BESIMI NË DITËN E FUNDIT (GJYKIMIT)

Bota në të cilën jetojmë tani, quhet Dynja. Kjo botë s’ka ekzistuar gjithmonë, por është krijuar dhe për rrjedhojë, një ditë do të përfundojë. Përveç kësaj bote kalimtare, Allahu i Lartësuar ka krijuar edhe një botë tjetër, e cila quhet Ahiret. Në Ahiret do të jetojmë pas mbarimit të jetës në këtë botë.

Vdekja s’është mbarimi i jetës, por ndryshimi i mënyrës së të jetuarit. Kur njerëzimi dhe jeta në këtë botë të pushojë së ekzistuari, Allahu Fuqiplotë do të ringjallë gjithçka dhe i tërë njerëzimi do të tubohen para Tij në Ditën e Gjykimit.

Të gjitha veprat e bëra, të cilat i kanë regjistruar melekët, Kiramen Katibin, do t’i paraqiten çdo njeriu dhe ata kanë për të dhënë llogari për to. Veprat e njerëzve do të vihen në një peshore – Mizan – të saktë dhe të përsosur.

Ai, tek i cili rëndojnë më tepër veprat e mira, do të shpërblehet me xhenet. Ndërsa ai, tek i cili rëndojnë më tepër veprat e këqija, do të dënohet me xhehenem. Xheneti është një vend në Ahiret, ku besimtarët do të gëzojnë kënaqësi përgjithmonë, sipas shkallës së shpërblimit të fituar.

Xhehenemi është një vend, ku mëkatarët do t’i vuajnë dënimet e tyre, sipas peshës së mëkatit të bërë. Se kur do të jetë Dita e Gjykimit, nuk e di kush tjetër, përveç Allahut (xh.sh.)