Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi

“O njeri, dije se pas urisë vjen ngopja, pas etjes ke ujin freskues, pas lodhjes së tepërt të kaplon gjumi, pas sëmundjes vjen shërimi, i humburi do të triumfojë, robi do të lirohet nga prangat e robërisë, i devijuari do të udhëzohet, dhe pëlhura e territ do të ngjitet lart e do të zhduket.

Nata të përgëzon me një mëngjes të vërtetë duke humbur pas majave të kodrave të larta. Përgëzoje të kapluarin me goditje për zgjidhjen e nyjave të tija, e cila arrin me shpejtësinë e dritës sa çel e mbyll sytë; tregoji shpresëhumburit për dorën përkëdhelëse që e pret dhe për butësinë e lehtë që do ta prekë.

Kur të ecësh në shkretëtirë dhe të shohësh se gjatësia e saj veç po zgjatet e zgjatet, dije se pas asaj të pret kopshti i gjelbërt me drunjtë të shpeshtë që të sigurojnë hije të holla e të freskëta. E kur të shohësh se litari i trashë veç po hiqet e hiqet, dije se në fund ai këputet.

Vërtet pas lotit ke buzëqeshjen, pas frikës ke paqen dhe sigurinë, e pas drejtimit tënd nga Krijuesi të vjen qetësimi. Zjarri i tmerrshëm nuk e dogji Ibrahimin a.s., ngase Allahu ia çeli dritarën e mbrojtjes e që ishte

“….I ftohtë dhe shpëtues…“( El-Enbija.69)

Po ashtu, deti i tmerrshëm nuk e mbyti Musain a.s sepse zëri i tij i fuqishëm dhe i sinqertë pëshpëriti:

“…Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do t’më udhëzojë“(Esh-Shuara.62)

Me të vërtetë njerëzit të cilët bëhen rob të së keqes dhe që ushqejnë atë me lot dhe pikëllime vrasëse nuk shikojnë tjetër pos mureve të dhomës së tyre dhe derës së shtëpisë së tyre. Sa dritëshkurtër që janë, e kështu pa mëshirë e vrasin shpresën që duhet të mbetet e gjallë.

Thuaju: ‘O njeri, ti që më kupton, hidhe shikimin pak më larg, atje…pas perdeve, dhe lëre çliroje trurin deri atje pas mureve! Ndaj, mos e humb veten, bëhu vigjilent dhe qëndro i guximshëm se çdo fillim ka dhe mbarimin e vet.

Adhurim më të preferuar ke pritjen e fitimit dhe daljen nga ngushtësia, ditët rrotullohen, ca për ty e ca kundër teje, dhe koha ka rrotullimin e vet, netët janë si shtazënat, lirohen një ditë nga barrat e tyre.

E panjohura është e mbuluar, e Allahu i Madhëruar në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja, fal mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje zhduk të tjera…

Ti nuk e di, Allahu pas asaj mund të jap diçka rishtazi, dhe me të vërtetë pas vështirësisë vjen letësimi.

Psikologji Islame – Aid A. el-Karni