PRA TA DINI SE ME TË PËRMENDUR ALLAHUN ZEMRAT STABILIZOHEN.

Fol të vërtetën, pash Krijuesin tënd. Thuaje të drejtën se ta mbush zemrën me erë të këndshme. Përvoja ime është argumenti yt, prijësi i grupit nuk gënjen kurrë! Pra, thuaje e mos ngurro, se nuk ke gjetur kurrë e as nuk ke për të gjetur fjalë që ta zgjeron gjoksin dhe ta rrit shpërblimin, si të përmendurit e Allahut [xh.sh.] “Pra më kujtoni ju Mua, që t’ju kujtoj Unë juve” (Kur’an 2:151). Përkujtimi i Emrit të Allahut [xh.sh.] të zbukuron fytyrën dhe pamjen, ashtu siç e zbukuron pamjen e shtëpisë sate një kopsht i bukur me trëndafila të llojllojshëm dhe drunj të shpeshtë gjelbërues. Pra, ai që s’i shijon kënaqësitë e këtij kopshti s’mund t’i provojë kënaqësitë e kopshteve të Xhennetit në botën tjetër. Përmendja e shpeshtë e Allahut të zgjon trupin dhe shpirtin nga vështirësitë, lodhjet dhe shqetësimet e kësaj jete. Jo vetëm kaq, por kjo është edhe rruga më e lehtë dhe e shkurtër drejt shpëtimit. Lexoje Kur’anin që të njohësh se ç’është të përmendurit, dhe çdo ditë provoje ushqimin e tij që të arrish shërim. Me përkujtimin e Emrit të Tij largohen retë e zeza dhe shkëlqen dielli i jetës, me përkujtimin e Tij shkrihen kodrat e të këqijave dhe mërzive. Pra, mos u habit kur përkujtuesit gjejnë rehati dhe mbështetje, se kjo është ajka e esencës, por habitu me ata që janë larg kësaj fushe se si jetojnë dhe si ndjehen. “Të vdekur e jo të gjallë, dhe ata nuk e dinë se kur do të ringjallen (adhuruesit e tyre)” (Kur’an 16:21). Ah sa shumë njerëz u ankuan prej pagjumësisë dhe derdhën lot buzë ngjarjeve të dhimbshme, sepse iu mungonte fjala që përkujton, dhe e cila e zbut egërsinë e tyre. Pra, sa më shumë që të përmendet Allahu në gojën dhe trurin tënd, aq më tepër do lirohesh nga prangat e rënda të jetës, do të të gëzohet shpirti, dhe pushojë ndërgjegjja, pra mbështetu dhe bazohu te Ai, tek i Cili kthehesh përsëri, mendo mirë për Krijuesin tënd dhe shpresa të t’i hapë dyert e hekurta që të kanë zënë rrugën. Ai është afër teje, e nëse thirret dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve. Pra, përulu, frikoju dhe kij respekt para Tij, pērsërite shpeshherë Emrin e Tij të bukur me gjuhën që ke, lavdëro dhe falëndero, lutju dhe kërkoji, se do t’i gjesh kërkesat e tua. “Ndaj Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër” (Kur’an 3:148).