kur papritmas, të del ky qen që është i uritur për kacafytje. Ti e vështron atë, frikësohesh, dhe ikën me vrap.

Ai të ndjek duke lehur, ngase u tregove frikacak, por sikur të qëndrosh pa ngatërruar këmbët, e ta shikosh në sy dhe të vazhdosh rrugën, ai të largohet nga rruga jote dhe merr ferrat. Pastaj s’ka gjë më vrasëse për shpirtin se sa ndjenja se je i humbur, i nënçmuar dhe i pavlerë.

Prej këtyre ndjenjave është e pamundur të dal vepër e madhe, e as nuk pritet prej këtyre ndonjë dobi. Ndjenja e të qenurit i humbur të bën të humbasësh besimin në vetvete. Nëse fillon ndonjë punë, frikësohesh në fuqinë tënde dhe e dyshon fitoren, kështu që në fund pëson humbje.

Besimi në vetvete është një veti e madhe ngase në të varet suksei në jetë….. Buzëqesh, nga ky ujë që pive mos rri duke u dridhur. Ndoshta të tjerët kur t’ju shohin të qeshur do ju bashkangjiten, vuajtjet anash duke i hedhur.

Vallë, a thua të pasuron hidhërimi, apo ta humb pasurinë gëzimi?! Shoku im i dashur, buzët e tua nëse qeshin nuk kanë për të plasur, dhe asnjë fytyrë nga të qeshurit para kohe s’është plakur! Buzëqesh si shkëndijë e zjarrët, që lundron dhe vallëzon në qiellin e mjegulluar.

Buzëqeshja asnjeri në këtë botë s’e përgëzon, përderisa deshi apo s’deshi ai në këtë botë vjen, dhe ashtu ngadalë dikur shkon. Buzëqesh, për derisa je gjallë dhe ende s’ke vdekur, se pasi të mbulohesh me dhe kurrë s’ke për të qeshur!..

Mos u pikëllo, se kështu u dëshpërove kur të goditi një fatkeqësi, e nga një u bënë dy. U hidhërove dhe përjetove raste të rënda nga skamja, por s’u bëre i pasur, mbete me ofshamat dhe mllefet e kota.

U preke nga fjalët e armikut tënd dhe e ndihmove edhe më tepër të flasë kundër teje. U shqetësove nga një ngjarje që mendoje se do të ndodhë por ajo s’u bë. Mos u pikëllo, se edhe në pallatin mbretëror sikur të jetosh, nuk do ta gjesh rehatinë dhe kënaqësinë shpirtërore.

Edhe nëse ke pasuri të madhe, i njohur je e me famë, e kot është për ty, se vuajtjet ta humbën shpresën që të mbante gjallë. Mos u pikëllo, se pikëllimi ujin e ëmbël e të ftohtë, ta bën të idhtë e të ngohtë, trëndafilin e shndërron në ferrë, kopshtin në thatësi të shkretë dhe jetën në burgë të rreptë.

Mos u pikëllo, përderisa ke fenë islame që në të beson, ke shtëpinë që në të banon, ke ushqimin që me të jeton, ke ujin e ftohtë që etjen kalon, ke tesha të mira që trupin mbulon, ke grua të ndershme që shpirtin ta qetëson, përse, pra, pikëllimin s’e dëbon?!

Mirësia dhe begatia e dhembjes Nuk janë dhimbjet gjithmonë të urryera dhe ato që sjellin gjithmonë mjerime e të këqija. Ndodh nganjëherë që robi të jetojë në dhimbje e të ketë dobi. Me të vërtetë, lutja e nxehtë vjen me dhimbjet, adhurim të vërtetë sheh atëherë kur të shoqëron dhimbja.

Dhimbjet e nxënësit në kohën e lypjes së diturisë dhe arritjes së saj,durimit të vështirësive të rrepta gjatë kohës së përpjekjeve, bëjnë që ai ta korrë frytin e famës, si një dijetar i fortë e i rrallë, ngase u dogj në fillim e ndriçoi në mbarim.

Dhimbjet e poetit dhe vuajtjet e tij kur nëpërmjet rreshtave të thurur i thotë,prodhojnë një kulturë të bujshme. Gjithashtu edhe vuajtjet e një shkrimtari nxjerrin vepra të gjalla, e tërheqëse që janë të mbushura plot këshilla e shembuj, mësime e përkujtime.

Nxënësi që jetoi pa fije shqetësimi dhe aktiviteti pranë bankave, e as që e lodhi trurin pranë librave, mbetet gjithmonë margjina, përtac dhe i panjohur. Po ashtu edhe një poet, i cili nuk njohi dhimbjet e as që ua shijoi idhtësinë, vetëm se humb kohën në poezitë e tij, se fjalët i mbeten shumë të lira, si një zbrazëtirë e fluskave të shkumës së detit që në fund humbin dhe shuhen.

Mbeten të tillë se fjalët nuk doën nga muskujt e zemrës, por vetëm nga maja e gjuhës. Shembull më të lartë dhe të ngritur kemi jetën e besimtarëve të parë të cilët e përjetuan mëngjesin e misonit, rilindjen e bashkësis, fillimin e shpalljes.

Ata që kishin besimin më të madh, zemra të pastra, fjalë të vërteta dhe dituri të thella, ishin të tillë ngase përjetuan dhimbjet dhe vuajtjet më të vështira; uri, skamje e varfëri, dëbim, përbuzje, dhimbje ndarje e izolimi.

Ata përjetuan ndarje zemrash, largim ëndjesh, dhimbje plagësh, vresje, dhunë, e masakrime, por përsëri mbeten me të vërtetë shembuj legjendarë, pakicë e zgjedhur, shëmbëlltyrë e pastërtisë, simbole të virtyteve të larta, sakrifikues të mëdhenj.

Psikologji Islame – Aid el Karni.