Psikologji Islame – AJO QË KALOI, MBAROI.

Të mendosh rreth së kaluarës, të jetosh me të dhe të prezentosh në të, e të dëshpërohesh nga të këqijat e saj është çmenduri dhe vrasje e dëshirës për jetën e tashme. Tek të mençurit fletët e së kaluares shuhen dhe nuk transmetohen që të përsëriten, ato mbyllen njëherë e përgjithmonë në burgun e harresës, duke u lidhur e shtrënguar fort që mos të dalin kurrë. Nëse kujtohesh, kjo s’të jep gjë veç lodhjes e sëmundjes psikike, ndaj mos e bëj këtë, se nuk rrjedh dritë nga ato kujtime vrasëse. Përkundrazi, ato sjellin e mbjellin mendime dhe ide të prishura që shpiejnë drejt humbjes dhe shuarjes; mëshiroje dhe mos i bëj padrejtësi vetvetes, e as mos e ndërmerr një hap të tille, sepse brengosja e tepërt nuk ta kthen atë që të kaloi, por as shqetësimi i madh nuk e ndryshon të shënuarën…! Mos! Mos jeto në ëndrrën e kaluar, e as mos rri nën hijen tradhtare që humbet shpejt, zgjoje veten nga gjumi që të lodh. A dëshiron dhe a mund ta kthesh lumin në rrjedhën që doli e rrodhi?! Po diellin mbasi lindi?! Po a mund ta rikthesh fëmijën në shtratin e barkut të nënës së tij?! Po qumështin, a mund ta futni e ta ktheni aty në gjoks ku ishte?! Po lotin a e kthen në sy pasi që u derdh?! Jo, kurrë…! Ajo që doli u bë dhe shkoi, kaloi.. nuk kthehet më… Për këtë mos jeto me të kaluarën që të verbohesh e të humbësh, të digjesh me zjarrin e saj që s’shuhet. Ta bësh këtë do të thotë ta humbasësh të tashmen dhe ta zhdukësh vullnetin. Ai që e do të kaluarën dhe i kthehet asaj është si ai i cili e bluan miellin që në esencë është i bluar, apo si ai që e sharron tallashin e drrurit. Qëmoti kanë thënë për ata që e qajnë të kaluarën se “nuk nxirren të vdekurit nga varret e tyre”, madje edhe fabulisti i ka përmendur ata që flasin në gjuhen e kafshëve se si e kanë pyetur gomarin: Përse nuk ripërtypesh? Ai tha: E urrej gënjeshtrën.” Me të vërtetë gabimi ynë më i madh është se harrojme të tashmen dhe angazhohemi me të kaluaren, i prishim dhe i rrëzojmë ndërtesat e bukura… Oh jo, mos e prish atë që ndreqe me plot vuajtje të rënda se sikur të grumbullohen e të tubohen të gjithë njerëzit dhe xhinnët nuk do të kishin mundur t’ju kthejne gjë nga ajo që kaloi, për shkak se ajo është e pamundur dhe e humbura s’të jep gjë. A nuk e sheh se njerëzit nuk shikojne pas dhe as që kthehen të vështrojnë gjurmët qe lanë prapa?! Era që fryn gjërat i merr përpara, e nuk ecën pas, po nëse shohim edhe më thellë vërejmë se çdo gjë që lëviz në këtë rruzull tokësor – qoftë insekt, shtazë, kafshë, njeri, apo makinë – të gjithë ecin para e nuk shkojnë pas. Ndaj, as ti mos shko kundër rregullit të jetës, e të prishësh zakonin e saj…!