87. Kur’ani shqip – Surja El-A’la

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! 2. I cili krijoi dhe përsosi, 3. Dhe i cili përcaktoi e orientoi, 4. Dhe i cili mundësoi mbirjen e kullosës.
5. E pastaj atë e bëri mbeturinë të zezë. 6. Ne do ta lexojmë ty e nuk do të harrosh (Kur’anin). 7. Përveç asaj që All-llahu dëshiron. Ai e di të haptën e të fshehtën. 8. Dhe Ne do të drejtojmë ty në më të lehtën. 9. E ti këshillo aty ku këshilla bën dobi. 10. Do të këshillohet ai që ka frikë,

11. E do t’i shmanget asaj, ai që është shumë i keq, 12. I cili do të hyjë në zjarrin e madh. 13. Dhe aty as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë. 14. Ka shpëtuar ai që është pastruar. 15. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet. 16. Po ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, 17. E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme. 18. Vërtet, kjo (këshillë) gjendej edhe në broshurat e para: 19. Në broshurat e Ibrahimit dhe të Musait.