BESIMI NË TË DËRGUARIT TË TIJ

I Dërguari, është një njeri i cili dallohet nga të tjerët për shkak se Allahu (xh.sh.) e ka zgjedhur si përcjellës të fjalëve të Veta tek njerëzit. Të Dërguarit e Allahut (xh.sh.), janë të shumtë, por Allahu (xh. sh.), në Kuranin Kerim na ka njoftuar vetëm me disa prej tyre.

Të gjithë ata u dërguan për të rivendosur besimin monoteist (në një Zot të vetëm), pas devijimit që i kishin bërë njerëzit. Gjithashtu ata i njoftuan njerëzit për Ditën e Gjykimit dhe u kumtuan atyre “sheriatin/ ligjet” e Allahut.

Mësimet bazë të fesë islame janë të njëjta me mësimet që kanë kumtuar edhe të Dërguarit e mëparshëm. Allahu i dha fund dërgimit të pejgamberëve me të Dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin (a.s.), të cilin e dërgoi për të gjithë njerëzimin deri në Ditën e Kiametit.

Muhamedi (a.s.), ishte vula e të gjithë pejgamberëve, që do të thotë, se pas tij nuk do të vijë asnjë pejgamber tjetër dhe nuk do të zbresë asnjë shpallje e re.

Me misionin e tij, feja e Allahut mori formën më të plotë dhe më të përsosur. Islami i urdhëron myslimanët t’i respektojnë e t’i lavdërojnë të gjithë pejgamberët. Dhe nëse dikush flet keq, ofendon apo e mohon ndonjë prej pejgamberëve, ai ka dalë prej besimit.

Të gjithë të dërguarit kanë pasur disa cilësi të përbashkëta: Gjithnjë kanë thënë të vërtetën, kanë qenë të përpiktë e të besueshëm, Shpalljen e Allahut (xh.sh.), e kanë transmetuar dhe shpjeguar saktësisht dhe në mënyrë të plotë, kanë qenë shumë të zgjuar e të mençur dhe nuk kanë bërë gjynahe.

Të Dërguarit e përmendur në Kuran janë 28: Ademi, Idrisi, Nuhi, Hudi, Salihu, Ibrahimi, Luti, Ismaili, Is’haku, Davudi, Sulejmani, Iljasi, Eljeasi, Junusi, Jakubi, Jusufi, Shuajbi, Ejubi, Dhulkifli, Zekerijai, Jahjai, Musai, Haruni, Isai (Uzejri, Llukmani, Dhulkarnejni) dhe Muhamedi alejhimus-selam.