SI PËRBALLOHEN KRITIKAT E TË KËQINJVE.

Të pagdhendurit dhe trashanikët fyen dhe llomotitën ç’mos për Krijuesin, Allahu qoftë larg fjalëve të tyre, shanë të Vetmin Një që përveç Tij tjetër s’ka, dhe u orvatën që me fjalë të ndyra të prekin pastërtinë e Tij, Allahu është i pastër dhe larg thënieve të tyre. Kur patën guxim ta bëjnë një gjë të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të Gjithësisë, ç’pret që të flasin për ty dhe mua, që shumë shpejt rrëshqasim në grackat e të mallkuarit. Në jetën tënde sheh shumëçka prej shpirtligëve e ziliqarëve, goditjet e tyre të forta e pa pikë mëshire priti nga çdo anë, se ata s’kanë qëllim tjetër veç mposhtjes tënde dhe shkatërrimit tënd, ndaj qëndro e vazhdo të përparosh me begatitë e Allahut, dhe mos u dorëzo. Ata nuk heshtin kurrë ndaj teje, dhe s’të lënë të qetë derisa të largohesh prej atyre, ti qëndro se me të vërtetë ai që rri ulur mbi tokë nuk rrëzohet, e njerëzit nuk i gjuajnë me gurë degët pa fryte, po as e shqelmojnë qenin e ngordhur. Ata janë gjithmonë të zemëruar me ty dhe rrinë të gatshëm të të vërsulen sepse ti u lartësove me dituri, moral, a pasuri. Ti për ata je si një mëkat i madh që s’falet dot kurrë, ata do të vazhdojnë të të luftojnë gjersa t’i lëshosh nga dora begatitë e Krijuesit tënd, të zhvishesh nga vetitë e vyera e të biesh në zeron e pavlerë. Nëse i kupton kurthet dhe lajthitjet e tyre, atëherë mos ua vër veshin fjalëve që trillojnë, e mos u lodh me poshtërsinë e tyre, por bëhu i fortë si guri që s’lëviz lehtë, rri në vend të vet duke ua treguar forcën e ekzistencës së tij kokrrave të breshrit që sado të mëdha të jenë, kur mbi shkëmb pikojnë bëhen copë-copë, e shkëmbi qëndron e s’e gjen gjë. Sa më tepër që të flasin për ty, aq më shumë peshon personaliteti yt. Ti nuk mund t’ua mbyllësh gojët, e as që e ke në dorë t’ua ndryshosh trurin, por ke mundësi ti groposësh të këqijat e tyre dhe t’i lësh mënjanë. Me ta bëj sikur s’i sheh e as nuk i dëgjon, dhe thuaju me vete: “Vdisni me atë mllef tuajin” (Kur’an 3:119). Nëse dëshiron të jesh i pranuar nga të gjithë, i dashur për secilin, i pastër nga mangësitë para syve të botës – po kërkon të pamundurën dhe shpresat tuaja janë veç dëshirë utopike.