84. Kur’ani në gjuhën shqipe – Surja El-Inshikak

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Kur të pëlcet qielli. 2. T’i bindet urdhrit të Zotit të vet, ashtu si takoi. 3. Dhe kur toka të shtrihet në gjerësinë e saj. 4. E të nxjerr çka ka brenda e të çlirohet,
5. Dhe t’i bindet Zotit të saj, ashtu i takoi. 6. O ti njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e atë (përpjekje) do ta gjesh. 7. E përsa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta, 8. Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë,

9. Do të kthehet te familja e vet i gëzuar. 10. E përsa i përket atij që libri i vet i jepet pas shpinës, 11. Ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim, 12. Dhe do të hyjë në zjarr të ndezur fort. 13. Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet, 14. Dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer. 15. Po, se, vërtet Zoti i tij gjithnjë e ka parë atë. 16. Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit,

17. Dhe në natën dhe çka ajo tubon, 18. Dhe në hënën kur ajo është e plotë. 19. Ju patjetër do të përjetoni gjendje pas gjendjeje. 20. E, çka kanë ata që nuk besojnë? 21. Dhe kur u lexohet atyre Kur’ani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)? 22. Përkundrazi, ata që nuk besuan edhe përgënjeshtrojnë? 23. E All-llahu e di më së miri se çka mbajnë fshehtë ata! 24. Lajmëroi, pra me një dënim të dhëmbshëm. 25. Me përjashtim të atyre që besuan e bënë vepra të mira, të cilët kanë shpërblim të vazhdueshëm!