BESIMI NË LIBRAT E ALLAHUT

Allahu Teala i ka njoftuar njerëzit me urdhrat dhe ndalesat e Veta duke filluar që me Ademin (a.s.), që ishte edhe njeriu edhe pejgamberi i parë në faqen e tokës. Në fillim, këto urdhra dhe ndalesa kanë ardhur në formë fletësh.

Më vonë, me shtimin edhe të brezave, edhe të problemeve shoqërore, ligjet hyjnore kanë zbritur në formë librash. Ne myslimanët, besojmë Kuranin dhe të gjitha shpalljet hyjnore, të cilat përmenden në Kuranin Kerim.

Këto shpallje janë: Fletët e Ibrahimit (a.s.), Fletët e Musait (a.s.), pra Teurati, Zeburi i Daudit (a.s.) dhe Inxhili i Isait (a.s.). Të gjitha fletët dhe librat që kanë ardhur para Kuranit Kerim, kanë pasur vlerë vetëm për atë popull dhe atë periudhë në të cilat janë shpallur.

Dhe besimi ynë tek ato libra, është vetëm për formën e tyre origjinale, në të cilat kanë zbritur nga ana e Allahut (xh.sh.). Kurani Kerim, është libri i fundit hyjnor. Për rrjedhojë, me zbritjen e tij janë shfuqizuar (abroguar) të gjithë librat e tjerë para tij.

Kurani është forma përfundimtare dhe më e përsosur e të gjitha shpalljeve hyjnore. Ai u shpall në gjuhën arabe dhe përbëhet prej 114 sureve (kaptinave) me gjatësi të ndryshme, ku më e gjata është surja el-Bekare dhe më e shkurtra, është surja el-Keuther.

Shpallja e Kuranit zgjati 23 vjet, nga të cilat, 13 vjet në Mekë e 10 vjet në Medine. Pak kohë pasi u zbrit plotësisht, Kurani u tubua në një libër të vetëm i cili u quajt Mus’haf.

Çdo mysliman duhet të mësojë përmendësh të paktën suren e parë (Fatihan) dhe disa ajete (vargje) ose sure të tjera, me qëllim që të jetë në gjendje të falë namazet. Ai që e di komplet Kuranin përmendësh, quhet hafiz.