82. Kur’ani në gjuhën shqipe – Surja El-Infitar

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. E kur të çahet qielli. 2. Dhe kur të shkapërderdhen yjet. 3. Dhe kur të përzihen detet. 4. Dhe kur të trazohen varret. 5. Atëbotë secili njeri e din se çka ka punuar dhe çka ka lënë prapa! 6. O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? 7. I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. 8. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!

9. Jo, nuk është ashtu. Ju përgënjeshtroni ditën e përgjegjësisë. 10. Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! 11. Janë shkrues të ndershëm te All-llahu. 12. Ata e dinë se çka punoni. 13. E s’ka dyshim se të mirët janë në kënaqësinë e përjetimeve (në xhennet). 14. Dhe se mëkatarët janë në xhehennem. 15. Aty futen ata ditën e gjykimit (të cilën nuk e besonin).

16. Dhe nuk kanë të larguar prej tij. 17. E ç’të mësoi ty se ç’është dita e gjykimit? 18. Përsëri, ç’të mësoi ty se ç’është dita e gjykimit?
19. Eshtë dita kur askush, askujt nuk do të mund t’i ndihmojë asgjë; atë ditë e tërë çështja i takon vetëm All-llahut!