A E ADHUROJNË MUSLIMANËT QABEN?

Pyetje: Meqë Islami është kundër adhurimit të idhujve, atëherë, përse muslimanët e adhurojnë Qabenë dhe në lutjet (namazet) e tyre ata i përkulen asaj?

Përgjigje: Qabeja është kibla e muslimanëve drejtë se cilës kthehen gjatë kryerjes së namazeve të tyre. Është e rëndësishme të theksohet se megjithëse muslimanët drejtohen nga Qabeja gjatë kryerjes së obligimeve të tyre, ata nuk e adhurojnë Qabenë. Muslimanët nuk adhurojnë, e as nuk i përkulen askujt tjetër, por Krijuesit të Gjithësisë. Në suren El-Bekareh, Allahu Fuqiplotë, thotë: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht e drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë! Pa dyshim, atyre që u është dhënë Libri (Teurati), e dinë se drejtimi nga Qabeja është e vërteta prej Zotit të tyre. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që ata bëjnë.”

1. Islami beson bindshëm në forcimin e unitetit
Për shembull, nëse një musliman dëshiron që të falë namaz, është e mundur që disa duan që të drejtohen nga veriu, ndërsa disa të tjerë kanë dëshirë të kthehen nga jugu. Në mënyrë që t’i bashkojmë muslimanët në adhurimet e tyre ndaj Zotit, Një dhe të Vërtetë, muslimanët kudo që gjenden janë të obliguar që të kthehen vetëm në një drejtim, pra të kthehen në drejtim të Qabesë. Nëse disa muslimanë jetojnë në perëndim të Qabesë ata do t’i drejtojnë shikimet e tyre nga lindja, njësoj si ata të cilët jetojnë në lindje të Qabesë, të cilët kthehen nga perëndimi.

2. Qabeja gjendet në qendër të hartës së botës
Muslimanët ishin ndër të parët që hartuan hartën e botës. Ata e përpiluan hartën duke vendosur jugun lart kurse veriun poshtë. Qabeja ishte në mes. Më vonë, hartografët perëndimorë e rrokullisën hartën duke vendosur veriun në anën e sipërme kurse jugun në anën e poshtme të hartës. Edhe sot, Qabeja gjendet në mesin e hartës së botës dhe për këtë duhet të falënderojmë Allahun e Madhërishëm.

3. Tavafi përreth Qabesë dëshmon se duhet adhuruar vetëm një Zot
Kur muslimanët shkojnë në Xhaminë e Shenjtë në Mekë ata kryejnë tavafin respektivisht sillen rreth Qabesë. Ky veprim, apo ky akt, simbolizon besimin dhe adhurimin ndaj një Zoti pasi çdo rrotullim ka një pjesë qendrore, gjithashtu ky gjest simbolizon se ekziston vetëm një Allah, i cili meriton të adhurohet.

4. Hadithi i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të)
Në lidhje me gurin e zi kemi një hadithë në sahihun e Buhariut, Vëllimi 2, Libri mbi Haxhin, kapitulli 56, hadithi numër 675, ku Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të thuhet se ka thënë: “E di se je vetëm një gur që nuk mund të sjellë as dëm e as dobi. Sikur mos ta kisha parë Muhamedin alejhi selam të ketë prekur dhe puthur, asnjëherë nuk do të kisha prekur dhe as nuk do të kisha puthur dot.”

5. Njerëzit qëndruan mbi Qabe dhe nga aty thirrën ezanin
Në kohën e Muhamedit alejhi selam njerëzit qëndronin mbi Qabe ku thërrisnin ‘ezanin’, thirrjen për në namaz. Dikush mund t’i pyesë ata të cilët pretendojnë se muslimanët adhurojnë Qabenë se cili adhurues i idhujve qëndron mbi idhullin të cilin ai e adhuron?

Dr. Zakir Naik