NA MJAFTON ALLAHU, AI ËSHTË MBROJTËSI MË I MIRË”

Nga frytet më të mëdha të imanit dhe nga cilësitë më të mira të besimtarit është kur ai çështjen ia beson Allahut [xh.sh.], mbështetet tek Ai, është i bindur në premtimet e Tij, i kënaqur me atë që i është ndarë nga rizku. Kur besimtari mbështetet te Zoti i tij duhet të jetë i bindur se ndihma, furnizimi, shpëtimi do t’i vijnë që në këtë botë, pa ndërprerje. Kur Ibrahimini [a.s.] e hodhën në flakën e zjarrit, ai shpëtoi e tha: “Na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i mirë”, e Allahu [xh.sh.] zjarrin djegës e shndërroi në ftohtësi dhe e bëri shpëtim për Ibrahimin [a.s.]. Po ashtu kur Muhamedin [s.a.v.s.] së bashku me shokët e ndershëm të tij e kërcënuan ushtritë e jobesimtarëve dhe çetat e idhujtarëve, ata deklaruan: “Na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i mirë. Dhe ata pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu, dhe arritën edhe kënaqësitë e Tij. Allahu është Dhurues i madh” (Kur’an 3:174). Me të vërtetë, njeriu me aftësi që posedon – sado të dalluara e të larta të jenë – nuk do të kishte mundur kurrë që të përballojë ngjarjet e jetës e t’i kalojë ato pa ndihmën e Atij që e krijoi në mënyrën më të përsosur, ngase është krijesë e dobët dhe fuqia e tij është e kufizuar në çdo hapësirë vendi e kohe. Mirëpo me mbështetjen e tij tek i Fuqishmi dhe besimi e bindja në Allahun [xh.sh.] e bën atë t’i tejkalojë të gjitha vështirësitë me një fuqi e vrull, që sikur të ishin tubuar të gjithë njerëzit dhe xhinnët nuk do të kishin mundur t’i ofrojnë ndihmë as sa një grimcë në krahasim me atë të Allahut [xh.sh.]. Ju thërras juve, o ju që dëshironi ta këshilloni veten dhe t’i përforconi këmbët tuaja përballë çdo vështirësie: mbështetuni tek i Fuqishmi, i Pasuri, te Zotëruesi i Fuqisë absolute që t’ju mbrojë dhe t’ju zgjojë nga mjerimet, t’ju nxjerrë nga pikëllimet dhe vajtimet jetësore. Qëndroni me fjalën: “Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë” e mos ndërroni këtë shtyllë të shpirtit tuaj edhe nëse ju fshihet pasuria dhe ju mbështjell skamja. Le të jetë ky parim në jetë edhe kur të të mbulojë borxhi e nuk ke mundësi te kthesh atë, por edhe kur nuk kanë nga të të rrjedhin të ardhurat minimale për jetesë. Thirr e deklaro: “Më mjafton Allahu [xh.sh.], i Cili është Mbrojtësi më i mirë.” “Por mjafton që Zoti të jetë Udhërrëfyes, Ndihmësi yt” (Kur’an 25:31).