Pas Ylli Gurrës, Berisha sulmon dhe Ahmed Kalanë: klerikun që “mbrojti” Edmond Begon

Ish-kryeministri Berisha ka sqaruar qëndrimin e tij kundër kandidatit Ylli Gurra për kreun e KMSH-së, njëherësh Myfti i Tiranës, duke e marrë të mirëqenë faktin se ai ka qenë “i qeverisë”. Duke pretenduar se qeveria ka tentuar të marrë nën kontroll institucionin përfaqsues të muslimanëve, Berisha tha në Open se “qeveria dëshiron që të ketë të gjitha fuqitë. I duhen edhe fuqitë fetare. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Qeveria të zgjedhë e të lobojë për kandidatin e saj. Unë s’kam guxuar kurrë. S’mund të rrijë Rama pa ndërhyrë. Unë ndërhyra pasi më erdhën dhjetëra mesazhe dhe pasi u publikuan në mediat. Nuk mbështeta asnjë kandidat, por dola kundër kandidatit të qeverisë. Unë nuk dëshiroja që ai të zgjidhej, për të shprehur qëndrimin e tim dola kundër. Nuk e di se sa kam ndikuar”.

Por Berisha nuk ofroi asnjë të dhënë a fakt se si qeveria qenka investuar me Ylli Gurrën për të marrë kreun e KMSH-së, duke u mjaftuar vetëm me artikulimin e akuzës.

Më tej, duke qëndruar në pozitat e tij politike, ai sulmoi – ndonëse pa ia përmendur emrin – imamin e njohur Ahmet Kalaja, drejtues i xhamisë në “Rrugën e Kavajës”, për mbrojtjen që ky i fundit i ka bërë Edmond Begos, të cilin opozita e ka shënjestruar rëndë kohët e fundit, duke e akuzuar për të kaluarën e tij.

“Disa deklarata nga eksponentë të klerit të Tiranës, janë të dënueshme. Si ajo e mbështetjes ndaj Edmond Begos. I ka dalë në krahë atij që shpërndan helm ndaj grave e fëmijëve për t’u pasuruar vetë”, ka thënë Berisha.

Në fakt, mbrojtja që hoxha i njohur i ka bërë Edmond Begos, ka qenë vetëm në kuadër të të qënit të këtij të fundit pjesë e komunitetit të besimtarëve në xhaminë që ai drejton. /tesheshi.com/