BESIMI NË KADERIN (CAKTIMIN) E MIRË APO E KEQE, GJITHÇKA QË NDODH ËSHTË NGA ALLAHU (XH.SH.)

Vullneti i Allahut është i pranishëm në të gjitha ndodhitë. Asgjë s’mund të ndodhë jashtë vullnetit të Tij. Meqë Allahu është zotërues i dijes së përgjithshme, Ai di çdo gjë që ka ndodhur e që do të ndodhë.

Njeriu kryen vepra me vullnetin e vet të lirë, por vullneti i tij i lirë është i kufizuar, sepse nuk mund të dalë jashtë rregullit të Allahut (xh.sh.). Në jetën e tij, njeriu duhet të ndjekë rrugën e fesë,të arsyes dhe të mendjes.

Nëse na ndodh diçka e pakëndshme ose ndonjë fatkeqësi, duhet të përpiqemi ta evitojmë atë e, nëse nuk mund ta bëjmë, atëherë duhet të durojmë dhe në asnjë moment të mos e humbasim shpresën se ajo pakënaqësi do të pushojë një ditë.

Vetëm Allahu (xh.sh.), e di se ç’është më mirë për dikë, ku është e mira dhe kur është më e dobishme ajo. Angazhimi i vetëdijshëm në realizimin e detyrave jetësore brenda kufijve të dispozitave të fesë, është kada dhe kader.

Momenti i vdekjes është i caktuar, por ai është i panjohur për ne. Prandaj, jemi të detyruar ta mbrojmë jetën dhe fenë dhe të kujdesemi gjithnjë për to. Të përpiqemi sikur kemi për të jetuar përgjithmonë e ta adhurojmë Allahun (xh.sh.), sikur kemi për të vdekur nesër.